Ilir Meta dhe bashkëqeverisja me Berishën
Robert Goro
Deri më tani, më pak se dy javë para inaugurimit të sesionit të ri parlamentar, si Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës, kanë deklaruar vazhdimisht në publik se midis tyre nuk është bërë asnjë negociatë për ndarjen e posteve në qeverinë e re të koalicionit dhe se negociatat zyrtare do të fillonin më 20 gusht. Ndërkaq, zotërinjtë Berisha e Meta, janë takuar të paktën dy herë dhe, sigurisht, nuk kanë folur për motin në ato takime...
Ilir Meta, që sipas shumicës së analistëve politikë shqiptarë, “sakrifikoi të ardhmen e vet politike”, duke i ofruar Berishës katër deputetët e vet dhe duke e lënë përsëri të majtën kryesore në opozitë, ka ndërmarrë sigurisht një risk të madh, për të cilin mendja ta do që t’i ketë bërë të gjitha përllogaritjet. Si pragmatist i sprovuar, ai shpreson se me lëvizjen e tij të 4 korrikut (pranimi i ftesës së Berishës për pjesëmarrje në koalicion), do të sigurojë pikërisht atë që analistët i vënë në dyshim, pra të ardhmen e vet politike dhe një rol protagonistik në skenën politike të Shqipërisë. Mirëpo, që t’ia arrijë kësaj, ai duhet të përmbushë tri parametra:
1. Pjesëmarrja në qeverisje e LSI-së duhet të jetë esenciale dhe me rezultate konkrete në çështjet kardinale që preokupojnë qytetarin shqiptar. Kjo kërkon marrjen nga LSI të ministrive me peshë.
2. LSI duhet të tregojë në praktikë se pjesëmarrja në një qeveri që drejton Sali Berisha, synon progresin e vendit në rrugën e integrimit europian, gjë që veç të tjerash, kërkon edhe mbajtjen nën kontroll të pushtetit deri më tani absolut të Berishës. Do të duhet pra, që LSI të luajë rolin e një oponence konstruktive brenda qeverisë.
3. Personalisht Meta do të duhet të “konkurrojë” Berishën, kështu që të përbëjë një zë tjetër dominant e sovran, dhe të mos jetë thjesht një “gjeneral nën urdhrat e gjeneralisimit Berisha”. Sigurisht që kjo nuk presupozon një dualizëm të pushtetit të dy burrave të fortë, gjë që do të ishte shkatërruese për qeverisjen dhe për të ardhmen e vendit.
Normalisht, gjithë sa përmendëm më sipër, Meta duhet t’i ketë studiuar deri në detaje dhe të ketë marrë vendimet e veta. Kohë pas kohe në shtyp, janë shfaqur “skenarë anonimë”, mbi postet ministrore që synon të marrë LSI. Këto skenarë, që nuk ma do mendja të jenë bërë krejtësisht pa dijeninë e zotit Meta, synojnë të realizojnë një lloj testimi më së shumti në gjirin e Partisë Demokratike, ku sigurisht që duhet të ketë reagime (ndonëse jo publike, për momentin), mbi ndarjen e “byrekut të qeverisjes”. Nisur nga skenarët e sipërpërmendura, por edhe nga sa kanë thënë publikisht zyrtarë të LSI-së, partia e Metës dëshiron të marrë ato sektorë që përbëjnë dhe prioritete të programit të saj elektoral; dhe kjo është mëse normale. Shëndetësia, arsimi dhe ekonomia, konsiderohen ministritë më të preferuara për partinë e Metës. Ndonëse është thënë se vetë Ilir Meta do të jetë pjesë e kabinetit qeveritar, kjo nuk duhet të konsiderohet e sigurt. Më i mundshëm ngjan kalimi i tij në krye të Parlamentit, një post i pavarur e me shumë mundësira në shërbim të profilit drejtues të ish-kryeministrit Ilir Meta. I cili, nëse pranon një post ministri, sado i rëndësishëm që të jetë ai, nuk ma merr mendja se do të ndihet mirë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave të drejtuara nga Berisha (siç nuk ndihej mirë dikur edhe në mbledhjet e drejtuara nga Nano). Tagri i kryeministrit të suksesshëm që Ilir Meta arriti ta ruajë të pakonsumuar, edhe pas gati dhjetë vjetësh, është një investim shumë i rëndësishëm, i cili duhet të konvertohet më së pari në të mirën e përgjithshme të vendit. Dhe sigurisht që i përket vetë kryetarit të LSI-së se ku do ta vendosë veten në bashkëqeverisjen e re. E cila bashkëqeverisje, përkundër skeptikëve, kritizerëve dhe ... hatërmbeturve, është një ngjarje e jashtëzakonshme për Shqipërinë, dhe një shenjë se politika shqiptare po civilizohet...