Itali: Kur politika abuzon me lirinë e shtypit dhe të shprehjes
Parimi i pluralizmit përfaqëson të drejtën e informimit dhe të zgjedhjes së informacionit, e cila garantohet me Kushtetutë. Duke iu referuar lidhjes së ngushtë që ekziston midis pluralizmit të informacionit dhe demokracisë, liria e shprehjes në një botë të qytetëruar është themelore dhe mbrohet me ligj. Asaj i janë kushtuar edhe dy nene të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të vitit 1948. Liria e shprehjes është e sanksionuar edhe në nenin 10 të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore. Shkelja e Nenit 10 të Konventës u jep të drejtë qytetarëve për të apeluar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut kundër një shteti përkatës, për t’u dëmshpërblyer edhe moralisht, në qoftë se janë shterur të gjitha mjetet juridike të mundshme.
Kështu në Itali ekziston neni 21 i Kushtetutës italiane ku thuhet se: “Të gjithë kanë të drejtë të shprehin lirshëm mendimet e tyre me fjalë, me shkrim ose çdo mjet tjetër të komunikimit. Shtypi nuk mund t’u nënshtrohet autorizimeve ose censurave”.
Gjykata Kushtetuese italiane me vendimin nr. 420/1994, deklaroi se: “është e nevojshme garantimi maksimal i pluralizmit të jashtëm, me qëllim përmbushjen nëpërmjet një pluraliteti zërash konkurrues, të së drejtës së qytetarëve për informacion”.
Dekreti legjislativ nr. 259 i vitit 2003 mbi komunikacionet elektronike duhet të garantojë pluralizmin, liritë, objektivitetin dhe korrektësinë në transmetimet radiotelevizive publike dhe private. Pra, me pak fjalë këto nene dhe ligje duhet të garantojnë administrimin e telekomunikacionit publik të pavarur dhe autonom. Pohimi i lirisë kundrejt pushtetit ka pasur si armë kryesore pikërisht mjetet e komunikimit që qytetari të fitojë pozitivisht dhe ligjërisht të drejtat dhe liritë si: lirinë e shprehjes së mendimit, lirinë e shtypit, lirinë e informacionit etj.
Po a ndodh vërtet kështu në realitet? A garantohet manifestimi i lirive dhe të drejtave publike që mjetet e komunikimit duhet të ofrojnë? Duke marrë shtysë nga një sërë ngjarjesh që kanë ndodhur në Itali kohët e fundit, mund të themi se de facto nuk ndodh kështu. Ajo që po ndodh në vitet e fundit në Itali po prek surrealen. Ka shumë për të thënë e për të shtuar që të përshkruhet sado pak gjendja e degradimit të institucioneve demokratike në Itali, por në mënyrë të veçantë le të përqendrohemi në ngjarjen e fundit që ka të bëjë me pezullimin e emisioneve “AnnoZero” të drejtuar nga Michele Santoro në kanalin “RaiDue” dhe “Ballarò” të drejtuar nga Giovanni Floris në kanalin “RaiTre”.
Berluskoni nën hetimNë datë 12 mars 2010, gazeta “Il Fatto Quotidiano” (Fakti i përditshëm) – që është një gazetë e pavarur dhe që ka refuzuar financimet publike mbi editorinë – do të shkruante në faqen e parë: “Silvio Berluskoni, Augusto Minzolini – drejtori i rubrikës së lajmeve të ‘Rai1’, dhe Giancarlo Innocenzi – komisari i Autoritetit për Garancitë mbi Komunikimin (AGCom-Autorità per le Garanzie nelle Comunicazioni) janë nën hetim në procedurat e hapura nga Prokuroria e Trani-t e udhëhequr nga prokurori Michele Ruggiero”.
