E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani thirrje BE-së: Qëndroni larg punëve të brendshme të vendit!



Blerina Olldashi
Ministria e Jashtme në Iran ka thirrur në takim ambasadorin gjerman dhe diplomatë nga vende të tjera europiane për të protestuar kundër reagimeve “armiqësore” të qeverive të tyre pas zgjedhjeve presidenciale. Lajmi u bë i ditur nga mediat zyrtare në Teheran. Irani në këtë mënyrë u bën thirrje qeverive perëndimore të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe të mos përzihen në punët e brendshme të vendit. Sipas të dhënave zyrtare, presidenti aktual Mahmoud Ahmadinejad ka fituar me diferencë të madhe zgjedhjet e së premtes së kaluar. Situata e tensionuar ka vazhduar edhe dje në Teheran për të tretën ditë radhazi, ku qindra demostrues janë mbledhur për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Mbështetësit e kandidatit të moderuar që humbi zgjedhjet, Mir Hosein Mousavi manifestuan edhe në orët e pasdites kundër rizgjedhjes së presidentit Ahmadinejad. Musavi ka bërë thirrje për një tubim paqësor në një xhami, ku, sot do të nderohen 7 personat që gjetën vdekjen në këto ngjarje. Pjesëmarrësit, të pajisur me nga një shirit jeshil tek kyçi i dorës, që është shenja e Musavit, ngritën gishtat në shenjë fitoreje. Ndërkohë mësohet se personat e arrestuar për trazirat mund të ndëshkohen me dënimin me vdekje. Lajmin e ka bërë të ditur një prokuror iranian, i cili ka saktësuar se Kodi penal islamik parashikon dënimin kapital për ata që shkaktojnë dëme dhe zjarre. Persona të tillë në republiken islamike njihen me termin “Mohareb”, që do të thotë “armiqtë e Zotit”. Sipas autoriteteve iraniane, nxitësit e trazirave jane të lidhur me grupet anti-revolucionare dhe me “armiqtë e huaj”. Ndërkohë që në rrugë u mblodhën grupe kundërshtarësh dhe simpatizantësh të pushtetit, në Iran ka nisur prej kohësh edhe lufta dixhitale për drejtimin që do të marrë vendi. Adresa të ndryshme në internet janë vënë në përdorim të autoritarëve të ndryshëm të cilët herë pas here kanë bërë publike informacione jo të sakta. Garda Revolucionare e Iranit, forcë elitare e cila mbron rregullat dhe moralin e republikës islamike tha se “do të marrë të gjitha masat ligjore ndëshkuese kunder web Site-ve që sipas tyre nxisin popullin të protestojë”. “Ne shumë shpejt do të informojmë popullin me hollësirat e këtyre rrjeteve të internetit dhe paralajmerojmë të gjithë ata njerëz që përdorin ‘Cyberspace’ për të nxitur kryengritje dhe për të mashtruar njerëzit se ndaj tyre do të merren masa ndëshkuese që do të jenë shumë të renda”. Garda sulmoi edhe shërbimet e inteligjencës amerikane dhe kanadeze për përfshirje, nxitje, financim dhe ndihmë teknike në mbeshtetje të web Site-ve.

18 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›