E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse nuk duhej shkatërruar Uzina e Rubikut



Msc. Ing Nikollë GEGA*

Vijon nga numri i kaluar

Duhet përmendur se uzina e Bakrit në Rubik e cila realizonte ciklin e plotë të shfrytëzimit kompleks të elementëve shoqërues të bakrit, e vetmja në vend për prodhimin e arit dhe argjendit, në vitin 1991, kishte mbi 10 milion dollarë lëndë të para, produkte gjendje në proces dhe materiale të tjera; ndërsa vlera e objekteve vlerësohej rreth 25 milionë dollarë (ku vetëm reparti i prodhimit të fletëve bimetalike ishte 3 milionë dollarë).
Sot situata është tërësisht ndryshe; sepse kanë mbetur vetëm objektet e Uzinës së Rafinimit, Impianti i skories në Shëngjin, (në fakt i tjetërsuar nga kompania “Ber-Oner”, duke e përdorur për ruajtje e magazinime portuale pa pagesë) koncentrati i bakrit, etj., në kundërshtim me ligjin e marrëveshjen e koncesionit.
Dëmi i deritanishëm mund të arrijë rreth 10–15 milionë dollarë në vlerë; mallra, makineri - pajisje, amortizim total. etj. Vetëm vlera e dy oxhakëve është rreth 2 milionë euro, ndërkohë që projekti realizon veprim “ ekonomik”, duke vënë në dispozicion 4,5 milionë euro nga fondet e BE-së për të shembur rreth 5 milion euro, e groposur në shtratin e lumit jo më shumë se 10 mijë ton materiale.
Projekti i lënë në mes në vitin 2005, parashikonte depozitimin e mbi 150 mijë ton mbetjesh të rrezikshme të të gjithë vendit, me një vlerë investimi të përafërt me këtë që po ndërtohet në shtratin e lumit Fan. E vërteta është se kur sinkronizohen me mjeshtëri synimet e piraterisë minerare, grumbullimit të skrapeve etj., shkalla e vështirësisë për parandalim të këtij fenomeni rritet nëse strukturat që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë nuk veprojnë apo, aq më keq, kur mendojnë të bashkëpunojnë
Përgjegjësia është e gjerë dhe shtrihet nga Tirana deri në Rubik. Mirditës i humbi shansi e mundësia për të riaktivizuar disa sektorë minerarë së bashku me Uzinën, si pjese integrale dhe e domosdoshme e degës së bakrit, kur një gjë e tillë mund të bëhej me pak sakrificë. Ishin të gjithë instrumentet e duhura për ta realizuar këtë, por vendim-marrësit nuk duhej të ndikoheshin nga këshilla jo efektive të disa specialistëve të minierave. Me veprimet apo mosveprimet e kryera, është lënë hapësirë më vonë që autoritetet përgjegjëse të thellojnë dëmin ndaj zonës, ashtu siç po ndodh aktualisht me industrinë e bakrit.
Duhet të njihet popullata në Rubik se strukturat likuiduese të ish-Albakrit, nën drejtimin e përfaqësuesve të pronarit-shtet, paguhen e shpërblehen pa kontribut, me përdorim jo-efektiv të pasurisë së mbetur ende në Uzinë.
Heshtja e institucioneve
Kur grupi i specialistëve të industrisë së bakrit kërkonte në instancat e larta për të parë mundësinë e aktivizimit të Uzinës, duke e dhënë me koncesion sipas ligjit, duhej të kishte pasur angazhim dhe oponencë edhe nga Bashkia e Rubikut, si organi më i interesuar për vënien e pasurisë në interes të zonës, pavarësisht nëse nuk përgjigjej ligjërisht për administrimin e saj. Kjo Bashki deri tani, më tepër mbështetet në përkrahjen sociale për shkak të nivelit të lartë të papunësisë.
Kryetari i Bashkisë, me dy - tre kolegë inxhinierë metalurgë, anëtarë të Këshillit Bashkiak, kanë pasur mundësinë që ta vlerësojnë seriozisht një situatë të tillë, duke sensibilizuar e kërkuar llogari autoriteteve përgjegjëse me mbështetjen edhe të deputetëve të zonës.