Konkretisht, sipas akuzës rezulton që Berluskoni të jetë nën hetim për mashtrim e kërcënim të një trupi politik administrativ ose juridik (nenet 317 dhe 338 të Kodit Penal). Krime këto të kryera në dëm të Institutit Garantues të Komunikacioneve, ndaj të cilit ka ushtruar presion për mbylljen urgjente të emisionit “AnnoZero”. Presione këto që Giancarlo Innocenzi ka mohuar që të jenë kryer ndaj tij, por që faktikisht janë bëre ashtu si rezulton edhe nga përgjimet telefonike të bisedave midis Kryeministrit dhe Komisarit të AGCom. Për këtë arsye, ky i fundit akuzohet për favorizim. Ndërsa Augusto Minzolini hetohet për shkelje dhe nxjerrjen e fshehtësisë hetimore.
Sipas gazetës së pavarur “Il Fatto quotidiano”, gjatë hetimit janë përgjuar telefonata që dëshmojnë presionet dhe ndërhyrjet e Kryeministrit italian Berluskoni kundër emisionit “AnnoZero” të Michele Santoro. Hetimet janë kryer nga Garda e Financës dhe gjykatësit e prokurorisë nuk kanë dashur të bëjnë asnjë koment në lidhje me hetimet. Në përgjimet telefonike, që datojnë katër muaj më parë e që si fillim kishin të bënin me hetimet në lidhje me kartat e kreditit dhe fajdetë, lexohet nëpër dosje emri i Berluskonit, i Giancarlo Innocenzi dhe Augusto Minzolini. Të gjithë, sipas gazetës, diskutojnë në lidhje me TV publike “Rai” dhe emisionet e saj. “Prokuroria, shkruan gazeta, dëgjon presionet dhe ankesat e Kryeministrit për emisionin ‘AnnoZero’ i drejtuar Giancarlo Innocenzi-t, duke e ftuar në mënyrë shumë të qartë që të mbyllë programin”. Në një nga këto telefonata, Kryeministri ankohet për prezencën e drejtorit të gazetës “La Repubblica”, Ezio Mauro, dhe të themeluesit të saj, Eugenio Scalfari, në një tjetër emision që ai urren, “Parla Con Me” të drejtuar nga Serena Dandini. Innocenzi nga ana e tij e siguron vazhdimisht Kryeministrin se ka për ta ‘zgjidhur’ problemin, duke u treguar i gatshëm për të mobilizuar disa nga zyrtarët e tij si konsulentë në këtë çështje. Konkretisht, institucionit të Autoritetit për Garancitë mbi Komunikimin, që ka si detyrë mbrojtjen e paanshmërisë së informacionit, duhet t’i mbërrijnë relacione dhe raporte për të vepruar kundër emisionit “AnnoZero” dhe mbylljes së tij. Po aq skandaloze e të pasura me detaje komprometuese janë edhe telefonatat që Innocenzi i ka bërë drejtorit të përgjithshëm të “Rai”-t, Mauro Masi, në të cilat ankohet për presionin e vazhdueshëm e të përditshëm që i bën Kryeministri Berluskoni.
I gatshëm për të plotësuar nevojat e Kryeministrit, sipas gazetës “Il Fatto Quotidiano”, është edhe drejtori i rubrikës së lajmeve “Tg1”, Augusto Minzolini, që është shprehur gjithashtu se do të marrë masa paraprake.
Pezullimi, nën pretekstin e fushatës elektoraleMë datën 1 mars u mblodh këshilli administrativ i “Rai”-t për një seancë të posaçme mbi aplikimin e rregullores së komisionit mbikëqyrës të komunikimit politik parazgjedhor, i cili vendos me propozimin e drejtorit të përgjithshëm, Mauro Masi, të pezullojë të gjitha emisionet politike për muajin e fundit para votimit. Pra, gjatë gjithë muajit mars pezullohen emisionet e televizionit publik si “AnnoZero”, “Ballarò”, “Porta a Porta”, “L’ultima parola”.
