E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fiton partia që ka 1 ose 2 mandate më shumë”

30/06/2009  Vlerësimet e kreut të PD-së Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Kryeministri Sali Berisha, ka lënë të kuptohet qartazi se pushtetin pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit do ta marrë ajo forcë politike që do të arrijë të marrë vetëm një ose dy mandate më shumë se pragu i domosdoshëm për të formuar mazhorancën qeverisëse. Lideri i demokratëve në konferencën për shtyp të mbajtur në selinë blu rreth orës 23:00 tha se deri në atë çast forca politike që drejton është në epërsi. “Po të jetë për rezultatin, të gjitha të dhënat flasin se janë 72 mandate, por unë nuk marr përsipër të komentoj të dhënat që ndryshojnë çdo orë”, - deklaroi Berisha. Megjithatë, ai nënvizoi faktin se të gjithë duhet të mësohen të presin deri në votën e fundit që do të numërohet. I pyetur në lidhje me ndonjë mundësi të bllokimit të procesit të numërimit të votave, atëherë kur do të mbeten shumë pak kuti votimi për t’u numëruar, Berisha e mohoi kategorikisht këtë gjë. Të paktën në mënyrë absolute nga Partia Demokratike dhe komisionerët e saj. “As nuk do të ketë dhe kam besim të plotë se ata që po i numërojnë janë qytetarë të ndërgjegjshëm për detyrën shumë të rëndësishme që kanë, detyrimin ligjor dhe nuk shoh asnjë lloj arsye që dikush të bllokojë këtu apo aty procesin. Një herë nga forca ime politike në mënyrë kategorike jo”, - deklaroi kreu i PD-së. Por Berisha tha se i vetmi problem në këtë aspekt mbeten përpjekjet nga ana e kundërshtarëve të tij politikë në këtë drejtim. “I vetmi problem është që ato mundohen, mundohen dhe kjo ka qenë një llogaritje”, - tha ai. Kryetari i PD-së tha se ende nuk janë numëruar rreth gjysma e qendrave të votimit. Duke u ndalur në të gjithë procesin zgjedhor, Berisha e konsideroi atë shumë të mbarë. Ai nënvizoi se zgjedhje me këto standarde nuk janë zhvilluar asnjëherë në Shqipëri. Duke u ndalur te raporti paraprak i vëzhguesve ndërkombëtarë të bërë publik mesditën e djeshme, Berisha tha se në përgjithësi ishte pozitiv. Por ai deklaroi se do të presë raportin përfundimtar, i cili do të përfshijë të gjithë procesin, përfshirë ditën e zgjedhjeve, procesin e numërimit të votave si dhe procesin e ankimimit nga partitë politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›