Ushqimet, rriten çmimet në prag festash
Produktet bazë të konsumit kanë pësuar sërish rritje në muajin nëntor, ndërsa tendenca për shtrenjtim të mëtejshëm vihet re edhe në fillim të muajit dhjetor. Shqiptarët, ashtu si në vitet e kaluara, në prag festash të Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri duhet t’i bëjnë mirë llogaritë, sidomos për disa lloje produktesh që kanë pësuar rritje të konsiderueshme çmimesh. Instituti i Statistikave (INSTAT) raportoi dje gjendjen e çmimeve për artikujt bazë të konsumit. Kështu, në muajin nëntor indeksi i çmimeve arriti 107.2 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (periudha bazë e krahasimit), duke shënuar një rritje të prej 0.2 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor (inflacioni) në muajin nëntor ishte 2.8 për qind, që do të thotë se me këtë nivel janë rritur çmimet e produkteve në vend, kurse një vit më parë ky ndryshim ishte 3 për qind.
Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një rritje prej 0.3 për qind, brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 2.3 për qind vërehet në nëngrupin “sheqer e ëmbëlsira”, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të sheqerit me 6.3 për qind. Grupi “zarzavate përfshirë patatet” shënoi një rritje prej 2.1 për qind. Këtu INSTAT përmend rritjen e çmimit të specave me 39 për qind, patëllxhanëve me 25 për qind, kastravecëve me 12.6 për qind etj., si edhe uljen e çmimeve të sallatës jeshile me 12.2 për qind, spinaqit me 10.3 për qind, lakrës me 6.3 për qind etj. Kurse çmimet e nëngrupit “fruta” shënuan një ulje prej 4.2 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të limonëve me 20.3 për qind, mandarinave me 18.8 për qind, portokajve me 17.9 për qind, mollëve me 4.5 për qind, etj. Gjatë muajit nëntor, çmimet shënuan rritje edhe në nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve ku mund të veçojmë rritjet në nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 1.3 për qind, “qumësht, djathë dhe vezë” me 0.5 për qind, “bukë e drithëra” me 0.4 për qind, etj.
Sa u takon mallrave të luksit ku futen pijet alkoolike dhe duhani, vërehet një ulje e çmimeve të tyre me 0.1 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit shënoi një ulje prej 0.3 për qind. Në janar parashikohet një rritje e këtij artikulli nisur nga fakti se Kuvendi sapo miratoi taksën shtesë me 20 lekë për çdo paketë të shitur.
Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një rritje prej 0.1 për qind, ku mund të veçohet rritja e çmimit të veshjeve për grame 0.6 për qind dhe këpucëve për fëmijë me 0.3 për qind.
Kurse indeksi i grupit “Qira ujë lëndë djegëse dhe energji”, sipas INSTAT shënoi një rritje prej 0.3 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të gazit të lëngshëm me 5.8 për qind. Indeksi i grupi “Transport” nuk ka ndryshuar, por brenda tij çmimet e karburantit shënuan një rritje prej 0.1 për qind.