E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Hallelulja!” – risi në poezinë tonë moderne

- Rreth vëllimit të ri poetik të Petraq Ristos -
Qazim D. Shehu

Poeti i mirënjohur Petraq Risto vjen para lexuesit me librin më të ri “Hallelulja!”, libër që të bën të mendohesh, ngaqë zotëron magjinë e leximit në disa nivele të tekstit poetik. Risto është poet i vërshimit të vargut, në një palosje e shpalosje figurash, ku dallon më së miri metafora, paradoksi dhe grotesku. Si e tillë, poezia e tij mbetet përherë konceptuale, që në morinë e figurave sjell e risjell gjithnjë ndjesi të ngrohta, përjetime vetanake, shqetësime intelektuale e, patjetër, meditime për ekzistencën e gjërave që lidhen, drejtpërdrejt ose jodrejtpërdrejt, me njeriun.

“Kur flas për të tjerët: rri mënjëanë me ndjesinë e të urtit
të tjerët thonë ngjaj me drurin që pranon blatim për tabutin.
Eci me dritën e një të vdekuri me vete.

Jam pylli që strehova poetin e vdekur me Shekspirin në dorë.”

(Mbylla sytë e një të vdekuri, fq.21)

I pakufizuar tematikisht, gjithnjë në organizimin e fjalës së bukur në kontekste të gjëra, Risto si poet merr dhe rimerr motive nga vetja e bota, nga bota e kozmosit, duke i dhënë poezisë një frymëmarrje të shtrirë, hapsinore. Duke mos qenë rob i një rrethi të ngushtë temash e motivesh, hetohet se ai kërkon të verë unin e tij në një plan global, duke të befasuar me gjetje interesante.
Çfarë e përbën ndjeshmërinë e individit të sotëm të prirur nga moderniteti, kur janë rrëzuar tabutë e vjetra dhe shikimi ecën gjithnjë drejt përftimit të botërave të reja, drejt lirisë universale dhe njëkohsisht dehjes nga kjo liri? Kur në botën tonë të vogël zmadhohet pandalshëm horizonti i përftimeve të reja... Duke qenë poet i vokacionit të gjerë, Risto në poezinë e tij shpërfaq një unë të theksuar të këtij individi. I shquar për tituj interesantë, vetjakë, të pangjashëm, krejt origjinalë, (kujtojmë titujt e disa librave të mëparshëm poetik si “Mollë zhvirgjëruar nga rrufetë”, “ Lojë shahu në shekullin XXI”, “ Mënd+ afsh”, “Engjëlli me virus H5N1”, edhe libri në fjalë ka një titull origjinal, krijuar si kompozitë drithëruese: Halle-lulja. Vetëm një fjalë dhe përmbledh në vetvete brishtësinë e botës me ashpërsinë, të cilat ballafaqohen në çastet e përditshme të jetës së njeriut, në shpërfaqjet e botës së përditshme, ku herë triumfon njera e herë tjetra, gjithnjë në pararendje të mendimit për ta bërë këtë jetë më të bukur, më të mirë.
Poezia e Ristos, dallohet për kapërcimin e kufirit të fjalëve. Në të menjëherë, gati në ngutje, qarkullojnë fjalët nga mitologjia e jeta e zakonshme, nga bota e sotme moderne, pa përjashtuar dhe atë amerikane e, gjithashtu, nga tradita. Ky kapërcim bëhet i ndërdijshëm, aspak lodhës, sepse kjo poezi kërkon vëmendje për ta lexuar. Poezia e Ristos evokuon, sjell, risjell përmes imazheve fluide e të qëndrueshme ndjesi, mendime, gjë që e dallon poezinë moderne. Poezia e Ristos dallohet për vargun sintezë, të eksploruar prej ndjesive të holla e mendimit të thellë. Duke e lexuar këtë poezi ke dëshirë ti shoqërosh imazhet me paralelen e tyre të ecjes, pasi vjen një moment kur ato përzihen me njera-tjetrën, veçanërisht në mbylljet e poezive kur të krijojnë vorbullimën e shokimit mbyllës.
Një nga tiparet e kësaj poezie është aspekti enumerativ brenda konceptit ideoestetik të poezisë. Në këtë kuptim, poezia bëhet bartëse e dendësisë së mendimeve përmes imazheve asociativë, të cilat ngulmojnë në zgjerimet e kuptimeve gjatë rrjedhës së fjalës. Kjo do të thotë se poeti i jep lexuesit një informacion poetik mbi motivin e shtjelluar, nuk e lë të kalojë lehtë poezinë e të mos e rilexojë. Ngulmimi i vazhdueshëm i poetit në kërkim të zbulimeve të reja të tipareve të sendeve dhe të ndjenjës që i rrethon ato, e ka bërë këtë aspekt enumerativ të këndshëm.
Këtë mendim e ilustroj me poezinë e gjatë “Shtibleje universale” me katër nëntituj, (fq. 114), e cila sjellë një denduri kaq të madhe zbulimesh për jetën tonë, mendësinë, konfliktualitetin, abuzivitetin dhe përballimin ekzistencial; me të drejtë mund ta quaja këtë një baladë moderne ku interferencat subjektive e objektive shkrihen, përqasen, ngatërrohen e ftillohen përmes një vërtitje të absurdit në mënyrë vertikale. Përmes rreshtimit enumerativ, ky mikrocikël shpalos dramën e thellë të njeriut në botën e sotme, të absurdit shqiptar, ku ruajtja e vetes nga infektimet e shoqërisë në lëvizje të gabuara, bëhet gati e pamundur. Kjo veçori e poezisë së tij - veçori e lakmueshme - që përqendrohet te agresioni i fuqisë poetike të mendimit, duke ruajtur ndjenjën si përftesë mendimore,- më bën të mendoj se ndjenja në poezinë e Petraq Ristos, është luksoze, një ndjenjë reflektuese.

