E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fituesi i çmimit Mitrush Kuteli, emigrant ilegal

Romeo çollaku nuk ka “letra” për të lëvizur nga Greqia në Shqipëri
Romeo çollaku është tashmë një emër i njohur në Shqipëri dhe Greqi. Ai është poet, tregimtar dhe përkthyes veprash, që tashmë ka hyrë në “enët komunikuese” mes dy kulturave kombëtare. Por ndonëse fama e tij nuk e pati të vështirë të pushtojë dy anët e kufirit, Romeo e ka të pamundur të kalojë fizikisht traun ndarës të kufijve. Mungesa e një vize dhe e lejes së qëndrimit në Greqi e ka shndërruar në “një mision të pamundur” kthimin e tij në Shqipëri dhe tërheqjen e dy çmimeve letrare që i janë akorduar. Pamundësia e pajisjes me një vizë kalimi, për të mos pretenduar për dokumente të rregullta e deri dhe pasaportë e nënshtetësi greke për Romeo çollakun, është një absurditet, përballë kontributit real që ai ka si krijues shumë i vlerësuar nga qarqet dhe autoritetet letrare e madje edhe diplomatike të dy shteteve. Ka më shumë se tre vjet që është bërë sa evidente, aq edhe e pakuptueshme pamundësia për të lëvizur lirshëm Romeo çollaku nga kryeqyteti grek në atë shqiptar, edhe kur ai ftohet për të marrë trofetë e fituar në konkurse kombëtare. I ati, Petro çollaku, thotë se kjo është një histori e përsëritur edhe në këto ditë të para të shkurtit, kur në Tiranë u ndanë çmimet e konkursit kombëtar të krijimtarisë letrare për vitin 2009. Kryetari i jurisë, Mark Marku, anonçoi emrin e Romeos, si fitues të çmimit “Mitrush Kuteli”, akorduar nga juria e konkursit kombëtar të shpallur nga MTKRS. Ndërkohë që këtë çmim e tërhoqi jo autori, siç ndodhi me çdo fitues, por botuesja e tij, Arlinda Dudaj. Madje edhe ajo u shpreh se njihte vetëm librin e tij me tregimin e shkurtër, titulluar “Për shtegtarët e pak metrave katrorë”. Vepra e Romeos nuk e ka vështirë të kapërcejë kufirin, jo vetëm të botohet, por edhe të çmohet në shtetin amë, ndërsa ai vetë, kurrsesi. E njëjta mungesë e tij bëri që në vitin 2007 çmimin “Fan Noli”, të fituar, krerët e jurisë t’ia dorëzojnë të atit, Petros. Po kështu, mungesa e tij në premierën e tragjedisë greke “Trojanët”, të përkthyer prej tij e të vënë në skenë në Butrint. Në tri momente kyçe për rrugën e tij krijuese, ai vetë nuk mund të jetë i pranishëm. Arsyeja? As këto vepra të vlerësuara nuk vlejnë për t’ia bërë të lehtë ngritjen e traut të doganës apo që ambasadat respektive të mundësojnë për këtë krijues qarkullimin fizik, siç qarkullon vepra letrare e tij në të dyja anët e kufirit.
I ati tregon se Romeo ka ikur si emigrant i rregullt në Greqi. Fillimisht punoi në punë të rëndomta, si shumë shqiptarë, pastaj u stabilizua në një kompani që merrej me masat e sigurimit nga zjarri. Punoi për shumë kohë atje, por rezultoi që ajo firmë punonte në gri, nuk ishte regjistruar në organet tatimore të shtetit dhe si e tillë, iu mbyll aktiviteti. E keqja ishte se gjatë viteve të punës atje, Romeo nuk merrte sigurimin shoqëror, të njohur me IKA, gjë që i ndikoi negativisht në rinovimin e dokumenteve të qëndrimit, përveç që kjo i kushtoi edhe me mbetjen pa punë për një kohë të gjatë. Por pikërisht këtë kohë ai e mbushi me krijimtarinë e vet letrare, duke shkruar dhe përkthyer krijimtarinë e vet. Kësaj kohe i përkasin edhe përkthimet e veprave të dy autorëve grekë, përktheu “Trojanët” e Euripidit. Po kështu, përktheu një autor tjetër, shumë të anatemuar në Greqi, për shkak se ai ironizonte papatin dhe fenë. Ndërkohë, ai punon në një ent botues në Athinë. Ndërsa për pajisjen me dokumente qëndrimi ai është në pritje të premtimit për lehtësimin e regjimit të vizave. “Tani do të hiqen vizat. Im bir nuk mund të sorollatet zyrë më zyrë e të bëhet i bezdisshëm për të marrë leje qëndrimi”, shprehet i ati me shpresën se së shpejti i biri do të ketë mundësi të kthehet në atdhe dhe të shijojë frytet e punës së tij krijuese.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›