Përpara se të kalonte procedurat për me tej, projekti i demolimit të Uzinës dhe groposja në shtratin e lumit Fan, kërkohej diskutim më i gjerë me publikun e specialistët e interesuar, mbështetur në kuadrin ligjor.

Vendimmarrje të këtij niveli që lidhen me zonën, e cila i ka zgjedhur për të shërbyer, kërkojnë vlerësime më serioze, sepse një leje e dhënë pa e gjykuar të gjithë palët e interesuar sjell pasoja më vonë. Nuk duhet rënë viktimë e projekteve që nuk sigurojnë rritje niveli jetese në zonë, përkundrazi e dobësojnë atë.
Mundësitë e shtruara për zgjidhje
Vendimmarrje të nxitura e të servirura nga struktura të cilat përpiqen të realizojnë përfitime në kurriz të zonave të tilla, pa asnjë përgjegjësi më tej, ndëshkojnë breza të tërë. Në kushtet reale të ekzistencës së një infrastrukture industriale, përpara se të vihej eksplozivi oxhakëve, kishte disa variante për analizë në interes të zonës :
Së pari, riaktivizimi i Uzinës sipas skemës me disa përmirësime, në kuadër të zhvillimit të koncesionit, apo prishje të kësaj marrëveshje e kërkese për partnerë seriozë strategjikë, sepse nga koncesionari aktual është mbushur kupa për veprime të tilla. Vetëm rezervat e trupit të pasur mbi 5 % bakër, ar, argjend etj., në burimet e Munellës e Lak Roshit (1 milionë ton Munella dhe 500 mijë ton Lak Roshi ), përballojnë 30 vjet punë me kapacitet optimal. Investimet në Metalurgji për pastrim gazi, etj., si dhe disa përmirësime në Uzinën e Rafinimit nuk i kalonin të 15 milionë eurot
Në këtë rast, kërkohej sinkronizim i saktë veprimesh, me sensibilizim të shumë aktorëve, deputetë, të cilët fatkeqësisht e kanë braktisur Rubikun, duke përfshirë edhe popullsinë e zonës, gjë të cilën, një i zgjedhur ka autoritetin e mundësinë për ta realizuar. Vlera e dy oxhakëve (rreth 2 milionë euro) së bashku me fondin e groposur prej 4,5 milionë euro, mjaftonin për investimin në skemën e pastrimit të gazit në ketë Uzinë, ndërkohë që ,jo me shume se 100 mijë euro nevojiteshin për sistemim të mbetjeve bakërmbajtëse të parrezikshme, në shërbim të përmirësimit mjedisor.
Ky problem është trajtuar gjerësisht në letrën që një grup specialistësh, përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve, i kanë drejtuar Kryeministrit dhe Këshillit Bashkiak të Rubikut dhe disa deputetëve të Qarkut të Lezhës dhe të Shkodrës në vitin 2007.
Me këtë variant aktivizimi, sipas marrëveshjes së koncesionit, mund të punësoheshin rreth 300 veta, me perspektivë zgjerim aktiviteti për prodhimet e tunxhit, bronzit, sektorët për punime artistike, si prodhime bizhuterish që nga ari e argjendi, etj.
Alternativat fitimprurëse
Në Uzinën e shkrirjes; linjën e larjes e fraksionimit të kuarcit për inerte lumi, reparti i ofiqinës, reparti përgatitor i lëndëve të para mund të përdoreshin për përpunimin masiv nga karriera e gurit gëlqeror. Po ashtu, përshtatja pa ndonjë vështirësi e Furrës Ëater–Xhaketë për prodhimin e gëlqeres, duke konkurruar në zonën verilindore. Një tjetër fakt që do të përdorej në këtë zonë ishte edhe grupi i motorëve Dizel të cilët kanë fuqi për prodhimin e energjisë aq sa të furnizojnë të gjithë Rubikun.
