E Diel, 1 Nëntor 2026

Fitojnë monodramat për dashurinë

Trofeu i Festivalit Ndërkombëtar i Monodramës në Korçë ka shkuar për një aktor bullgar dhe për një aktore ukrainase. Në edicionin e tij të katërt, ky festival, me pjesëmarrjen e dhjetëra aktorëve të huaj e vendas, nën interpretimin vetjak është mbyllur nga aktori bullgar, që duket se ka pasur fatin që edhe pse i fundit në skenë të fitojë çmimin e parë përballë kolegëve të tij artistë. Ndryshe nga edicionet e tjera, juria ka dhënë për këtë festival dy çmime të para. Ato i kanë kaluar përkatësisht aktores ukrainase Maria Grunisheva, si aktorja më e mirë femër dhe aktorit bullgar Stefan Rjadkov, i cili ka sjellë performancën e tij me dramën "11 këngë për dashurinë". Për gjashtë ditë rresht, aktorët e huaj dhe vendas kanë shfaqur interpretimet e tyre për pjesët e përzgjedhura para publikut korçar. Tetë monodrama janë shfaqur jo vetëm në skenë, por edhe në vendet më piktoreske, si në Dardhë, Voskopojë e Pogradec, duke gjallëruar kështu jetën kulturore e artistike. Juria e festivalit, e cila kryesohej nga shkrimtari Teodor Laço, në përbërje të së cilës ka qenë Nebi Islami, profesor në Akademinë e Arteve të Bukura në Prishtinë dhe drejtori e regjisori i Festivalit të Monodramës në Poloni, Vjesllav Geros, i ka akorduar dy çmimet e para pikërisht aktorëve të ardhur nga teatri i Kievit dhe ai i Gabrovos. Festivali është çelur nga fituesja Maria Granisheva me pjesën "Unë të pres i dashur" dhe është mbyllur me një tjetër fitues, Stefan Rjadkov. Në këtë festival ndërkombëtar kanë dalë me performancat e tyre në monodramë aktorë nga Gjermania, Maqedonia, Greqia, Shqipëria, Bullgaria dhe Ukraina.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›