E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitore ndaj Qipros

Gianni de Biasi kërkon fitore ndaj Qipros, për ta nisur pozitivisht fushatën kualifikuese për Botërorin 2014. Selektori i Kombëtares shqiptare e ka pranuar se qipriotët nuk mposhten lehtë, por beson se nëse futbollistët e tij luajnë së bashku si skuadër, mund t’i marrin tri pikë nga përballja e sotme. Trajneri italian ka disa dyshime në formacion, ndërsa pret angazhim maksimal nga lojtarët e tij.

Kombëtarja shqiptare do ta nisë fushatën eliminatore për botërorin ‘Brazili 2014’ e motivuar. Kuqezinjtë do t’i nisin kualifikimet të motivuar si asnjëherë më parë, me synimin që ta zënë njërin nga vendet e para në Grupin E, ku do të garojnë me Norvegjinë, Zvicrën, Slloveninë, Islandën e Qipron.

Ekipi i Gianni de Biasit po punon që një kohë të gjatë për këto lojë, pasi zhvilloi disa ndeshje miqësore. Trajneri italian kërkon nga lojtarët e tij të luajnë si skuadër në ndeshjen e së premtes mbrëma, që do të zhvillohet në stadiumin ‘Qemal Stafa’ në Tiranë.

“Po punojmë prej tetë muajsh. Kemi ndërtuar një grup me lojtarë me eksperiencë dhe lojtarë të rinj që mund të japin rezultat të mirë në cilësinë e lojës së skuadrës, tash dhe në të ardhmen. Unë jam shumë kërkues nga vetja, bashkëpunëtorët dhe lojtarët. Për ta ndërtuar një skuadër, duhet ndërtuar një grup lojtarësh që të mendojnë si skuadër”, deklaroi fillimisht De Biasi në konferencë për shtyp, të mbajtur të enjten.

“Ajo që e rrit një ekip është qëndrimi mendor për sa i përket asaj që bëjmë në fushë dhe jashtë saj. Për rezultate të mira duhet të rritemi nga ana tekniko-taktike dhe t’i njohim kundërshtarët, vlerat dhe pikat e dobëta të tyre”, vijoi ai.

Trajneri italian tregoi se e ka studiuar me vëmendje Qipron, të cilin e konsideron ekip që të vë në vështirësi. “Duhet të mundohemi me gjithë forcat tona për të fituar. Diferencën e bëjnë futbollistët e mëdhenj. Ne jemi mirë taktikisht, por nuk jemi 100 për qind fizikisht”, shtoi ish trajneri i Udineses.

Cana: Dëshirë për fitore dhe kualifikim

Lorik Cana është më se i motivuar për dy ndeshjet që e presin Shqipërinë në harkun e katër ditëve, atë ndaj Qipros sonte dhe ndaj Zvicrës të martën që vjen. Mesfushori kosovar ka kërkuar fitore në duel me qipriotët, për një nismë të mbarë të kualifikimeve.

“Kemi dëshirë të fitojmë sa më shumë dhe të kualifikohemi, por duhet të jemi me këmbët në tokë. Ka shumë vite që e fillojmë mirë, por duke e parë shortin, kemi grup të nivelizuar. Mirëpo, ka ekipe të forta dhe nuk jemi favoritë, edhe pse jemi ambiciozë. Kemi parë edhe video të Qipros, është ekip që krijon vështirësi. Është pak a shume si ne, me ekipet e mëdha bën lojë të mira. Ka lojtarë cilësorë dhe jemi të barabartë. Por, ne do të luajmë për ta mposhtur”, tha futbollisti i Lazios.

Meha e Kukeli, titullarë kundër Qipros?

Nuk kanë luajtur kurrë më parë një ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë, por të premten mund të jenë pjesë e njëmbëdhjetëshes titullare në ndeshjen e parë eliminatore të Kuqezinjve ndaj Qipros.

Bëhet fjalë për futbollistët kosovarë Burim Kukeli dhe Alban Meha, të cilët pritet të debutojnë në ‘Qemal Stafa’. Dhe, mediat shqiptare shkruajnë se mesfushori i Zurichut dhe ai i Paderbornit mund të jenë dy befasitë e trajnerit De Biasi. Të dy lojtarët gëzojnë formë të shkëlqyeshme dhe kjo mund të jetë arsyeja që trajneri italian ta marrë vendimin e guximshëm t’i vendosë në fushë nga minuta e parë.

Rivalitet për portën, Ujkani apo Berisha?

Një tjetër dyshim për trajnerin De Biasi është se kë ta vendosë në portën e Kuqezinjve ndërmjet portierëve kosovarë, Samir Ujkani e Etrit Berisha. Në një ndeshje kontrolluese të zhvilluar të mërkurën, në portë u vendos numri 1 i Kalmarit, mirëpo deri tash portieri i Palermos ka qenë titullar. Mbetet të shihet se për kë do të vendosë trajneri italian sonte, me Berishën si favorit i lehtë ndaj Ujkanit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›