Thaçi: Nga e hëna, takimet zyrtare me spektrin politik

Nga e hëna zyrtarisht do të nisin bisedimet për formimin e koalicionit qeverisës, ndërkaq në krye të kësaj qeverie do të jetë Hashim Thaçi. Këtë e ka thënë vetë Thaçi të enjten, duke hequr çdo dilemë nëse pas presioneve të ndryshme, mund ta heq dorë nga posti i kryeministrit. Ndërkaq për mosdhënien e pagave të shërbyesve civilë me ngritje, siç kishte marrë vendim qeveria më 6 janar të këtij viti, kryeministri në dorëheqje ka fajësuar subjektet tjera që kanë zvarritur procesin zgjedhor, e sidomos për rivotimin në komunën e Mitrovicës.
Kryeministri në dorëheqje ka thënë se ndërtimi i institucioneve është duke ecur me një ritëm të mirë, të suksesshëm dhe se para trevjetorit të pavarësisë do të konsolidohen institucionet e reja të Kosovës.
Ai ka theksuar se PDK-ja nuk synon t’i ketë të tri postet kryesore të shtetit, por ka siguruar se ai nuk do të jetë president, por kryeministër që do të unifikojë spektrin politik në vend.
“Tani unë e kam fituar besimin e plotë qytetar, tani më kam kontratë me qytetarin e Kosovës për katër vjetët e ardhshme. Qytetari ka vendosur për pozicionin e çdo lideri, por edhe të partive politike. Natyrisht se në këtë drejtim do të vazhdojë të jem në një rol unifikues, me spektrin politik dhe qytetar, por jo si president, por si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Nga e hëna do të fillojë takimet zyrtare me spektrin politik për shtetndërtim dhe konsolidim të shtetit tonë, por edhe me partnerët tjerë potencial për ndërtimin e qeverisë së re të Kosovës me mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Pra unë kontratën me qytetarët nuk e thyej dhe do të jem në krye të përgjegjësisë dhe besimit të qytetarëve të vendit. Gjithashtu dëshiroj të theksoj se edhe president do të jetë vetëm ai president që ka kaluar nëpërmjet procedurave elektorale për besimin qytetar”, ka thënë Thaçi.
Sa i përket akuzave për ‘mashtrim të qytetarëve për ngritje të pagave’, Thaçi ka drejtuar gishtin tek subjektet politike që me ankesa të shumta kanë zvarritur përfundimin e procesit zgjedhor.
“Unë e theksoj, kisha planifikuar ndërtimin e institucioneve në janar. Stërzgjatja e procesit zgjedhor ka qenë faktori vendimtar. Ai vendim është në fuqi dhe njerëzit do t’i marrin pagat me aprovimin e buxhetit në Kuvendin e Kosovës. Kjo është përgjegjësi e gjithë spektrit politik, sa më parë të mblidhet Kuvendit, të aprovohet buxheti dhe njerëzit t’i marrin pagat e tyre. Në këtë drejtim shpreh keqardhjen time personale, shpreh edhe mllefin për këtë vonesë të panevojshme dhe mund të them vendimin e ndikuar direkt në Gjykatën e Supreme për rivotim në Mitrovicë”, është shprehur i ai.
Kreu i PDK-së ka bërë të ditur se edhe tani janë duke ndodhur takime të ndryshme sa i përket ndërtimit të institucioneve të reja, mirëpo zyrtarisht, sipas tij, takimet do të fillojnë nga e hëna, ndërsa pjesë e këtyre bisedimeve do të jetë spektri politik, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ai ka siguruar se PDK-ja që tani i ka numrat e mjaftueshëm për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. /kosovapress/