Ky vendim ngjalli reaksione të forta dhe jo pak polemika për vetë parregullsitë që përmban në vetvete. Madje edhe vetë presidenti i “Rai”-t, Paolo Garimberti, u shpreh se ka dyshime serioze në lidhje me kushtetutshmërinë e disa pjesëve të rregullores, ashtu si është pranuar qartazi edhe nga një ish-president i Gjykatës Kushtetuese. “Si gazetar liberal, shprehet Garimberti, e konsideroj vendimin plotësisht negativ, pasi dëmton në mënyrë të konsiderueshme imazhin e “Rai”-t. Në këtë mënyrë preken interesat e publikut, të cilit i mohohet e drejta që i korrespondon një detyrimi specifik të shërbimit publik: atë të dhënies së informacionit! Në këtë mënyrë jepet një sinjal negativ në drejtim të drejtuesve të emisioneve, duke supozuar se ata nuk janë në gjendje të menaxhojnë hapësirat e caktuara për ta. Unë hedh poshtë idenë se kolegët dhe gazetarët nuk janë në gjendje të veprojnë me mençuri dhe ekuilibër në punën e tyre”.
Reagon presidenti i AGCom, Corrado Calabrò: “AGCom është një autoritet institucional i pavarur dhe autonom, i cili nuk ka ushtruar kurrë censurë parandaluese. Ne flasim me anë të veprimeve tona e këto veprime demonstrojnë në mënyrë të pamohueshme pavarësinë e këtij institucioni dhe autonominë e mendimit gjykues”.
“është diçka shumë e rëndë dhe e paparë ndonjëherë, shprehet Santoro në lidhje me presionet e Kryeministrit për mbylljen e emisionit që ai drejton. Shpresoj se autoritetet më të larta shtetërore do të ndërhyjnë. Unë i vetëm, për një kohë shumë të gjatë, kam kryer një betejë të vetmuar kundër një arbitri që duhet të jetë neutral, por që në të vërtetë është ndarë në ngastra partie. Mendoj se tani po zbulohet në të gjithë shqetësimin serioz karakteri i arbitrit fals që ka Autoriteti për Telekomunikacionet. Për më tepër, mjafton të lexosh listën e anëtarëve të autoritetit për të kuptuar se në vend që të sigurojnë paanësinë e vendosur nga Kushtetuta për autoritetin e garantuar, e vetmja gjë që garantojnë është ndarja në fraksione”.
Precedentët e mëparshëmDuket se impenjimi dhe objektivi i kryeministrit italian kohët e fundit është pikërisht mbyllja e gojës së gazetarëve të bezdisshëm në Itali të cilat nuk janë të parat në llojin e vet. Mjafton të kujtojmë të ashtuquajturin ‘Urdhrin Bullgar’ (it. Editto Bulgaro) i cili ka të bëj me një deklaratat të kryeministrit të lëshuar më 18 Prill 2002 në një konferencë shtypi gjatë një vizite në Bullgari. Gjatë kësaj konference ai u shpreh se ishte kryer “një përdorim kriminal i TV publike nga ana e gazetarëve Enzo Biaggi, Michele Santoro dhe komikut Daniele Luttazzi”, duke pohuar më pas se “ishte një detyrë e qartë e udhëheqjes së re të ‘Rai’-t moslejimi i përsëritjes së ngjarjeve të tilla”. Të tre personazhet në fjalë më pas nuk punuan më në “Rai” për vite me radhë. Me përjashtim të komikut Lutazzi, që nuk iu ridha asnjëherë mundësia për të punuar në “Rai”, Santoro dhe Biaggi u rikthyen në punë disa vite me vonë, por pas një sërë peripecish e vendimesh gjyqësore në favor të tyre.
Në qershor 2003, Gjykata e Romës, falë çështjes gjyqësore që gazetari Santoro kishte paraqitur, nxjerr një urdhëresë me të cilën i imponon “Rai”-t pagimin e dëmshpërblimit në favor të Santoros, duke i dhënë të drejtën të drejtojë një emision me karakter “thellimi gazetaresk në orët e mbrëmjes, duke e pajisur edhe me burimet e duhura njerëzore, materiale e teknike për të siguruar suksesin e emisionit, në kushte ekuivalente me ato të programeve të mëparshme”. Kjo urdhëresë nuk u zbatua asnjëherë, madje edhe pas një kërkese të AGCom, e cila i bënte thirrje “Rai”-t “në respekt të parimeve të pluralizmit, objektivitetit e plotësimit dhe paanshmërisë”. Mosmarrëveshja në mes të televizionit publik italian dhe Santoros zgjati deri më 26 janar 2005. Më pas Santoro rimerr aktivitetin e tij si gazetar dhe drejtues emisionesh pranë “Rai”-t, me programin “AnnoZero” që nisi të transmetohet në “RaiDue” më 14 shtator 2006. Me kthimin në qeveri të Berluskonit, rinisin edhe polemikat e tij me Santoron dhe emisionin “AnnoZero” e sidomos kundër gazetarit Marco Travaglio.
