E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitorja, PS falenderon qytetarët e Tiranës, Rama: Ne kemi detyrën, pushteti është i juaji

TIRANË-  Partia Socialiste festuan sonte në kryeqytet fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit, njëherësh rikthimin në pushtet pas 8 viteve në opozitë. Aktiviteti "Faleminderit Tirana" u zhvillua në Amfiteatrin tek liqeni artificial. Deputetët e Tiranës, të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, përshendetën qytetarët e Tiranës dhe falënderuan të gjithë socialistët që kontribuan për fitoren. 

I pari që mori fjalën në aktivitet ishte deputeti Ditmir Bushat, i cili theksoi se qeveria socialiste ka përpara një sfidë të madhe, për të realizuar rilindjen që u kanë premtuar shqiptarëve.

“Kemi marrë një votë bindëse, një mbështetje të madhe popullore. Kemi një sfidë shumë të madhe përpara, shumë më të madhe ndoshta se ajo e vitit ‘97, për ta çuar Shqipërinë aty ku meriton dhe për të realizuar rilindjen që u kemi premtuar shqiptarëve.”- deklaroi Bushati. 

RAMA: DUAM TA MIRËQEVERISIM SHQIPËRINË PËR TË GJITHË
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama theksoi se fitorja e të majtëve nga veriu në jug është prova më kuptimplotë se “shqiptarët e kuptojnë rilindjen si një shtet që u shërben të gjithëve pa dallim”.

Duke shprehur vendosmërinë e të majtëve për të mirëqeverisur Shqipërinë për të gjithë, Rama i siguroi punonjësit e administratës se askush nuk do të largohet nga puna, nëse e ka fituar atë me meritë.

“Shqipëria është shumë e vogël për tu ndarë në ne dhe ata. Ka 20 vite që është qëllimisht e ndarë në ne dhe ata, etërit dhe të bijtë, ata të veriut dhe të jugut. Harta e Shqipërisë që shqiptarët pikturuan me ngjyrën e purpurt të rilindjes, është prova më kuptimplotë se shqiptarët e kuptojnë rilindjen si një shtet që u shërben shqiptarëve pa dallim nga veriu në jug. Ne kemi emrat, kemi detyrën. Nëse duam të dalim faqebardhë, pushteti duhet të jetë i juaji”- deklaroi Rama.

Duke falënderuar të gjithë deputetët dhe mbështetësit e PS-së në Tiranë, Rama theksoi se qeveria ka vetëm detyrën, ndërsa pushteti do jetë i qytetarëve.

“Ata që nuk kanë marrë pjesë në betejën e vijës së parë, siç keni marrë pjesë ju, do të mirëkuptojnë këtë aktivitet jo si një shprehje të triumfit, por si një shprehje të mirënjohjes për të gjithë ju. Ne nuk duam që qoftë dhe një shqiptar i vetëm të ndihet keq, duke na parë të buzëqeshur dhe të mbledhur. Ne duam ta mirëqeverisim Shqipërinë për të gjithë, për ata që na kanë zgjedhur dhe për ata që nuk na kanë votuar. Të gjithë atyre që nuk na kanë votuar dhe që na shohin të mblidhemi dhe t’ju falenderojmë juve, dua t’ju them sot se falë jush, punës tuaj të palodhur, sakrificave tuaja në një rrugë të vështirë opozitare dhe ata janë çliruar, janë shpëtuar. Këtë do tua provojmë jo me fjalë, por me veprat e qeverisjes sonë.”- theksoi Rama.

Më tej kryeministri i ardhshëm i vendit rikujtoi premtimin e tij për legalizimin e banesave brenda mandatit të parë, duke thënë: “Ne nuk jemi më në fushatë elektorale dhe prandaj unë ndjehem më i lehtësuar që t’ju them të gjithë atyre që presin të legalizojnë shtëpinë, që janë liruar nga kthetrat e një partie që i la pa legalizuar vetëm e vetëm për t’ju marrë votën. Ne në fund të mandatit tonë të parë do të jemi shumë krenarë para tyre, se gjithkush që ka ndërtuar një shtëpi do ta ketë atë pronë të patundshme të regjistruar në hipotekë. Procesin e legalizimit do ta bëjmë një proces që do të përfshijë çdo familje që ka nevojë për titullin e pronësisë”. 

