Lorik Cana, i përjetshëm si Maldini
Lorik Cana te Olimpiku i Marsejës si Paolo Maldini te Milani. Krahasimi i takon prestigjiozes franceze “L’Equipe”. Klubi marsejez i ka ofruar kapitenit të tij, shqiptarit Lorik Cana, një kontratë të përjetshme. Rrëfimi i mesfushorit dhe lojtarit polivalent është bërë në faqet e gazetës më të madhe sportive franceze “L’Equipe”, e cila i kushtoi një faqe të tërë Canës.
“A do të jetë Cana si Maldini te Milani?”, - është pyetja e gazetares. “Po, gjithçka është e mundur, drejtuesit më kanë folur për këtë. Ata e ndiejnë që tifozët janë pro kësaj ideje dhe unë personalisht nuk jam kundër. Jam i lidhur me një kontratë afatgjatë dhe unë nga ana tjetër nuk mendoj të largohem shpejt, por dua të shoh edhe në çfarë kushtesh do të evoluojë klubi.
Unë kam dëshirë të bëhem pjesë e një projekti, por të jetë serioz, ambicioz, i bazuar në kompetencë dhe ndërtimin e një klubi të madh”, - thotë Cana në intervistën shumë të gjatë të tij. Loriku nuk harron edhe të kujtojë diçka: “Nëse klubi nuk do të ketë një projekt të tillë, do të jetë e natyrshme që unë t’i them stop qëndrimit të mëtejshëm”. Për Lorik Canën janë të interesuara disa nga skuadrat më të mëdha europiane, përfshirë Arsenalin, Bajernin, Milanin e së fundi edhe Romën.
LALA- Hanoveri i Altin Lalës humbi të premten në mbrëmje 2-1 me Bokumin. Hanvor 96 ende nuk ka fituar një ndeshje gjatë vitit 2008. Kapiteni i Kombëtares shqiptare nuk ishte as në bankinë.
KAPLLANI- Karlsruhe e Edmond Kapllanit pësoi një humbje të hidhur 2-0 me kampionin në shtëpinë e kampionit në fuqi të Bundesligës, Shtutgardit. Sulmuesi durrsak u aktivizua në minutën e 72-të.
SKELA – Energi Kotbus do të përballet të dielën në transfertë me Nuremburgun, por regjisori i mesfushës, Ervin Skela (probleme me gjurin), do të mungojë për formacionin e Bojan Prasnikarit.
VATA - Mesfushori sulmues Fatmir Vata (2 gola, 3 asistë) nuk do të luajë në ndeshjen Tus Koblenz-Kaisersalutern (Bundesliga 2) për shkak të plotësimit të pesë kartonëve të verdhë.
BOGDANI- Sulmuesi shqiptar i Livornos, Erion Bogdani, sipas mediave italiane do të jetë në bankinë në takimin e Serisë A, Livorno-Napoli. Bogdani ka shënuar vetëm një gol këtë sezon.
25 Shkurt 2008