Shala merr përkrahje për projektet e mëdha
Ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala në vazhdën e vizitës në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar një varg takimesh me drejtues të Agjencisë Amerikane për Tregti dhe Zhvillim (USTDA) dhe Bankës Botërore.
Zyra për informim e MEF-it, bëri të ditur se ministri Shala ka marrë r përkrahjen për projektet e mëdha të infrastrukturës në Kosovë nga USTDA dhe Banka Botërore.
Bëhet e ditur se fokus kryesor i diskutimit ka qenë projekti për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike të Kosovës, si Termocentrali “Kosova e Re”, ku janë dhënë shpjegime për mënyrën e realizimit të këtij projekti në bashkëpunim me të gjithë akterët relevant.
Gjatë takimit me zëvendësdrejtoreshën e Bankës Botërore për zhvillim të qëndrueshëm Inger Andersen, si dhe zyrtarë tjerë të lartë nga ky institucion është ritheksuar përkrahja e Bankës Botërore për projektet në Kosovë.
Ministri Shala po ashtu është takuar edhe me drejtoreshën Leocadia Irene Zac dhe zyrtarë tjerë të lartë nga USTDA (Agjencia Amerikane për Tregti dhe Zhvillim), me të cilët i ka diskutuar një varg projektesh të rëndësishme zhvillimore në fushën e transportit, energjisë dhe telekomunikacionit në Kosovë.
“Kjo Agjenci shprehu një interesim të veçantë në gjetjen e kompanive amerikane të cilat do të investojnë në këta sektorë”, njofton MEF.
Gjithashtu ministri Shala ka pasur një varg takimesh edhe me senatorë dhe kongresmenë të ndryshëm të cilët janë pjesëmarrës në ngjarjen e njohur vjetore me emrin “ Lutjet kombëtare të mëngjesit”.
Pjesëmarrja në këtë ngjarje e ministrit Shala ka bërë të mundur takime intensive me pjesëmarrës në këtë ngjarje si dhe një varg takimesh tjera me personalitete si Dick McCormick , David Laux, etj.