E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fiton ‘Gishti’ i Bashës

Dramaturgja kosovare Doruntina Basha ka fituar çmimin e parë për dramë në konkursin e Hartefakt dhe qendrës Multimedia për tekstin dramatik më të mirë të angazhuar bashkëkohor. Nga Alfred Beka më 18 shtator 2011 në ora 17:51

Doruntina Basha, dramaturge nga Kosova, ka ngadhënjyer në konkursin e Hartefakt dhe Qendrës Multimedia për tekstin dramatik më të mirë të angazhuar bashkëkohor, në të cilin janë paraqitur gjithsejtë 120 tekste dramatike nga pesë vende të rajonit: Serbia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova.

Përmes një kumtesë të jurisë rajonale të konkursit Hartefakt dhe Qendrës Multimedia, bëhet e ditur se çmimi i parë që nënkupton shpërblimin prej gjashtë mijë eurosh dhe produksioni i shfaqjes me financim të Hartefakt fondit dhe Qendrës Multimedia në njërin nga vendet e rajonit, i ndahet dramës ‘Gishti’ (me shifrën Malegria), të dramaturges Doruntina Basha nga Prishtina.

“Juria në përbërje të Selma Spahiq (kryetare e jurisë, regjisore teatri nga Sarajeva), Bilana Srblanoviq (shkrimtare dramash nga Beogradi, aktualisht jeton në Baku) dhe Shkëlzen Maliqi (filozof dhe publicist nga Prishtina), në konkurrencë të ngushtë ka përzgjedhur 32 drama, dhe pas katër cikleve të votimit, e ka marrë vendimin që çmimi i parë t’i jepet dramaturges kosovare Doruntina Basha për dramën ‘Gishti’”, thuhet në kumtesën e dërguar.

Pjesa ‘Gishti’ dallohet për nga potencialet e saj dramatike, nivelin e lartë letrar dhe trajtimin impresiv artistik të një teme të ndjeshme nga jeta bashkëkohore në të cilën të gjithë mund ta gjejmë veten. Pjesa imponon me stilin që i shmanget çdo patetike, me dozën e saktë të humorit dhe ironisë, në trajtimin poetik të pasojave të historisë më të re të rajonit tonë.

Numri impresiv i teksteve të arritura, madje dyfish më shumë se në konkursin e vitit të kaluar, nduarnduarshmëria e tyre tematike dhe stilistike, si dhe niveli i lartë artistik, e kanë detyruar jurinë që të punojë në disa faza.

Juria ka propozuar për botim edhe katër drama tjera si vijon: ‘Ujvarat’ (shifra – Dyzet e nëntë); ‘Gjithçka disi mbijetohet, pos vdekjes’ (shifra ‘Lilili’); ‘Tokë të lehtë paçim’ (shifra ‘Gregori’) dhe ‘Çka’ (shifra ‘Dashuri’)

Sipas jurisë, këto katër tekste, mes veti shumë të ndryshëm, i dallon niveli i lartë artistik, freskia në qasjen formale dhe tematike, potencialet ambicioze teatrore, si dhe guximi dhe ndershmëria intelektuale e autorëve/autoreve të tyre.

Juria, si edhe më parë, i është përmbajtur në mënyrë të përpiktë parimit të anonimitetit, dhe i ka lexuar tekstet në origjinal, si dhe të përkthyer në gjuhën boshnjake, kroate dhe shqipe.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›