E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzohen të gjithë

PZAP’i i ka hedhur poshtë të gjitha ankesat lidhur me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Partive dhe kandidatëve u ka mbetur edhe një adresë për t’u ankuar. Në Gjykatën Supreme. Certifikimi i zgjedhjeve mund të bëhet të hënën. Nga Faton Ismajli më 03 shkurt 2011 në ora 11:22

Asnjë nga njëzet e dy ankesat e kandidatëve për deputetë dhe partive politike që janë deponuar pas publikimit të rezultatit të zgjedhjeve nuk është pranuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Nga 16 ankesa të kandidatëve për deputetë dhe 6 të subjekteve politike, PZAP’i ka vendosur se asnjëra prej tyre nuk është e bazuar në fakte.

Në vendimet e PZAP’it, të cilat i ka siguruar Express, kandidatë të partive politike ankohen se komisionarët ua vodhën votat gjatë numërimit dhe rinumërimit të votave.
Në PZAP është ankuar edhe Avni Klinaku, kryetar i Lëvizjes për Bashkim, i cili ka kandiduar për deputet nën flamurin e Vetëvendosjes.

Klinaku u ka shkruar panelit të gjykatësve se sipas rezultateve të dala nga Komisionet Komunale Zgjedhore, ai ka arritur të sigurojë një vend në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, votat e tij janë “zhdukur” gjatë procesit të numërimit në vendvotime, por edhe në Qendrën për Numërimin e Votave.

Ai ka dhënë detaje sesi në Gjakovë është dëmtuar për 94 vota, derisa në gjashtë komuna të tjera dëmtimi shkon në 361 vota, numër ky i mjaftueshëm për të kthyer rezultatin në favor të tij.

Klinaku ka kërkuar të bëhet rinumërimi i votave të Vetëvendosjes në shtatë komuna, aty ku Lëvizja për Bashkim nuk kishte asnjë komisionar dhe vëzhgues “për shkak të raporteve të brendshme me Lëvizjen Vetëvendosje”.

Mirëpo, PZAP’i ka refuzuar këtë kërkesë.

Blerta Maliqaj e Degës së PDK’së në Klinë është ankuar se në procesin e rinumërimit të votave i janë avulluar rreth 130 vota. Edhe kësaj kandidateje i është kthyer përgjigje negative.

Janë ankuar edhe tre kandidatë për deputetë të LDK’së, Xhavit Uka, Njomza Emini dhe Zef Morina, por edhe ata nuk kanë mundur të bindin PZAP’in.

Ish-deputetja e AKR’së, Njomza Emini është ankuar se i janë vjedhur votat, duke pretenduar se ka fituar 5900 vota. Ish-ministri Zef Morina thotë se i janë vjedhur votat gjatë numërimit, por, sipas PZAP’it, nuk ka ofruar asnjë fakt që të dëshmojë pretendimet e tij.

Në Partinë e Ramush Haradinajt janë ankuar dy kandidatë. Emine Tolaj dhe Enver Gashi, por as këta dy nuk e kanë bindur PZAP’in.

Enver Gashi ka shkruar se i janë manipuluar votat në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Podujevë dhe Obiliq.

Nga partia e pestë, AKR, janë ankuar tre kandidatë. Arta Haxhiaj ashtu është ankuar se i janë vjedhur votat, derisa Isa Turkaj pretendon se gjatë numërimit, komisionarët ia kanë vjedhur pesë mijë vota. Ai ka paralajmëruar se do t’i drejtohet edhe Gjykatës Supreme nëse nuk has në mirëkuptim të PZAP’it.

Deputetja e Partisë së Drejtësisë, Nafije Gashi, e cila ka qenë në listën e AKR’së, ka marrë përgjigjën e njëjtë sikurse krejt kolegët e saj.

PZAP’i ka refuzuar edhe ankesën e Danush Ademit, kryetar i Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës, Abaz Ademit të BSDAK’së, Gani Elshanit të PDAK’së, Zoran Ristic nga Lista e Bashkuar Serbe, Qerim Bajrami nga VAKAT’i, Sabri Kurtishi i VAKAT’it, Rusu Taç i KTB’së, dhe Cemil Cuma i KDP’së.

PZAP’i ka hedhur poshtë edhe ankesën e BIRN’it dhe Vetëvendosjes që janë ankuar se nuk ka pasur transparencë gjatë publikimit të rezultateve. As ankesa e SKMS’së nuk është pranuar, e cila pretendon se i janë manipuluar votat gjatë rinumërimit.

Pasi t’i marrin vendimet me ankesat e refuzuara, kandidatët dhe partitë mund të apelojnë vendimin në Gjykatën Supreme, e cila është e obliguar që në afat prej 72 orësh të kthejë përgjigjeje.

KQZ’ja mund të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve të hënën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›