“Fitoj Botërorin dhe qëndroj gjatë”
Rafa Benitez shfaqet i qetë në konferencën e parë për shtyp të Botërorit për klube. Trajneri spanjoll thekson se Interi ka udhëtuar drejt Abu Dhabit me synimin e vetëm që të fitojë, ndërsa thekson se do të qëndrojë gjatë në krye të stolit zikaltër.
Benitez, cili është objektivi i Interit në Botërorin për klube?
Ndodhemi këtu për të fituar. Nëse do arrijmë ta realizojmë këtë objektiv, do të jetë diçka e bukur për ne dhe për klubin.
A ndiheni në provë?
Pas kaq shumë vitesh karrierë në futboll, një trajner ka vetëm diçka të qartë: të jetë i përqendruar për të fituar, për të arritur rezultate dhe për të bërë sa më mirë punën tonë. Për të triumfuar duhet të punohet me seriozitet: personalisht punoj 12-14 orë çdo ditë për Interin dhe gjithçka e bëj me profesionalizëm.
Mund të thoni tri arsye përse jeni optimist?
Jemi këtu falë punës së këtyre futbollistëve dhe gëzojmë mbështetjen e klubit dhe të tifozëve të shumtë. Tashmë, të gjithë së bashku duhet të bëjmë më të mirën.
E keni ndjekur në lojë skuadrën koreane të Seongnamit?
Jo, nuk e kam parë. Gjëja më e rëndësishme është skuadra jonë: nëse paraqitemi mirë, mund të fitojmë.
Kjo periudhë te Interi, a mund të cilësohet më e keqja në karrierën tuaj?
Gjithmonë kam qenë i qetë. Kjo javë mund të jetë më e mirë se të mëparshmet dhe për ne situata mund të ndryshojë.
Çfarë mendimi keni për Internacionalin e Porto Alegros?
Kam shumë respekt për skuadrat e tjera, por nuk duhet të flasësh për një ndeshje nëse më parë nuk e ke siguruar që do ta luash atë. Fillimisht duhet të arrijmë në finale dhe më pas të diskutojmë rreth saj.
Cilin prej lojtarëve mendoni të rikuperoni për sfidën e së mërkurës?
Do të flasim me lojtarët dhe stafin mjekësor, e vetëm më pas do të vendosim. Shpresoj që t’i kem të gjithë në dispozicion. E kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë: kjo skuadër ka kualitet dhe nëse punojmë të gjithë së bashku, mund të arrijmë rezultate të kënaqshme.
Të mërkurën Morati u shpreh me fjalë të ashpra ndaj jush…
Kam biseduar me presidentin përpara dhe pas ndeshjes me Verder Bremenin. Personalisht jam i qetë. Ai kuptoi gjithçka, ishte në dijeni të situatës dhe për mua kaq mjafton. Çdo gjë ishte e qartë për gjendjen në të cilën ndodhej skuadra dhe për mënyrën si u paraqit në ndeshjen e Champions League.
Cila është “receta” për të pasur sukses në Botërorin për klube?
Jam i bindur se do të kemi sukses, pasi i kemi kualitetet dhe kjo duket. Nuk mund të humbasësh vetëm në një ditë… Tashmë duhet të kemi kokë, këmbë, taktikë dhe dëshirë për t’u paraqitur mirë.
Gazetat kanë nisur të shkruajnë për pasardhësit tuaj, ku një prej kandidatëve është Kapelo…
Më ka rastisur shumë herë që të lexoj emrat e zëvendësuesve të mi nëpër gazeta, por trajneri i Interit jam unë. Dua të fitoj Botërorin dhe nëse jemi të suksesshëm, do të qëndroj gjatë te kjo skuadër.
Cilin vlerësoni si momentin kyç të turneut?
Prioriteti ynë është të fitojmë ndeshjen e parë, në mënyrë që të kualifikohemi në finale. Kjo është arsyeja përse jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e parë, te gjysmëfinalja.