Fiton Partizani dhe shkarkon trajnerin Canaj
Tashmë diferenca midis dy kryesuesve është vetëm tri pikë. Dinamo nuk arrin të fitojë prej tri javësh në kampionat
Dash Frashëri
Partizani me fitoren 1-0 ndaj Dinamos kryesuese jo vetëm që rihapi qartë luftën për titull, tashmë diferenca midis dy kryesuesve është vetëm tri pikë, por mori edhe revanshin ndaj humbjes së fazës së parë me blutë (0-2).
Goli i zgjuar i Gjergji Muzakës në minutën e 21-të (asist i Elis Bakajt) dhe një tjetër i anuluar i Arbër Abilaliajt në minutën e 51-të (pas goditjes së lirë të Elis Bakaj) treguan qartë dominimin gjatë 90 minutave të skuadrës së Hasan Likës. Anulimi i golit nga anësori Arben Pregja ishte shumë i dyshimtë, pasi sulmuesi i Partizanit, Arbër Abilaliaj, nuk ishte as në pozicion jashtë loje dhe as shkaktoi faull në zonë.
“Gabimi njerëzor” i gjyqtarëve provokoi edhe protestën e bankinës së kuqe dhe lojtarëve te anësori Pregja, ndërsa nga tribuna VIP presidenti i Partizanit, Albert Xhani, reagoi i nervozuar me anulimin e golit.
Partizani, i mbështetur edhe nga tifozeria e zjarrtë (dhuroi spektakël me flamurin gjigant, dominoi dhe administroi takimin nga minuta e parë dhe mund të kishte shënuar më shumë se një gol kur i pati të gjitha mundësitë me anësorin e talentuar Elis Bakaj, kur topi i goditur nga lojtari i Kombëtares u ndalua në vijën fatale nga kroati Dario Bodrusiç i Dinamos.
Blutë e Agim Canajt ishin hija e atij ekipi që ka kryesuar me meritë kampionatin, teksa tekniku po vuan shumë largimin në Norvegji të ish-sulmuesit Sabino Plaku.
Në fund të takimit, edhe gati pesë minuta lojë për sulmuesin e Partizanit, Enco Malindi, i rikthyer nga testimet me Slavian e Sofjes.
Partizani vazhdoi pathyeshmërinë e ndeshjeve në shtëpi, tashmë në 11 takime (7 fitore, 4 barazime), ndërsa Dinamo pësoi humbjen e parë në transfertë në 11 ndeshje të luajtura deri tani.
Dinamo, shumë e zbehtë në derbin e dytë radhazi pas atij me Tiranën (0-0), nuk arrin të fitojë prej tri javësh, madje pa gol në 270 minuta.
Kriza në vijën sulmuese të Dinamos është e qartë, ku golashënuesi më i mirë i saj, kroati Pero Pejiç, nuk e gjen golin prej 360 minutash, madje vija e parë blu ka shënuar vetëm dy gola në katër ndeshjet e këtij viti.
Kjo ishte edhe fitorja e 46-të e Partizanit në 128 takime historike me Dinamon, që ka fituar nga ana e saj 37 ndeshje (45 barazime).
Javën e ardhshme, në ditën e fundit të fazës së dytë, Partizanin e pret një tjetër derbi me Tiranën (fazën e parë takimi u mbyll 0-0), ndërsa Dinamo do të përballet me Shkumbinin në Tiranë (faza e parë 0-0), ku do të përcaktohet edhe shorti i fazës së tretë.
Box:
“Pritet” koka e trajnerit
Trajneri më i sigurt në Superligë deri pak orë para fillimit të derbit Partizani-Dinamo tani është një i papunë. Sagës së shkarkimit të trajnerëve të Kategorisë Superiore iu shtua edhe emri i Agim Canajt, i cili u shkarkua nga drejtuesit e Dinamos pas humbjes me Partizanin (1-0) në derbin e së shtunës. Dinamo, që kryeson kampionatin me tri pikë më shumë se Partizani, nuk kishte fituar në tri ndeshjet e fundit, madje nuk kishte arritur të shënonte asnjë gol.
Kronika
PJESA E PARË
1’ Topi i parë luhet nga Partizani.
