E Diel, 1 Nëntor 2026

"Fituesit rrinë vetëm"

Bereta Px4 është një revole kompakte, pak më e madhe se një celular, peshon 700 gramë dhe mund të qëllojë deri në dhjetë herë. E vogël, e lehtë, e padukshme, kur e mban në xhep, por me gjithë kalibrin e saj të vogël fsheh një avantazh të madh: në vend që të kalojë përmes trupit të viktimës, ajo godet kockat dhe shkatërron çdo gjë që i del përpara.

Duket që shanset për t‘i mbijetuar një goditjeje të këtij kalibri janë mjaft të larta; ka me mijëra raste në të cilin asnjë arterie jetësore nuk ka mbetur e dëmtuar dhe viktima ka pasur kohë të mjaftueshme për të reaguar dhe çarmatosur agresorin. Sidoqoftë, nëse personi që përkul këmbëzën ka eksperiencë të mjaftueshme, ai mund të zgjedhë midis një vdekje të shpejtë, duke shënjestruar midis syve ose drejt e në zemër; ose një më të ngadalshme, duke ia drejtuar grykën në një kënd të caktuar ngjitur me brinjët dhe duke lëshuar plumbin në fluturim. Personi i qëlluar do pak kohë të kuptojë që është qëlluar për vdekje dhe përpiqet të luftojë, të largohet ose të thërrasë për ndihmë. Avantazhi më i madh është së viktima ka kohë për ta parë fytyrën e vrasësit të vet, ndërsa forcat i bien dalëngadalë, përplaset në tokë me currila të vegjël gjaku, akoma pa e kuptuar mirë çfarë është duke i ndodhur.

Është larg të qenit arma ideale për ekspertët. E këndshme dhe e lehtë në çantën e një zonje. Nuk ka më forcë frenuese, i tha Xhejms Bondit dikush në Shërbimin Sekret Britanik në serinë e parë të filmave të tij, duke i konfiskuar atij një pistoletë të vjetër në këmbim të një modeli të ri. Sidoqoftë, kjo këshillë u përket vetëm profesionistëve, dhe është perfekte për të përmbushur atë që ka në mendje për momentin. Ai e ka blerë Beretën në tregun e zi, ndaj dhe nuk ka mundësi gjurmimi. Në karikator ka pesë fishekë, por ai ka ndërmend të përdorë vetëm njërin prej tyre, majën e së cilit e ka shënuar me një "X", duke përdorur një manikyr thonjsh. Kështu që kur ai të shpërthejë nga gryka dhe të godasë diçka të fortë, të ndahet në katër pjesë.

Ai do ta përdorë Beretën vetëm si shpresën e fundit. Ka mënyra të tjera për të asgjësuar një botë, për të shkatërruar një univers, dhe ajo me siguri do ta kuptojë mesazhin menjëherë sapo të gjendet viktima e parë. Ajo do ta dijë që ai e ka bërë në emër të dashurisë, që ai nuk ndihet i ofenduar, por do ta marrë atë pa e pyetur për jetën e saj këto dy vitet e fundit.

Ai shpreson se gjashtë muaj përgatitjesh të kujdesshme do të prodhojnë goxha rezultate, por sigurinë e plotë do ta ketë të nesërmen në mëngjes. Plani i tij për të lejuar Furian, plani i tij është që të lëshojë Furiat, këto figura të lashta të mitologjisë greke, të ulen me krahët e tyre të zinj mbi atë fushë bardhë e blu plot me diamante dhe makina të shpejta që nuk mund t‘i përdorë më njeri sepse mbajnë vetëm dy pasagjerë. Me disa punime të vogla dore, ai ka sjellë me vete gjithë ato ëndrra për pushtet, sukses, famë dhe para, të cilat mund të prishen brenda çastit. Ai mund të shkonte lart në dhomën e tij, sepse skena për të cilën kishte pritur të ishte dëshmitar ndodhi në 21:21 të darkës, sidoqoftë ai ishte përgatitur të rrinte edhe më gjatë.

Burri dhe shoqëruesja e tij bukuroshe mbërritën - të dy të veshur me kostume mbrëmjeje - për një tjetër shfaqje gala që mbahet si çdo natë pas ndonjë darke të rëndësishme, të cilat tërhiqnin më shumë njerëz se në asnjë film premierë apo festival.

Igori e hoqi shikimin nga gruaja. Ai e mbuloi fytyrën pas një gazete franceze (një gazete ruse do të ngjallte dyshime), që ajo mos ta shihte atë. Një përkujdesje e panevojshme: si çdo femër që ndihet sikur të jetë mbretëresha e botës, ajo nuk i hidhte sytë tek asnjëri. Këto femra kanë lindur për të shkëlqyer, gjithmonë shikojnë se çfarë kanë veshur të tjerët, sepse edhe sikur ato të kenë mbi trup rrobat dhe aksesorët më të shtrenjtë në botë, një diamant apo xhevahir më tepër mbi gjoksin e dikujt do ta bënin atë të ndihej keq ose inferiore.

