Fitou nuk beson në koalicionin PDK-AAK

Ambasadori i Francës në Kosovë, Jean - François Fitou, nuk është shumë optimist për arritjen e një koalicioni eventual ndërmjet PDK-së dhe AAK-së, kur merret parasysh se kreu i AAK-së Ramush Haradinaj është ende në Hagë.
"Nuk është në dispozicion tash për tash. Ramush Haradinaj është në Hage dhe do të jetë edhe për disa muaj në gjykimin e tij", ka thënë Fitou në një intervistë dhënë gazetës “Zëri”.
Ai ka thënë se roli i ndërkombëtarëve është që t’ua thonë të vërtetën kosovarëve dhe të mos përzihen në formimin e qeverisë. Fitou ka thënë se përfshirja e njerëzve nën hetime në institucionet e ardhshme nuk do t’i bëjnë mirë vendit. Sipas tij, Kosovës i duhen udhëheqës që mendojnë për vendin dhe jo për probleme të tyre individuale.
Edhe ambasadori francez mendon se një femër duhet të jetë presidente e Kosovës. Madje, e përfolura për këtë pozitë, Edita Tahiri duket opsion i mirë Fitoun.
"Ajo është shumë mirë e kualifikuar. Pse jo. Mendoj se do të ishte mirë të kemi një grua në një pozitë të lartë, qoftë në pozitën e presidentes, kryeministres apo në ndonjë post tjetër", theksoi Fitou.
Diplomati francez ka paralajmëruar se sivjet mund të ketë edhe arrestime nga EULEX-i për hetimet që janë tashmë duke u zhvilluar.
Ndërsa, mosrealizimin e vendimit të kryeministrit në dorëheqje Hashim Thaçi për rritje pagash, ambasadori francez e ka quajtur premtim politik gjatë fushatës zgjedhore. Por, ai ka thënë se pagat nuk mund të rriten pa formimin e një parlamenti legjitim, mënyrë kjo e cila dëshmon se në Kosovë ka demokraci.
Fitou ka thënë se raporti i senatorit zviceran Dick Marty e ka dëmtuar në masë të madhe imazhin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.