Në Uzinën e Rafinimit: Aktivizimi i sektorit të avolzhimit, me kushte për të konkurruar edhe në nivel qarku; i repartit të shkrirjes së aliazheve për përpunimin e mbetjeve të bakrit, që sot trajtohen në rrugë amatore; përdorimin e laboratorit kimik për analiza në shërbim të zonës veriore, etj. Vetëm me këto që përmendëm, të cilat njihen me siguri nga shumë metalurgë, pasi ka edhe te tjera, mund te punësoheshin rreth 70 veta.
Së treti, nëse kishte ide ndërtimi në një vend tjetër të një uzinë shkrirjeje në të ardhmen, ndonëse ekzistonte një strategji e miratuar në vitin 2006, përsëri demolimi nuk ishte zgjidhja më bindëse. Kjo qendër industriale mund të përshtatej për aktivitete të tjera industrial, meqenëse qeveria e sotme po bën lëshime jo shume transparente, duke pranuar transferim teknologjie e kuotash mjedisore nga vende perëndimore, për efektin e ngrohjes globale, kuota të cilat Shqipëria i ka të lira sepse deri tani ka pak industri të zhvilluar.
Së katërti, një arsye tjetër që nuk duhej demoluar uzina ishte ajo e lënies “objekt në ruajtje”, në shërbim të vlerave historike industriale, apo edhe të një guide për praktika mësimore për nxënës të shkollave të mesme profesionale dhe studentë, apo për vizitorë vendas e të huaj. Ky variant nuk përjashtonte shfrytëzimin e linjave të sipërcituara, por do të ishin në sinkron e mbështetje të njëri-tjetrit.
Kjo kërkonte investime minimale, përshtatje të një objekti për muzeum, i pasuruar me dokumente të periudhave historike, por jo nga struktura të papërgjegjshme që kanë lënë arkivin e Uzinës në mjedise myku e lagështie. Si rrjedhojë, duhet pranuar se kishte mjaft zgjidhje të tjera me interes të gjithanshëm për zonën, përpara se te arrihej në aktin më primitiv me pasoja të pariparueshme.
Për këtë, ka munguar vullneti i politikë-bërjes nga strukturat që e kanë aktualisht në administrim këtë pasuri, prandaj duhej përpjekje maksimale nga ana e Bashkisë. Demolimi e trajtimi si objekt gjoja me ndotje të rrezikshme, është zgjidhja më e papranueshme, në dëm te interesave të zonës.
Oxhakët qe kanë rezistuar deri dhjetor 2008, mbi 70 vite, nuk përbënin rrezik, sepse me studim plotësues gjeologjik e sizmik mund të bëhej mirëmbajtje e tyre.
Është lehtë të shkatërrohet nga ato që nuk kanë kontribuar ne ngritjen e kësaj pasurie, por shume vështirë të ndërtohet.
Nuk besoj se Bashkimi Europian vepron kështu me paratë e taksapaguesve të tij. Për rastin e zbatimit të këtij projekti ka përgjegjësi edhe stafi i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë që ndjek konkretisht projektin. Ekonomia dhe Historia nuk bëhen me shkatërrime, por me administrim, ruajtje, përmirësime, e zëvendësime, me objekte më konkurruese.
Duhet kujtuar fakti që, nëse sot vlera financiare e shtëpive në Rubik (afro 700 familjeve) është rreth 1 miliardë dollarë, për një rënie të shkaktuar nga faktorë ekonomikë e socialë, p. sh. 50 %, kjo popullatë ka dëm rreth 500 milionë dollarë, ose rreth 7 mijë dollarë për familje, përveç parave shtesë që duhen siguruar për lëvizje të detyruar në zona me kosto më të lartë jetese.
Varianti i iniciuar nga Bashkia kur vetë kryetari është metalurg, i mirëpritur nga specialistët “roje” të ish-Albakrit, e të ministrisë përgjegjëse “jo politikë-bërëse”, për të venë në dispozicion e tjetërsuar plotësisht për qëllime magazinimi objektet e Uzinës së Rafinimit, e thellon fajin. Kjo sepse për këtë destinacion, ka mjaft objekte të tjera të përshtatshme të pashfrytëzuara në zonë.
