Po, por duhet punë

Stadiumi i Prishtinës i ka hapur dyert për Kombëtaren shqiptare. Kuqezinjtë në një të ardhme të afërt mund t’i zhvillojnë ndeshjet si vendas në kryeqytetin e Kosovës.
Aktualisht ‘shtëpia’ e kuqezinjve është stadiumi kombëtar ‘Qemal Stafa’. Mirëpo, kjo arenë pritet të rrënohet dhe të fillojë ndërtimi i një stadiumi modern, me çka kuqezinjtë duhet të kërkojnë ‘strehim’ diku tjetër.
Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, thotë se pas rrënimit të stadiumit ‘Qemal Stafa’, alternativa e parë për t’i zhvilluar ndeshjet Kombëtarja kuqezi do të jetë stadiumi i Prishtinës.
Mirëpo, për ta realizuar këtë, numri një i futbollit shqiptar e di se nuk do ta ketë të lehtë, pasi stadiumi i Prishtinës duhet t’i plotësojë disa kritere të kërkuara nga FIFA e UEFA.
“Po, mund të ndodhë që Kombëtarja të zhvillojë ndeshjet në stadiumin e Prishtinës. Por, ai stadium ka nevojë për rregullime dhe duhet t’i plotësojë disa kritere të kërkuara nga FIFA e UEFA si ndriçimi, vendet e mbuluara, tribunat etj”, ka thënë Duka për Express të mërkurën.
“Ne shpresojmë që këto të rregullohen sepse në kushtet në të cilat ndodhet stadiumi i Prishtinës, nuk mund të luhet ndeshje ndërkombëtare”, ka theksuar Duka, i cili po e ndihmon futbollin kosovar në rrugën e tij drejt ndërkombëtarizmit.
Sipas Dukës, nëse stadiumi i Prishtinës nuk i plotëson kushtet e kërkuara nga FIFA e UEFA, atëherë alternativë e kuqezinjve do të mbetet stadiumi ‘Loro Boriçi’ në Shkodër.
Shqipëria ndeshjet si vendase në kuadër të kualifikimeve për Euro 2012 do t’i zhvillojë më 2 shtator kundër Francës dhe më 11 tetor kundër përfaqësueses rumune.
Nëse njëra nga këto takime do të zhvillohet në vendin tonë, me siguri se stadiumi i Prishtinës nuk do të ketë kapacitet t’i pranojë të gjithë tifozët e interesuar për ta përkrahur ekipin kuqezi.
Ideja për zbarkimin e kuqezinjve në stadiumin e Prishtinës ka lindur pas një takimi në Tiranë që ka pasur kryetari i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, me presidentin e FSHF-së, Armand Duka.
Ndërsa drejtuesit e klubit bardh e kaltër, rreth mundësisë së zhvillimit të ndeshjeve të Kombëtares shqiptare në Prishtinës, pritet ta mbajnë një konferencë për media sot.