PANDELI MAJKO: NE 23 QERSHOR SHQIPTARET REFUZUAN KRIZEN
Të dashur vëllezër dhe motra! Ne këtu sot festojmë fitoren tonë, atë që dhjetë ditë më parë shumë, shumë, por jo juve, e konsideronin si një ëndërr. Kishte njerëz që thoshin: “Ehh do t’i marrë prapë ai. Do t’i manipulojë”. Por, nuk iu kishin llogaritur ju. Për të gjithë Tiranën, për të gjithë Tiranën ka një faleminderit të madhe. Por, më lejoni që një falenderim të veçantë sot nga Tirana t’ia drejtoj qytetit të demokracisë dhe pjesë të qarkut të Tiranës, Kavajës. Kavajës që foli fort me zë të lartë dhe me votë për Rilindjen e të gjithë Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Sot është data 2 korrik. Në 2 korrik të ’90-s, mijëra shqiptarë thyen muret e ambasadës dhe hynë nëpër ambasada duke refuzuar realitetin, duke refuzuar që të qëndrojnë këtu. Në 23 qershor, shqiptarët nëpërmjet votës, refuzuan stanjaconin, refuzuan krizën, refuzuan në ndarjen në “ne dhe ata” dhe i thanë po Rilindjes. Nuk ka ditë më të bukur për këtë 2 korrik për ta kujtuar atë datë të viteve më parë dhe këtë fitore kaq të veçantë të Rilindjes së Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të mos ndarjes në “ne dhe ata”, të prishjes së murit. Këtë radhë jo të ambasadave, por të mureve ndarës që ishin krijuar midis shqiptarëve. A ka ndonjë nëpunës të administratës këtu sot? Në rregull. Ka ardhur koha t’ua them sot pa pritur shtatorin, të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin, që u kanë nxirë buzën, që i kanë hequr nga puna këta njerëz, që s’kanë lënë gur mbi gur, duke ardhur vërdallë si korba nëpër qendrat e votimit, duke bërë presion; Tani është koha të ikin në paqe. Na keni mbajtur dhe do t’ju mbajmë.”

SAIMIR TAHIRI: UROJ QE KETE FITORE TA KTHEJME NE PUNE
“Faleminderit Tirana! Faleminderit për çdo anëtar të thjeshtë të kësaj partie në çdo organizatë. Faleminderit, për çdo kryetar organizate. Faleminderit për çdo komisioner, për çdo vëzhgues, për çdo numërues. Faleminderit për çdo anëtar të Forumit Rinor. Faleminderit për çdo anëtare të Forumit të Gruas. Faleminderit ju jeni forca e partisë. Ju jeni heronjtë e heshtur të kësaj fitoreje, ju jeni fituesit e vërtetë. Miqtë e mi! Jua kam thënë shpesh nëpër mbledhjet tona: Hajde të punojmë, sepse në Tiranë do të marrim një super fitore dhe një super rezultat. Ja ku jemi. Në Tiranë morëm një super fitore dhe një super rezultat për PS-në dhe Edi Ramën, kryeministrin e ardhshëm. Ndonjëri nga ju do thotë: O Saimir, fituam në gjithë Shqipërinë. Ashtu është fituam në gjithë Shqipërinë, por në kryeqytet kemi kryefitoren. E dyta, që u thosha në fushatë: Miqtë e mi, hajde të punojmë bashkë, të fitojmë bashkë dhe të qeverisim bashkë. Jam shumë i bindur dhe jam shumë krenar me veten që t’ua them prapë sot: Po, ne luftuam bashkë, e bëmë fushatën bashkë, ne fituam bashkë dhe nesër do të qeverisim bashkë në emër të qytetarëve, në emër të shqiptarëve dhe në emër të Rilindjes së Shqipërisë. Unë dua t’ju falënderoj nga zemra dhe nuk besoj se kam aq fjalë sa të mundem t’u falënderoj sa duhet.
Uroj shumë që këtë fitore të mos e mbajmë thjesht në zemër, por këtë fitore ta kthejmë në punë dhe puna për ne sapo ka filluar. Po uroj që të jeni të kthjellët, të shohim njëri-tjetrin në sy siç e shihnim para fushatës. Të njohim sakrificat e njëri-tjetrit, të njohim shqiptarët siç i njohëm para fushate, të punojmë ngushtësisht me njëri-tjetrin dhe jam i bindur se kështu do të arrijmë fitore pas fitoreje për qytetarët shqiptarë. Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë. Ne jemi fitimtarët. Faleminderit ! Faleminderit! Faleminderit!

