Fondacionet, Lihtenshtajni në konflikt me Gjermaninë
Pasanikët gjermanë hedhin paratë në mënyrë anonime në fondacionet e Lihenshtajnit. 20 miliardë franga në vit depozitohen në fondacionet e shtetit “liliput”
Pas konfliktit verbal mes Lihtenshtajnit, shtetit liliput me 35 mijë banorë dhe Gjermanisë me 82 milionë, të dyja palët po përpiqen të ulin gjakrat. Gjermania është mjaft e indinjuar që disa gjermanë të pasur, për t’iu shmangur detyrimeve fiskale, i depozitojnë pasuritë e tyre në mënyrë anonime në fondacionet e Lihtenshtajnit. Diferencat mes të dyja vendeve nuk mundën madje të eliminoheshin as gjatë vizitës që zhvilloi në Gjermani kryeministri i Lihtenshtajnit, Otmar Hasler dhe bisedimeve me kancelaren Angela Merkel. Ajo kërkoi nënshkrimin e shpejtë të një marrëveshjeje me BE-në për luftimin e korrupsionit, paralajmëroi vënien e shpejtë në jetë të direktivave të BE-së për larjen e parave dhe mbështetjen e përpjekjeve të OSBE-së për reduktimin e konkurrencës së dëmshme dhe të pandershme fiskale. Në lidhje me të drejtën për krijimin e fondacioneve dhe ligjin për donacionet, Merkel kërkoi që si shembull të merret marrëveshja ndërmjet SHBA-ve dhe Lihtenshtajnit. Me anë të saj mund të krijohet më shumë transparencë përmes taksimit të fondacioneve. Hasler theksoi se Parlamenti i Lihtenshtajnit po punon ndërkohë për reformimin e ligjit për fondacionet. Ai theksoi edhe se fjala është për një institut më shumë se 80-vjeçar. Në këtë kuadër nuk është legjitime që e drejta për krijimin e fondacioneve të barazohet me mospagimin e taksave. Me gjithë sulmet verbale nga Gjermania, principata nuk mendon ta ndryshojë rrënjësisht ligjin për donacionet. Ministri i Drejtësisë së Lihtenshtajnit, Klaus Çyçer (Klaus Tschütscher), thotë: "Për ne nuk ka shkak që të ndryshojmë ndonjë gjë në modelin ekzistues. Por është e qartë se do të krijojmë qartësi se kush është donator. Është e qartë se donator është ai që do të krijojë një fondacion. Prandaj ne nuk jemi dakord që në të ardhmen të mos jetë i mundur krijimi i një institucioni donator mirëbesimi”. Lihtenshtajni nuk mendon që t’u shkojë pas dëshirave gjermane, sepse sipas ministrit, për mëkatarin gjerman të tatimeve nuk ka ndonjë ndryshim nëse i investon paratë në një makinë të re, apo në një fondacion në Lihtenshtajn. "Ai blen një, “Porshe”, “Mercedes” apo “BMW”. Kam harruar ndonjë model gjerman? Askujt nuk i bie ndër mend që t’u thotë sipërmarrësve gjermanë që këto modele nuk duhet t´i prodhoni më. Nxirreni këtë produkt nga tregu. Por Gjermania thotë: “Të dashur lihtenshtajnas, ju keni një produkt, nxirreni nga tregu, sepse një gjerman, i cili ka para që do t’i shpëtojë prej taksave, i depoziton te ju. Kjo është një teori absurde”. Edhe pse nga këndvështrimi i Lihtenshtajnit ruajtja e ligjit të deritanishëm për fondacionet është vetëm se konsekuente, ministri i Drejtësisë i Lihtenshtajnit është dakord për një paqartësi. Në Lihtenshtajn ka ndërkohë më shumë fondacione sesa banorë. Sasia e depozitimeve brenda dhjetë viteve është shumëfishuar nga 400 milionë franga në rreth 20 miliardë. Dhe mirëqenia e këtij vendi të vogël nuk bazohet krejtësisht, por sidoqoftë, në një pjesë të madhe edhe në ligjin jo të zakonshëm për fondacionet.
(D. W)
25 Shkurt 2008