3’ Mesfushori i avancuar i Partizanit, Elis Bakaj, dha sinjalin e parë.
15’ Pejiç tentoi brenda zonës, por gjuajtja e sulmuesit kroat përfundoi paksa mbi vendin ku bashkohen dy shtyllat.
19’ Gjergji Muzaka goditi nga rreth 40 metra, por silura e mesfushorit të Partizanit u bllokua nga portieri i Dinamos, Elvis Kotori.
21’ 1-0 për Partizanin. Gjergji Muzaka shënoi golin e parë me kokë për Partizanin, pas asistit të Elis Bakajt. Për Muzakën, ky ishte goli i tetë në kampionat. Goli i shtatë që pëson Elvis Kotori.
PJESA E DYTË
Topi i parë luhet nga Dinamo
51’ Elis Bakaj ekzekutoi goditjen e lirë, topi përfundoi në rrjetë, por anësori Pregja sinalizoi gjyqtarin Jareci kur dukej qartë që goli ishte i rregullt. I çuditshëm ky anulim goli.
56’ Zëvendësim Dinamo. Largohet Kuli, hyn Goran Vincetic
63’ Zëvendësim Dinamo. Largohet Pema, hyn argjentinasi Hanush
70’ Zëvendësim Partizani. Largohet Muzaka, hyn Karapici
73’ Zëvendësim Dinamo. Largohet Diop, hyn Ferra
75’ Bakaj humbet një rast të madh, goditi nga shumë afër, por topi u përplas në trupin e një mbrojtësi të Dinamos, Dario Bodrusiçit. Mundësi e mirë për golin e dytë.
87’ Zëvendësim Partizani. Largohet Abilaliaj, hyn Enco Malindi.
91’ Zëvendësim Partizani. Largohet Dhembi, hyn Hasmetaj.
92’ Mbyllet ndeshja. Partizani fiton 1-0.
ATMOSFERA – E gjitha e kuqe. Flamuri gjigant i “demave të kuq” dhe banderola të shumta në karshinë e “Qemal Stafës”: “Forca demat e kuq, ultras Partizani”, “Demi i kuq”, “Partizani, legjenda e futbollit”, por edhe një banderolë në kujtim të djalit të presidentit Xhani: “Skënder Xhani në zemrat e tifozëve”. Edhe tifozët blu kishin rreshtuar një numër të madh banderolash: “Dinamo-1950-Shqipëri”, “Dinamo, shkollë e futbollit shqiptar”, “Forca Dinamo”, por dhe “Elvis Kotori, akrobati” e “Sokol Ishka, xixëllonja”
Kategoria Superiore
Java 21
Partizani-Dinamo 1-0
21’ Gjergji Muzaka
Besëlidhja-Besa 2-2
56’ Toma, Petreski 89’/ 39’ Alikaj, 67’ Shaqiri
Kastrioti-Flamurtari 0-1
31’ Denis Mema
Vllaznia-Skënderbeu 2-0
45+1’ Delain(kokë), 90’Jusufi
Të premten
Teuta-Tirana 0-0
Shkumbini-Elbasani 1-0
4’ Dabulla
Gjyla e nis me pikë debutimin
Ilir Gjyla mori një pikë të vlefshme ndaj Besës në debutimin e tij si trajner i Besëlidhjes në takimin Besëlidhja-Besa (2-2), edhe pse lezhjanët luajtën për shumë minuta me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq (dy të verdha) të Ivanajt. Dy herë kaloi në avantazh skuadra e Sulejman Starovës dhe në të dy rastet Besëlidhja gjeti forcë për të barazpeshuar golat. Enkel Alikaj realizoi në minutën e 39-të për Besën. Bernard Toma barazoi 1-1 në të 56’. Shqiptari nga Maqedonia, 34-vjeçari me përvojë të madhe ndërkombërtare Artim Shaqiri, shënoi golin e avantazhit të dytë në minutën e 67’, por maqedonasi Goce Petrevski i dhuroi pikën e çmuar trajnerit Gjyla në minutën e fundit të takimit, në të 90’. Ky ishte edhe barazimi i 13-të në 40 takime të zhvilluara midis dy ekipeve (9 fitore Besëlidhja, 18 fitore Besa). Në javën e fundit të fazës së dytë, Besëlidhja do të përballet me Elbasanin në “Ruzhdi Bizhuta” (faza e parë 1-0 për Elbasanin), ndërsa Besa pret në shtëpi Vllazninë (faza e parë 1-1).