LEDI SHAMKU: RILINDJE ESHTE
“Më shihni kështu sepse dy ditë para zgjedhjeve theva krahun, por njësia 10 më tha ‘Led ke thyer të djathtën të majtën e ke top’. Dhe, u faktua se të majtën në njësinë 10 e kishim top. Kur Shqipëria u bë e mëvetësishme, Fishta tha “tani që e bëmë Shqipninë duhet me bë shqiptarët”, por sot është e kundërta shqiptarët i kishim top, tani Rilindje për Shqipërinë. Shqiptarët e treguan se ishin në drejtimin e duhur në 23 qershor. Rilindje është! Ju faleminderit shumë sepse së bashku bëmë të mundur Rilindjen.”

RAKIP SULI: DO JEM GARANT I ZBATIMIT TE PROGRAMIT
“Mirënjohje njësia 11! Faleminderit për punën tuaj! Mirënjohje skuadrës që punoi fort, pasi i premtuam kryeministrit Edi Rama që do vijmë me një votë plus dhe ne erdhëm me 1600 vota plus. Zotohem se do jem garant për zbatimin e programi të Rilindjes që ne e kemi bërë të qartë gjatë gjithë fushatës. Përulem para jush! Jam me fat që punova për të sjellë rilindjen edhe në njësinë 11.”

BESNIK BARAJ: JU JAM MIRENJOHES
“E quaj privilegj të jesh në këtë ambient kaq festiv dhe kaq të bukur. Është privilegj të jesh në këtë skenë për shumë arsye. Unë do veçoja dy prej tyre. Së pari, kur je pjesë e ekipit të Rilindjes i cili do të bëjë histori jo vetëm me datën 23, por edhe me atë që vjen më pas. Ky ekip me në krye Edi Ramën do të lërë gjurmë të pashlyera në historinë e Shqipërisë. Është privilegj, edhe se pse këtu ndodhem përpara kryeqytetasve; Ju jam mirënjohës! Dua të falënderoj të gjithë ekipin e njësisë numër 2. Është një ekip i jashtëzakonshëm si një familje e madhe. Pa punën e tyre do të ishte e pamundur suksesi i jashtëzakonshëm i njësisë numër 2.”

LINDITA NIKOLLA: MIRENJOHJE TE THELLE! JU JENI FITUESIT
“Përshëndetje! Mirënjohje! Ju jeni fituesit e vërtetë të kësaj fitoreje kaq të bukur për të rilindur Shqipërinë! Mirënjohje të gjithë ekipit fitues të njësisë numër 3. Mirënjohje pa fund të gjithë qytetarëve të njësisë bashkiake numër 3, por edhe njësisë numër 1 gjithashtu se e kam për zemër dhe nuk e harroj dot. Mirënjohje, qytetarëve të njësisë 3 që më hapët dyert e shtëpive, dyert e zemrës, duke na mbrujtur fort me forcën e arsyes, por edhe pasionin e shpirtit për të bërë më të mirën pas 23 qershorit me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Faleminderit edhe atyre që nuk votuan për PS-në në 23 qershor dhe zotohemi se edhe jeta e tyre do të jetë më e mirë me Edi Ramën kryeministër. Mirënjohje të thellë! Ju jeni fituesit.”

