E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinaku: Largimi nga Vetëvendosja është spekulim

Nga Express më 03 shkurt 2011 në ora 12:00

(E plotësuar) Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku e ka quajtur spekulim lajmin se dy deputetët e këtij subjekti që ishin pjesë e listës së Vetëvendosjes, do të largohen nga kjo Lëvizje.

"Në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e Re” si lajm kryesor është publikuar një spekulim në lidhje me raportet e Lëvizjes për Bashkim me Lëvizjen Vetëvendosje! dhe me Partinë Demokratike të Kosovës! Sipas këtij lajmi deputetët e Lëvizjes për Bashkim e paskan braktisur koalicionin me Lëvizjen e Vetëvendosje! dhe paskan lidhur marrëveshje me Partinë Demokratike të Kosovës për të formuar qeverinë. Për fat të keq, pre e këtij e spekulimi kanë rënë edhe shumë mediume të tjera pa e verifikuar saktësinë e informatës së lëshuar nga “Epoka e Re”! Lëvizja për Bashkim deklaron se nuk ka asgjë të re qoftë në raportet me Lëvizjen Vetëvendosje! qoftë me Partinë Demokratike të Kosovë", thuhet në reagimin e Klinakut.

"Sa i përket koalicionit të mundshëm qeveritar, Lëvizja për Bashkim do t’i përmbahet qëndrimit të mëhershëm se nuk do të bëjë koalicion me ata që janë përgjegjës për situatën e rëndë në të cilën ndodhet Kosova dhe qytetarët e saj", ka theksuar ai.

Vetëvendosja minus dy deputetë

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit që doli e treta në garën për parlament të Kosovës duket se nuk i ka më 14 deputetë.

Agim Kuleta dhe Aurora Bakalli, anëtarë të Lëvizjes për Bashkim kanë braktisur subjektin politik të Kurtit.

Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Epoka e re”, Avni Klinaku, kryetar i Lëvizjes për Bashkim.

"Po, është e vërtetë që dy kandidatët e Lëvizjes për Bashkim, nuk do të jenë përfaqësues të Vetëvendosjes në Kuvend”, ka thënë Klinaku, duke shtuar se marrëveshja me Vetëvendosjen ka qenë vetëm parazgjedhore.

Klinaku është ankuar në PZAP se edhe ai ka fituar vota të mjaftueshme për të siguruar një ulëse në parlament, por votat e tij janë “avulluar” në shtatë qytete por edhe në Qendrën për Numërim të Votave. Ai është ankuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pranuar që Lëvizja për Bashkim të ketë komisionerë dhe as vëzhgues në shtatë qytete.

Klinaku ka theksuar se Lëvizja e tij është në negociata me PDK-në e Hashim Thaçit për krijimin e koalicionit të ardhshëm qeveritar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›