E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitore e kampionit

Jenson Button fitoi garën për Shpërblimin e Madh të Australisë për herë të dytë me radhë në Melbourne dhe filloi mbrojtjen e titullit të tij të kampionit të botës në Formula 1.

Button, i cili garon për McLaren këtë sezon, pasi fitoi titullin me Brawn GP më 2009, përfundoi 12 sekonda para Robert Kubicës në Renault, në garën e përshkuar nga incidentet që filloi me shi dhe arritën ta përfundojnë vetëm 14 nga 24 ngasës.

“Na është nevojitur kohë për t’u adaptuar në bolidin e tij”, tha Button, pasi siguroi fitoren e tij të tetë në karrierë pas 172 garave. “Është ndjenjë e veçantë, jam duke ndërtuar vetëbesim”, shtoi ai.

Felipe Massa ishte i treti në pistën Albert Park, para kolegut të tij nga Ferrari, Fernando Alonso, i cili fitoi garën e parë të sezonit në Bahrejn, më 14 mars.

Dy herë kampioni i botës, Alonso, është lider në renditjen e përgjithshme me 37 pikë, pas dy prej 19 garave. Dyshja e Red Bullit, Sebastian Vettel dhe Mark Webber, të cilët kishin hyrë në garë si favoritë pas rezultateve të kualifikimeve, nuk shfaqën konkurrencë për fitore pasi filluan garën nga radha e parë.

Vettel kishte 4.5 sekonda epërsi ndaj Buttonit, kur doli jashtë pistës në xhiron e 26 për shkak të një problemi me frena. Ai nuk kishte përfunduar as dy garat e kaluara në Albert Park dhe ishte i detyruar të tërhiqet si lider në Bahrejn, dy javë më parë, për shkak të problemeve në motor.

“Nuk kisha çfarë të bëj. E humba kontrollin dhe kjo ishte e tëra. Është fat i keq, sepse kam menduar se isha në kontroll të garës në fillim të saj. Por, për të fituar ju duhet të arrini në cak”, tha Vettel.

Webber përfundoi i nënti në vendlindjen e tij, pas një përplasjeje me kolegun e Buttonit, Lewis Hamilton, i cili ishte i gjashti prapa Nico Rosbergut nga Mercedes GP.

Ngasësi i Force Indias, Vitantonio Liuzzi siguroi pozitën e shtatë para Rubens Barrichellos në Williams. Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1, Michael Schumacher, i cili u paraqit në garën e tij të dytë pas rikthimit nga pensioni, mori pikën e fundit në pozitën e 10 në bolidin tjetër të Mercedesit.

Rezultatet e garës:
1 Jenson Button 1:33:36.531
2 Robert Kubica +12.034 sek.
3 Felipe Massa +14.488
4 Fernando Alonso +16.304
5 Nico Rosberg +16.683
6 Leëis Hamilton +29.989
7 Vitantonio Liuzzi +59.847
8 Rubens Barrichello +01:00.536

Renditja e përgjithshme:
1 Fernando Alonso 37 pikë
2 Felipe Massa 33
3 Jenson Button 31
4 Lewis Hamilton 23
5 Nico Rosberg 20
6 Robert Kubica 18
7 Sebastan Vettel 12
8 Michael Schumacher 9

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›