‘Raiperunanotte’Michele Santoro në konferencën e tij të shtypit do të shprehej: “Berluskoni, filloni të dilni ju nga ‘Rai’ në vend që të shkruani nëpër gazetat tuaja se duhet të dal unë. Kur filluat të bëni politikë deklaruat se nuk kishit për të prekur as edhe një ‘lule’, ndërsa tani jeni duke punuar të gjithë kopshtin e duke shkulur me rrënjë gjithçka të mirë që ka në të. Kanalet tuaja televizive janë në vështirësi, prandaj duke hequr Santoron nga ‘RaiDue’, kanalet tuaja Mediaset kanë për të bërë goxha festë. Kjo është e papranueshme. Berluskoni duhet të mbyllë gojën. Unë jam punonjës i ‘Rai’-t dhe Berluskoni përfaqëson konkurrentin tim, sepse ai është pronar i Mediaset. Ai nuk mund të veshë njëherë një xhaketë dhe pastaj të veshë një tjetër”.
Në orët e mbrëmjes së datës 25 mars, drejtpërsëdrejti nga pallati i sportit “Paladozza” të qytetit të Bolonjës, u shfaq emisioni i auto-financuar “Raiperunanotte” drejtuar nga Michele Santoro, organizuar nga Federata Kombëtare e Shtypit Italian (FNSI: Federazione Nazionale della Stampa Italiana) dhe nga Bashkimi i Sindikatave Gazetareske të “Rai”-t (Usigrai- Unione sindacale giornalisti Rai) HYPERLINK "http://antefatto.ilcannocchiale.it/?TAG=" si një protestë legjitime kundër censurës mediatike që po aplikohet aktualisht në Itali.
Emisioni u transmetua gjithashtu drejtpërsëdrejti në platformat satelitore dhe analogjike në kanalet televizive private të: “SkyTg24”, “CurrentTV”, “Reppublica TV”, “Teleregione Toscana”, “Antenna Sud Puglia”, TV7, “Tv Centro Marche”, “Telelombardia”, “Cannale6”, “Antena3”, ÉTV – Rete7 Emilia Romagna etj; nga radiot përmendim: “Radio Popolare Network”, “Radio Città Futura”, “Ecoradio”, “Novaradio Città Futura”, “Radio Nostalgia” etj., dhe sigurisht nuk mund të linim pa përmendur lidhjet e shumta ‘streaming’ në internet dhe ‘Social Network’-et që dëshmuan një pjesëmarrje rekord nga ana e publikut, duke kapur shifrën mbi 120 mijë shikues.
Ishin të ftuar: Giovanni Floris, Gad Lerner, Milena Gabanelli, Mario Monicelli, Sandro Ruotolo, Roberto Natale, Franco Siddi i Fnsi, komikët Daniele Luttazzi e Roberto Benigni, karikaturisti Vauro, këngëtarët Morgan, Antonello Venditti, grupi muzikor “Elio e le Storie Tese” etj.
Lista e emrave të atyre që dhanë kontributin e tyre për këtë mbrëmje nuk ndalet vetëm tek emrat e njohur të televizionit, por edhe tek ato më pak të njohur, duke përfshirë përfaqësues të punëtorëve që janë pa punë ose që rrezikojnë pushimin nga puna në ndërmarrjet si Delta, Tim dhe Omsa.