Box:
Vllaznia, befasisht e treta
Dy gola në limitet e fundit të çdo pjese, i pari i realizuar nga kongolezi Sasha Delain në minutën e 45’+1 dhe i dyti nga kosovari Alban Jusufi në të 90’+1, i dhanë një fitore 2-0 jo fort të lehtë Vllaznisë së Mirel Josës edhe pse përballë kishte një kundërshtar shumë modest dhe pa asnjë motiv si Skënderbeu i vendit të fundit. Skuadra korçare pësoi humbjen e 17-të në 21 javë kampionat, ndërkohë që Vllaznia befasisht ndodhet në vendin e tretë, me 35 pikë, katër më pak se Partizani i vendit të dytë.
Vllaznia e dominoi takimin, por ishte shumë e paqartë përpara portës së mbrojtur nga Llapanji. Kjo ishte fitorja e 60-të e Vllaznisë në 109 ndeshje me Skënderbeun. Javën tjetër, Vllaznia do të përballet me Besën në Kavajë (1-1 faza e parë), ndërsa Skënderbeu pret në shtëpi Kastriotin me të cilin humbi fazën e parë 1-0.
Flamurtari del nga play-out
Flamurtari arriti një fitore të çmuar 1-0 me Kastriotin në fushën asnjanjëse “Selman Stërmasi” në kryeqytet. Golin e vetëm të takimit e realizoi sulmuesi korçar i vlonjatëve, Denis Mema, në minutën e 31-të. Tani diferenca midis dy ekipeve që luftojnë për të dalë nga zona play-out është pesë pikë në favor të Flamurtarit: 28:23. Kjo ishte fitorja e pestë e vlonjatëve në 14 ndeshje me Kastriotin ( 6 fitore). Në javën e ardhshme, Kastrioti do të luajë kundër Skënderbeut në Korçë (në fazën e parë fitoi 1-0), ndërsa Flamurtari pret Teutën në Vlorë (faza e parë humbi 3-2 me durrsakët).
Bylis, “nafta” e para
Bylis rimori kreun e kampionatit të Kategorisë së Parë, tashmë me një pikë më shumë se Lushnja, falë fitores 1-0 në transfertë me Naftëtarin në Kuçovë. Golin e vetëm të takimit e realizoi Klevis Roshi në minutën e 50-të. Edhe Apolonia fitoi 1-0 me Erzenin në Shijak (gol i Dhramit) dhe u barazua me pikë me Lushnjën e vendit të dytë (me nga 41 pikë). Tomori fitoi në shtëpi 1-0 me Turbinën e Cërrikut, duke u ngjitur në vendin e 15-të nga 18 ekipe që ka Kategoria e Parë. Në derbin Bilisht Sport-Pogradeci fitoi 1-0 skuadra bilishtare. Fitore minimale 1-0 arriti edhe Luftëtari me Skraparin në Gjirokastër. Golin e realizoi Nertil Stoja (23’). Të premten Laçi fitoi me Dajtin 1-0 (Mustafaraj 69’), Gramshi humbi në shtëpi me Lushnjën 0-3 ( Elezi 33’ Sefa 58’ Bubeqi 87’). Burreli arriti një fitore të çmuar 1-0 në transfertë me Sopotin e Librazhdit me golin e Çelës (65’). ADA arriti edhe fitoren më të bujshme në javën e 20-të të kategorisë inferiore, duke mundur 6-0 Tepelenën: Galica 5’, 31’, Hasani 35’, Tafili 38’, Lini 40’, Nimani 61’.
KATEGORIA E PARË
JAVA 20
Të shtunën
Bilishti-Pogradeci 1-0
Naftëtari-Bylis 0-1
Tomori-Turbina 1-0
Luftëtari-Skrapari 3-0
Erzeni-Apolonia 0-1
Të premten
Laçi-Dajti 1-0
Gramshi-Lushnja 0-3
Sopoti-Burreli 0-1
Ada-Tepelena 6-0
25 Shkurt 2008