“Njohu zakonin e lashtë të bletëve: nuk kullosin në lulet natyrale të varreve
ngaqë mjalti i varreve është i hidhur.”

( Sheherazade: 1001 netë pas 11 shtatorit 2001 - Ushtari i ri nga Bermuda. Fq. 70)

Poeti ka ditur të ruajë raportin delikat midis enumeracionit dhe koncizitetit. Ruajtja e këtij raporti ka sjellë harmoninë strukturore të poezisë, largimin me kujdes nga fjalët e tepërta.
Mençuria poetike, si sjellje drejt refleksionit intelektualist, e bën poezinë e Petraqit të veçantë, aq sa shume sentenca poetike të mbeten në mendje. Mund të përmendim disa: “0 - diell kallp provohet në dhëmbin zhgënjyes të 1-shit”, “Lotët janë të barabartë, dashuria ime, po avullojnë shumë shpejt si gjithë të barabartët”, “Kur robotët do fillojnë të qajnë ne do ndjehemi të mundur”, etj. etj. Sentenca poetike është padyshim mençuri, por kur ajo ngërthehet me origjinalitet dhe zbulon të vërteta njerëzore, sjell një dramacitet për njeriun. Siç thotë shkrimtari dhe studiuesi Luan Rama, në poezinë e Ristos “fjala me ngjyrën, poezia me pikturën, ngjizen aq shumë, sa bëjnë një festë të madhe pranverore”. Risto është poet i ngjyrës së detit, i Durrësit të tij, i pikturimit të vendlindjes, ku instikti i kujtesës thërret të gjallë e të vdekur, ku pikturohet në largësi kohore shtëpia e vjetër, Hëna e fëmijërisë, por është edhe poeti që pikturon udhëtimet, krahët e avionëve, që presin qiejt në metropolet e botës, Londër, Nju Jork e Paris. Kështu, motivi udhëtues, jo si ditar, por si refleksion, bëhet tipar i poezisë së tij. Është poeti që ndodhet brenda tij e që e shpërfaq atë me një djesi të ngrohtë. Në këtë “ jerm kozmik ku pi Hënën si aspirinë”,poeti e ndjen se rëndesa ndodhet pikërisht në Atdhe. “Në qiellin e Dublinit drita zgjohet / Mbi Londër drita lanë sytë,/ në Paris si tablo gjeniu ekspozohet / në Budapest shfaq kënaqësitë/ veç në Tiranë drita bëhet me shpirt” (“Drita në fluturim, fq. 185).
Interesante e mbresëlënëse janë poezitë “Fishkezjarret në New York më 4 korrik”, “Minjtë në Manhattan”, “Zgalemat në Manhattan Beach”, “New York” (fq. 101-105). Me pak detaje të shpejta ai pikturon botën amerikane, ku nuk harron të japë peizazhin dhe identitetin e saj modern.
Një nga veçoritë e poezisë së Ristos është loja me fjalën; këtu është ndër poetët tanë të paktë që ka aftësinë dhe intuitën që, përmes kombinimeve tingullore të fjalëve në shqip, të zbërthej një imazh, një përqasje ideore. Shembull: poezia “Marti- Ah-tis-ari” (fq. 174), poezia “Këndezi” (“Kë- ndezi…? Yjet…”). Me fjalën kafe krijon dhe luan me fjalëm skafe, duke arritur në “pimë kafe në skafe, s’ka fe në skafe”(fq. 153).
Gjykuar në strukturimin e librit, në natyrën e poezive të ndryshme, titujt e poezive, organizimin e vargut, etj. duhet thënë se poeti Petraq Risto është në kërkim të përhershëm dhe poezitë janë organizma të pangjashme nga njëri libër në tjetrin, nga njeri cikël në tjetrin. Kjo e bën atë të jetë një poet me thyerje të vazhdueshme të dritës dhe hijes, ku vendosja e kontrastit, paradoksit, groteskut në dendurinë e ideve, ka sjellë për pasojë edhe natyrën e vargut të tij herë të shtrirë e herë konçiz, herë të organizuar e herë krejt të lirë, me një asimetri të pranueshme. Petraq Risto u jep natyrshmëri poetike shumë fjalëve, të cilat për një tjetër është shumë e vështirë të hyjnë në poezi. Poezia është krahëhapur për çdo fjalë të jetës, edhe për fjalët më prozaike, por kur ato vijnë si përftesa të konteksteve dhe shtresimeve ideore të fuqishme.
Vëllimi poetik “Hallelulja!” është ndër vëllimet poetike më të mira botuar në vitet e fundit, një nivel më i ngritur në poezinë e autorit, duke treguar modernitetin e vargut, frymën e trajtimeve origjinale të motiveve.
Poet i intensitetit të ndjenjës, i vërshimit të imazheve, pa harruar kujdesin e kursimit për të mos arritur në tepri, Petraq Risto tashmë e ka profilizuar stilin e vet të të thënit, është zë imponues në poezinë e sotme shqipe, gjë e rëndësishme kjo për një poet, që vjen me një regjistër të vetin, modern dhe i kuptueshëm, abstrakt dhe i qartë, me vokacion të fortë.
Në ripërsëritje të ndonjë mendimi, të shprehur edhe nga studiues e poetë të tjerë për vëllimet të tjera të Ristos, do të veçoja se vëllimi më i ri i poetit, qendron dinjitoz në vlerën e poezisë më të mirë shqipe, madje edhe në pararojë për origjinalitetin e spikatur që ka.

23 dhjetor 2007

25 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›