Në hapje të emisionit, pas shfaqjes së imazheve të Benito Musolinit paralelisht me ato të Silvio Berluskonit, Santoro do t’i drejtohet Presidentit italian, Giorgio Napolitano, me një apel: “I nderuar zoti President, ne nuk jemi në fashizëm, por disa ngjashmëri me fashizmin po na merakosin…. …Këtu u krye një krim seriozisht i madh: ndërhyrjet politike ndaj lirisë së shprehjes. Unë, shtoi ai, duke iu drejtuar gjithnjë Napolitanos – nuk dua t’ju tërheq prej xhakete, unë nuk dua që ju të nënshkruani ose të mos nënshkruani, por dua të ripërsëris se nëse partitë nuk do të largohen nga ‘Rai’, do të mbetet gjithmonë në konfliktin e interesit. Ne kemi të drejtën, por edhe detyrën të flasim dhe ta vendosim vetveten në kushte që të dëgjohemi nga publiku, por edhe që të na dëgjojnë”.
Gad Lerner gjatë fjalimit të tij paralajmëroi: “Censura aktuale e aplikuar nën pretekstin e periudhës së zgjedhjeve mund të çojë në një periudhë shumë më të gjatë censure. Ndoshta kjo do të varet edhe nga reagimi ynë. Por nga kjo situatë u krijuan antitrupa, pasi të punosh për të treguar realitetin e fakteve është antidoda për të rezistuar dhe luftuar për demokraci”.
Regjisori Mario Monicelli, duke përmendur fjalën “revolucion”, tha se është i nevojshëm, sidomos në një vend si Italia që nuk e ka bërë kurrë një të tillë.
Emisioni dëshmoi të jetë përgjigjja më e mirë kundër censurës dhe shtrembërimit të informacionit televiziv, si një zonë e lirë ku u shpalosën dhe u analizuan fakte dhe realiteti i vendit, i cili injorohet në mënyrë sistematike nga klasa politike italiane.
KonkluzionNë Itali, televizioni publik italian është i lotizuar në bazë të qeverive që janë në pushtet, forcave politike të radhës dhe partive të tyre përkatëse e duke qenë i mbushur me të afërmit e politikanëve dhe gazetarëve servilë, është një institucion vështirë i reformueshëm. Të ardhurat ekonomike nga taksa publike e “Rai”-t (që kap shifrën 109.00 euro në vit për individ), përdoren për të reklamuar partitë politike, programet dhe interesat e tyre në televizionin publik. Në këtë mënyrë forca të caktuara politike krijojnë emisione televizive ose mbështesin emisionet që përcjellin në publik mesazhin e tyre politik. Përdorimi arbitrar dhe i padenjë i televizionit të shtetit nga ana e partive politike dhe e eksponentëve të tyre, çon shpesh edhe në mbylljen ose pezullimin e emisioneve që trajtojnë problematika dhe çështje që normalisht duhet të jenë të njohura nga publiku i gjerë meqenëse trajtojnë argumente që lidhen ngushtë edhe me jetën dhe fatet e tij.
Rreziqet kryesore të demokracisë pas keqpërdorimit të pushtetit të katërt, përbëhet nga kontrolli politik i medias dhe nga përqendrimi i këtij pushteti në duart e një grupi të vogël njerëzish dhe nga kompanitë e tyre. Duke marrë parasysh se ata të cilët kontrollojnë mediat kanë gjithashtu tendencë të filtrojnë informacionin që është në kundërshtim me interesat e tyre, pengohet qëllimisht pluralizmi i mendimit dhe kufizohet mundësia e qytetarëve për të formuar opinione jo të manipuluara e si rrjedhojë të kushtëzuar në zgjedhjet e tyre.
Puna e gazetarëve është e bazuar në parimet e lirisë së informacionit dhe të mendimit, e përcaktuar nga Kushtetuta italiane në nenin 2 të ligjit nr. 69, më 3 shkurt 1963, ku lexohet: “Liria e informacionit dhe kritika është e drejtë e patjetërsueshme e gazetarëve. E drejta është e kufizuar nga respektimi i rregullave ligjore të përcaktuar për të mbrojtur personalitetin e të tjerëve dhe është detyrë e gazetarëve respektimi i të vërtetës substanciale të fakteve, gjithmonë duke respektuar detyrat e imponuara nga besnikëria dhe mirëbesimi”.
#