E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hemilton është protagonist, Fetel del jashtë piste, Masa i 3-ti, Alonso i 4-ti

Spektakël në F.1, por fiton Batën

Kundërpërgjigje akuzave për një Formula 1 të mërzitshme. Pas polemikave të Bahreinit, ja një garë e jashtëzakonshme në Australi me parakalime dhe emocione. Bashkëpunoi edhe shiu, sigurisht, por fituesi i vërtetë dje ishte spektakli. Për kronikë, triumfi në pistë i shkoi Xhenson Batënit me MekLaren. Anglezi ka lënë pas Renaultin e të mahnitshmit Kubika. Një paraqitje e mirë edhe për Ferarrin që ka Masën e Alonson në vendet tre dhe katërt. Ndjekin Rosberg, Hemilton, Liuci, Barrikelo, Veber e Mikael Shumaker. Në nisje mbi pistën e lagur niset mirë Fetel. Alonso ka probleme të mëdha: dhe nga prapa Masa e parakalon atë bashkë me Veberin. Në kthesën e parë Alonso ka problem: mban gazin hapur, Batën po ashtu dhe kontakti është i paevitueshëm. Spanjolli prek gjithashtu edhe Shumakerin, të cilit i dëmton krahun e jashtëm. Gjermani duhet të hyjë në bokse për ta ndërruar. Fituesi tjetër i nisjes është Kubika, që duke përfituar nga incidenti gjendet i katërti. Përfundojnë jashtë për shkak incidenti edhe Kobajashi, i cili humbet krahun dhe u shkon drejt të pafajshëmve, Hulkenberg e Buemi. Por shpejt shiu ka bërë “armëpushim”. Pista është tharë dhe të gjithë hynë në bokse për të vënë gomat e thata. Në xhiron e 7 u fut Batën para të gjithëve. Një lëvizje e rrezikshme? Jo, sepse pas futjes së të tjerëve, anglezi gjen veten i dyti pas Fetelit, një moment-çelës për fitoren e anglezit. Spektakli i madh vjen në xhiron e 16. Veber parakalon Masën, që më pas kalohet edhe nga Hemilton nga pjesa e jashtme. Por të dy kanë probleme. Në fakt, Hemilton sulmon menjëherë australianin, që mban gazin dhe shkon deri në fundore, duke detyruar Hemiltonin të ngadalësojë. Anglezi del jashtë pistës trajektores, në ujë, dhe kështu Masa përfiton e mbetet i pesti, pas Fetel, Batën, Kubika e Rosberg. është momenti i zhgënjimit të madh për publikun lokal, që shikon Veberin të rifutet në pistë, por në vendin e tetë pas Alonsos, i cili ishte në kërkim të pozicioneve më të mira. Një tjetër shou i madh ishte mes xhirove 22-24. Protagonisti absolut është Hemilton, i cili parakalon Masën (duke humbur një pjesë të makinës) dhe i reziston prekjes me brazilianin. Alonso pas tyre është i hutuar, del në lagështirë dhe parakalohet nga Veber. Hemilton vihet në gjuetinë e Rosbergut dhe për surprizë e parakalon mrekullisht pak më vonë. Dhe në xhiron e 26 vjen edhe fatkeqësia: Fetel del jashtë pistës dhe këtu mbaron gjithçka për të. është momenti deciziv i garës. Batën merr kreun, pas tij vjen Kubika i shqetësuar nga Hemilton. Në të 35-ën Hemilton rifutet në bokse dhe riniset pas Batën, Kubikas, Masës e Alonsos. Fundi i garës ishte afër. Mungonte pit-stopi i 4 të parëve. Alonso lajmërohet se ka pas Hemiltonin, por ai përgjigjet që “as nuk dua t’ia di kush është pas). Hemilton ushtron presion mbi ferraristin. Pas anglezit është edhe Veber. Por të dy nxitohen dhe bien në një kurth prej kampioni të Alonsos: përshihen në një incident me njëri-tjetrin. Hemilton tërheq frenat dhe Veber i bie nga pas dhe dalin jashtë pistës. Batën e mbyll garën triumfator.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›