Fiton Besëlidhja, Burreli ndal Lushnjën
Objektivi i Lushnjës është që të ngjitet në Kategorinë Superiore, por dje është ndalur në një barazim 0-0 në Burrel. Ky rezultat nuk u ka bërë punë asnjërës prej skuadrave, për sa u takon ambicieve të tyre në renditje. Por më të pakënaqurit janë lushnjarët, edhe pse kanë marrë 1 pikë në një transfertë të vështirë. Loja e fortë e të dyja skuadrave nuk ka arritur të konkludohet dot në asnjë gol, sa për meritë të prapavijës respektive, aq edhe për dobësi të sulmit të të dyja palëve. Krejt ndryshe, në ndeshjen tjetër të së dielës, mes Bilishtit dhe Besëlidhjes, janë shënuar 3 gola, një për vendasit dhe dy për miqtë. Kanë triumfuar lezhjanët në këtë transfertë, duke konsoliduar disi pozitat e veta, jo fort komode në klasifikim. Java e 23 e Kategorisë së Parë mbyllet sot me ndeshjen Partizani-Pogradeci.
#