VASILIKA HYSI: SHUME FALEMINDERIT TE GJITHEVE!
“Së bashku me kolegun tim Rudolf Xhillarin ne bëmë fushatë në njësinë 7. Shumë faleminderit të gjithëve! Kur nisëm fushatën në njësinë 7 në një derë demokrati dikush më tha ‘kam dëshirë të shoh Edi Ramën kryeministër dhe do ta shoh nëse do bëjë gjithë Shqipërinë siç ka bërë Tiranën’. Sot i them këtu, publikisht, do ta shikojmë qeverinë e majtë dhe kryeministrin Edi Rama. Do ta shikojmë së bashku me ekipin dhe skuadrës e Rilindjes. Ju falënderoj të gjithëve që na keni hapur dyert, ju familjeve të majta, të djathta apo gri. Ju falënderoj të gjithë ju që na keni mbështetur që jetoni në zona formale apo informale. Unë jam e privilegjuar që jam pjesë e skuadrës së Rilindjes dhe që u votova në qarkun e Tiranës. Shumë faleminderit!” 

SADRI ABAZI: MIRENJOHJE PA FUND!
“Ju falënderoj të gjithëve ju qytetarëve të njësisë 4! Faleminderit! Qytetarëve të njësisë 9 faleminderit! Qytetarë të njësisë 8 faleminderit! Faleminderit që votuat Edi Ramën Kryeministër! Faleminderit të gjithë grave dhe burrave, që pasi votuan në 23 qershor qëndruan aty në mbrojtje të votës së tyre. Mirënjohje pa fund! Mirënjohje!

ERVIN BUSHATI: JU E BESUAT ME SHUME NGA TE GJITHE KETE RILINDJE
“Edi Rama do jetë nesër kryeministër, sepse ju e besuat më shumë nga të gjithë këtë Rilindje. Mua më dukej mision i pamundur, por në njësinë numër 8 ndodhi vërtetë Rilindja, sepse bastioni i qytetarisë dhe jo i PD-së, vendosi të rilindë.

BLENDI NALLBANI: SOCIALISTET MBAJI AFER E DEMOKRATET EDHE ME AFER
“Jam shumë i lumtur që jam sot para jush, më keni rikthyet emocionet e Uemblit të para 20 viteve. Në këto zgjedhje kam mësuar vetëm një gjë, socialistët mbaji afër e demokratët edhe më afër. I falënderoj me zemër të gjithë miqtë e mi, ish anëtarë të PD që votuan për ne, për Partinë Socialiste.” 

SADI VORPSI: E QUAJ FITORE HISTORIKE
“Sot ne po rilindim përfundimisht Shqipërinë, për këtë duhet të falënderoj kryeministrin e zgjedhur Edi Ramën, dhe gjithë ekipin e Rilindjes së Partisë Socialiste. Është thënë shumë që njësia 8 ka qenë bastion i PD, po në fakt për mua ka qenë dhe është bastion i qytetarëve. Dua t’i falënderoj në mënyrë të veçantë gjithë banorët e njësisë 8 dhe në veçanti një falënderim nga zemra të gjithë familjeve të vjetra tironse. I falënderoj për këtë fitore spektokolare që realizuam pas 23 vjetësh. E quaj fitore historike.”

ARTAN GAÇI: MORET PERGJEGJESINE PER TE VOTUAR PER TE ARDHMEN E FEMIJEVE
“Ju sjell përshëndetjet nga rrethi i Tiranës! Nga ata njerëz që bënë të mundur që në Pezë Partia Socialiste të fitojë me mbi 1000 vota, nga ata njerëz që në Ndroq e nxorën PD-në forcë të tretë. Ju sjell përshëndetjet nga burrat dhe gratë e Vaqarrit që fituan me mbi 1700 vota diferencë në një bastion të PD-së. Ju sjell përshëndetjet e Kasharit, ku fituam me një shifër rekord prej 1700 votash, përshëndetje nga Preza ku arritëm të përmbysim rezultatin nga minus 900 në plus 500 për PS, përshëndetje nga Bërxulli, një ish-bastion të PD-së që tashmë ka rilindur. Por po ju sjell më shumë përshëndetjet e banorëve të Gërdecit që vazhdojnë të vuajnë edhe pas kaq kohësh pasojat e tragjedisë së ndodhur aty. Pas 12 vjetësh arritëm të fitonim në Marqinet dhe në Vorë. Së fundi, një falënderim për të gjithë ju, jo sepse votuat për të sjellë PS në pushtet, por se morët përgjegjësinë qytetare për të votuar për të ardhmen e fëmijëve tuaj dhe për të ndëshkuar regjimin e Sali Berishës.”