Shoqëruesi i saj elegant me flokë të thinjura në gri, u hodh nga bari për të porositur shampanjë, një aperitiv i nevojshëm për një mbrëmje që premtonte kontakte të reja, muzikë të bukur dhe një pamje të këndshme nga plazhi dhe jahtet e ankoruara në mol.

Ai vuri re sesa i sjellshëm e i edukuar ishte ky burrë që po falënderonte kamerieren që i solli pijen, duke i dhënë një bakshish shumë të majmë.

Të tre e njihnin njëri-tjetrin. Igori ndjeu një valë lumturie ndërsa adrenalina po i kilikoste venat e gjakut. Ditën tjetër ai do t‘ia bënte të ditur plotësisht asaj prezencën e tij, derisa në një moment të qaseshin për t‘u takuar.

Një Zot e dinte se çfarë kishte për të dalë prej asaj mbledhjeje. Igori, një ortodoks e katolik, kishte bërë një premtim dhe një përbetim në një kishë të Moskës përpara statujës së Shën Marisë. Ai kishte pritur për gati pesë orë, kur më në fund i pa ata, dhe ndjeu siguri se gjithçka ishte diçka e ëndërruar prej priftërinjve. Ai sigurisht që nuk ndërmori rrezikun për të thyer fjalën dhe kërkoi mbrojtje për gruan, dhe ndihmë për të arritur qëllimin e vet pa shumë sakrifica. Ai ishte zotuar gjithashtu që kur gjithçka të mbaronte, të paktën të kthehej në vendlindjen e tij për të marrë si shpërblim një ikonë prej ari te një artist i njohur që jetonte në një manastir në Novosibirsk.

Në tre të mëngjesit, bari i hotelit "Martinez" kutërbonte era duhan dhe djersë. Në atë moment, Xhimi (që vishte gjithmonë këpucë me ngjyra të ndryshme), ndaloi së luajturi në piano dhe kamerierja u bë telef, por njerëzit që ishin akoma aty nuk donin të iknin. Ata donin të qëndronin në paradhomë edhe për ndonjë orë tjetër, ose deri në fund të natës. Derisa diçka të ndodhte!

Prej katër ditësh qëndronin në Festivalin e Filmit në Kanë, por ende asgjë nuk kishte ndodhur. Çdo të ftuari, në çdo tavolinë i interesonte vetëm diçka; të takonte njerëz të pushtetshëm. Gra të bukura presin që ndonjë producent të dashurohet pas tyre e t‘u japë rolin kryesor në shfaqjen e ardhshme. Disa aktorë bisedojnë mes tyre, tërësisht të qeshur e duke pretenduar se biznesi është një çështje që s‘ka të bëjë fare me ta, por gjithmonë e hedhin një sy nga dera. Ndokush do jetë duke ardhur. Ndonjë duhet të mbërrijë. Drejtorë të rinj, plot ide e më një cv ku listohen videot që kanë realizuar në kohën e universitetit, të cilët kanë lexuar gjithçka që ka të bëjë me fotografinë dhe skenarin, shpresojnë për një ledhatim të fatit; ndoshta të takojnë dikë që, i sapokthyer nga festa kërkon një tavolinë bosh për t‘u ulur, ku më pas do të porosisë një kafe, do të ndezë një cigare, ndonjë që është i lodhur nga të njëjtat vende ku shkon çdo herë e që ndihet i gatshëm për një aventurë të re.

Sa naivë!

Nëse kjo ndodh, gjëja e fundit që këta persona do të donin të dëgjonin, janë ca "kënde të freskëta" në një subjekt të rëndomtë; por dëshpërimi e mashtron të dëshpëruarin. Njerëzit e fuqishëm që hyjnë rastësisht, hedhin veç një sy kalimthi e pastaj ngjiten në dhomat e tyre. S‘kanë asgjë që t‘i zemërojë. Nuk ka asgjë që i frikëson. Këta njerëz Superklas nuk e harrojnë tradhtinë dhe i njohin kufijtë e tyre -çfarëdo që të thonë legjendat, ata asnjëherë nuk lajmërojnë se ku janë për t‘iu shmangur të tjerëve. Nga ana tjetër, nëse duhet të zbulohet ndonjë talent i madh, në botën e kinemasë, muzikës apo modës, shfaqen vetëm pasi kanë bërë kërkime të shumta, e me siguri jo në ndonjë bar hoteli. Njerëzit Superklas nuk bien në dashuri me vajza që kujdesen për vizitorët pa biletë e që luajnë për hiçgjë. Ato flasin për make-up e tyre, studiojnë linjat e fytyrës dhe mendojnë se është koha për ca ndërhyrje të tjera kirurgjikale. Lexojnë mes lajmeve on-line për të parë nëse njoftimi që ata kanë çuar më herët ka dalë në media. Flasin për të pashmangshmen pilulë të gjumit dhe të pirit çaj që premton humbje të shpejtë në peshë. Porosisin në menynë e tyre të mëngjesit tabela që t‘i varin jashtë derës me shënimin "Mos na shqetësoni". Njerëzit Superklas mbyllin sytë dhe mendojnë: "Shpresoj të fle sa më shpejt. Kam një takim nesër në orën 10:00".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›