Fitzgerald: “Në Kosovë, 2500 trupa të KFOR-it brenda dy viteve”
Admirali amerikan i NATO-s për Europën juglindore, Marks Fitzgerald bën të ditur se KFOR-i do të reduktojë prezencen e vet në Kosovë, brenda dy viteve në vetëm 2500 trupa. Shkak për këtë është siguria në Kosovë dhe gjendja e qëndrueshme. Në një konferencë për media, admirali amerikan tha se shpërndarja e trupave do të bëhet në të gjithë territorin e Kosovës, veçanërisht në zonat me më shumë probleme. “Këto 2500 trupa do të jenë të shpërndarë në gjithë Kosovën, aty ku ka nevojë më shumë për stabilitet dhe siguri”,- tha Fitzgerald. I pyetur nga gazetarët për rolin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fitzgerald përjashtoi mundësinë e zëvendesimit të KFOR-it me FSK, duke e quajtur atë si forcë që do të merret thjesht me çështje emergjente. Fillimisht KFOR-i përbëhej nga 50 000 trupa të vendeve anëtare të NATO-s dhe vendet jo anëtare, nën një komande dhe kontroll të bashkuar.
Sejdiu fton serbët: “Merrni pjesë në zgjedhjet e 15 nëntorit”
Presidenti Fatmir Sejdiu, i ka ftuar serbët e Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 15 nëntor të këtij viti. “I ftoj serbët që të marrin pjesë dhe të bëhen një faktor i rëndësishëm në procesin politik”,- tha presidenti Sejdiu për agjencinë e lajmeve AFP. Ai kërkoi gjithashtu, ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, që “t’i inkurajojë serbët për të marrë pjesë në zgjedhje dhe t’i bëhet e qartë Beogradit, që të mos jetë pengesë e pjesëmarrjes së serbëve”. Duke u shprehur për integrimet euroatlantike të rajonit, Sejdiu theksoi se “në rastet si Serbia, duhet të insistohet, që në kriteret për integrim, të përfshihet edhe lënia prapa e qasjeve irracionale, siç është ajo e Serbisë ndaj Kosovës”.
18 Qershor 2009