ERJETA ALLHYSA: GEZUAR FESTEN E MADHE
“Mirëmbrëma Tirana e rilindur! Dukeni të gjithë të mrekullueshëm. Ju uroj gëzuar këtë festë që do të mbetet në histori, si dita nga kur nisi ndryshimi i madh dhe kur shqiptarët vendosën të rilindin. Mirënjohje dhe përulësi, për të gjithë ata që na votuan në zonën tonë, por edhe në gjithë Shqipërinë. Gëzuar festën e madhe!” 

XHEMAL QEFALIA: DO JEM BASHKE ME JU NE ZGJIDHJEN E HALLEVE TUAJA
“Mirëmbrëma të gjithëve! Orteku i fitores erdhi nga rrethi i Tiranës dhe unë dua të falënderoj të gjithë ata që më 23 qershor bënë të mundur ndryshimin e madh duke votuar për Rilindjen dhe për Edi Ramën kryeministër. Miqtë e mi, ka qenë një fitore e paparë, kundrejt presionit të disa individëve të lidhur me pushtetin vendor dhe të mbështetur nga pushteti qendror, që i kërcënuan votuesit, por ata nuk u trembën dhe ia dolën të votonin për Rilindjen. Ia dolën, sepse besonin të Rilindja Shqiptare, ia dolën sepse besonin te Edi Rama kryeministër dhe vazhdojnë të besojnë të qeverisja e ardhshme e Partisë Socialiste. Ka qene një punë e jashtëzakonshme e gjithë drejtuesve dhe mbështetësve të Partisë, të cilët unë dua t’i falënderoj duke nisur nga Shëngjergji, Dajti, Farka, Petrela, Bërzhita, Krraba, Vaqarri, Peza, Kashari dhe gjithë rrethi i Tiranës. Ju falënderoj të gjithëve! Ju përulem me respekt! Ju premtoj edhe si deputet i parlamentit shqiptar se do jem bashkë me ju në zgjidhjen e halleve dhe problemeve që do keni gjithmonë. Faleminderit të gjithëve!”

BLERINA GJYLAMETI: FITORJA E THELLE ERDHI DHE NGA NJESIA 5
“Përshëndetje të dashur motra, nëna , baballarë dhe vëllezër! Dua të falenderoj 11 koordinatoret e forumit të gruas së Tiranës. Por, t’i kthehem Njësisë 5. Falenderoj të gjitha kordinatoret e grave dhe të gjithë kryetarët, komisionerët, anëtarët e forumit të FRESH-it dhe të gjithë mbështetësit tanë. Nuk kishim dyshim në asnjë moment që do ta realizonim këtë fitore, do ta realizonim ashtu siç duhej, me këtë rezultat të mrekullueshëm dhe Njësia 5 e tregoi edhe njëherë atë që thuhet gjithmonë: “Fitorja e thellë erdhi dhe nga Njësia 5, duke ndryshuar edhe njëherë rezultatin”.

AFRIM QENDRO: NA DUHET PUNE, PUNE, PUNE
“Mirëmbrëma! Një duartrokitke nga të zotët e shtëpisë për të gjithë miqtë që na kanë ardhur. Përshëndetje Njësia 5! Të dashur miq! Faleminderit, mirënjohje, mirënjohje dhe përulje pafund të gjithëve. Fituam dhe ka mbaruar faza e parë. Na duhet punë, punë, punë, që të gjitha çfarë kemi thënë t’i bëjmë realitet dhe njerëzit tanë që na kanë votuar të jenë të kënaqur dhe të na rivotojnë përsëri. Përshëndetje! Faleminderit Njësia 5!”

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›