Mediat e huaja: Berisha merr mandat të dytë
Kryeministri aktual i Shqipërisë Sali Berisha duket se do të marrë një mandat të dytë qeverisës, kështu shkruajnë të përditshmet britanike “The Guardian” dhe “Earthtimes” në artikullin e tyre për zgjedhjet parlamentare në vendin tonë. Po kështu, edhe rrjetet prestigjoze Euronwes dhe Reuters, thonë se kryeministri aktual i Shqipërisë do të mbajë postin e kreut të qeverisë, në një kohë që Shqipëria kalon testin e zgjedhjeve demokratike. Mediat e huaja i referohen tre sondazheve të fundit, Gani Bobi në Klan, Zogbi në Top Chanel dhe IPR Marketing në Ora News. Ndërsa priten rezultatet paraprake zyrtare, mediat vlerësojnë ecurinë e procesit zgjedhor duke theksuar se nuk janë shënuar incidente apo parregullsi, ndërsa vetë zgjedhjet konsiderohen si testi i rëndësishëm për integrimin europian të Shqipërisë. Zgjedhjet në fakt janë monitoruar si nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat i shohin ato si një barometër të maturisë politike të Shqipërisë. Po kështu, këto zgjedhje parlamentare vazhdojnë të ndiqen nga afër edhe nga mediat në Kosovë e Maqedoni. Duke cituar rezultatet e 3 sondazheve në Shqipëri, mediat në Kosovë si Kosova Press, RTK, shkruajnë se Partia Demokratike është dukshëm në avantazh kundrejt Partisë Socialiste. Po kështu, edhe në Maqedoni, Televizioni A1 thotë se procesi zgjedhor në Shqipëri kaloi qetë dhe sipas modelit europian.