E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlore, bllokohet numerimi në KZAZ nr 61. Reagojne PS e PD

Përfaqësuesit socialistë dhe të PD-së kanë reaguar në lidhje me procesin e numërimit në KZAZ-në numër 61 të Vlorës që vazhdon të jetë i bllokuar . Gjika i PS: Për pavlefshmërinë e kutisë vendos KZAZ, jo numëruesi. Reagon Kollozi: Procesi i numërimit ka përfunduar. BALKANWEB.TV: Vlore, bllokohet numerimi në KZAZ nr 61. Reagojne PS e PD VLORE-Sekretari i Përgjithshëm i PS-së në Vlorë Shpëtim Gjika dhe kandidati për deputet i PD-së Ardian Kollozi kanë reaguar për bllokimin e procesit të numërimit në KZAZ nr 61 që është vendosur në Pallatin e Sportit të qytetit.

Procesi është ndërprerë rreth orës 09: 15 të ditës së sotme, kur kishin mbetur ende pa u numëruar edhe 6 kuti votimi.Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së Shpëtim Gjika caktimi si të pavlefshme e 6 kutive të votimit është bërë nga komisionerët e PD-së me urdhër nga lart nga dëshpërimi i humbjes.

“Drejtues të PD-së të dëshpëruar nga humbja, pasi në KZAZ –në nr 61 nuk kanë marrë asnjë votë kanë marrë urdhër për të bojkotuar apo bllokuar procesin e numërimit. Është kompetencë e KZAZ që të vendosë nëse duhet apo nuk duhet të hapet. Kjo nuk është as në dëshirën e Kollozit dhe as të Gjikës. Në kutinë e votimit numëruesi ka gjetur se përvec firmës së kryertarit e nënkryerarit ka dhe një firmë tjetër dhe për këtë numëruesi ka vendosur të shpallë kutinë të pavlefshme.
Kjo është antiligjore. Numruesi nuk vendos, ai numëron”- tha socialisti njëkohësisht kryetar i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika.

Për kandidatin demokrat për deputet Ardian Kollozi procesi ka përfunduar dhe kutitë janë shpallur të pavlefshme “Procesverbali për të shpallur këto kuti të pavlefshme është firmosur nga të gjithë anëtarët e KZAZ, pasi diku kishte fletë tepër, diku asnjë fletë votimi me numrat e kartave parregullsi që Kodi i përjashton. Për ne procesi ka përfunduar”.

Nga rezultatet paraprake në orën 12.03 PS kryeson me 44.07% të votave kundrejt PD që ka 28.29 %. Forcë e tretë është PBDNJ me 5.78 % dhe PDI 4.59 %. Nga 12 mandatet që do të dalin nga ky qark deri tani PS ka 6 mandate, PD 4 mandate, 1 PDI dhe 1 PBDNJ.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›