Me këtë propozim, kryetari aktual i Bashkisë tregon se ka fshirë nga memoria profesionin e tij prej metalurgu e periudhën si drejtues në ketë uzinë. I kujtojmë se me këtë veprim kontribuon në plotësimin e interesave të piraterisë minerare, skrapeve, grosistëve monopolistë, etj., në kurriz të zonës e cila e ka zgjedhur atë për të shërbyer.
Nëse kjo ide lejohet, atëherë finalizohet shpartallimi i plotë i industrisë përpunuese të bakrit, duke lënë dorë të lirë në shfrytëzimit anti-ekonomik të rezervave bakërmbajtëse të zonës.
Humbjet që pësojmë të gjithë
Theksojmë se nga kompania turke “Ber-Oner”, me skemën aktuale të shfrytëzimit të rezervave të pasura të Munellës, hidhen në sterilet e pasurimit rreth 2800 kg ar, 42 ton argjend, mijëra ton bakër e zink, etj. Kjo pasuri që sot keqpërdoret nga koncensionari, do të merrej me vënien në punë të Uzinës së Bakrit në Rubik, nëse zbatohej objekti e qëllimi i marrëveshjes se koncesionit nga strukturat përgjegjëse shtetërore. Natyrisht, me këtë variant krahas të tjerave kishte më pak premisa për abuzime e fitime kolosale nga koncesionari, sepse produkti final për treg ishte me i kontrollueshëm. Por duhet pranuar se poseduesi i pronës, shteti ynë, siguronte të ardhura shumë me të mëdha se sa tani.
Vetëm sasia e arit e argjendit që humbet në dambë, si mbeturinë, do të arrije rreth 1,5 herë më shumë se sa prodhimi i realizuar nga Uzina e Bakrit Rubik prej vitit 1966 deri në vitin 1999, ndërkohë që pjesën tjetër (sasi e cila mund te mos jetë reflektuar në mallin e tregtuar) e merr koncesionari për ta përpunuar jashtë vendit.
Me veprimet e deritanishme shteti pronar siguron jo më shumë se 2 – 3 % te ardhura nga pasuria e dhënë për zhvillim, ndërsa koncesionari pjesën e luanit, gjë që është e patolerueshme në një situatë të ekonomisë së tregut, me rregulla loje.
Dëmi që mund të sjellë keqadministrimi i kësaj pasurie kombëtare, në shkelje të plotë të legjislacionit minerar etj., mund të arrijë rreth 400 milionë dollarë, apo 10 % e buxhetit aktual vjetor, pasi përveç të tjerave, me shfrytëzimin selektiv në Munelle e Lak – Rosh (trupat e pasur 1, 5 milionë ton) mund të groposen rreth 8 milionë rezerva bakri më pak të pasura.
Me këto veprime, në fund të periudhës së koncesionit, në vend që të mbetet skema e plotë për të vazhduar prodhimin e përpunimin e bakrit, shteti përfiton disa makineri e pajisje, pa ndonjë vlerë, e një sistem galerish të boshatisura, në kundërshtim të plotë me qëllimin e dhënies së objekteve të tilla për administrim e zhvillim
Për këtë i bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse që të mos thellojnë shkatërrimin e pasurisë të zonës, si kundërveprim ndaj kërkesës për aktivizimin e saj. Kërkohet që popullata e krahinës, dhe përfaqësuesit e zgjedhur të saj të vlerësojnë më mirë punën e autoriteteve përgjegjëse
Nëse në vitin 1938 qindra minatorë kërkonin me mjete demokratike me greva deri në ndërprerje pune, përmirësim të kushteve të punës, më duket paradoksale që sot, një zonë e tërë, me traditë të hershme në nxjerrjen e përpunimin e metaleve, aktualisht me shkallë të lartë papunësie, të nëpërkëmbet e të qëndrojë indiferente, kur dora e ligë shemb pasurinë.
Mbase “mund të jemi ne të gabuar”, e iu kërkojmë ndjesë atyre që nuk e shikojnë si mundësi punësimin në këtë uzinë, por duhet menduar me maturi edhe për brezat. Drejtuesit e zgjedhur dhe të emëruar, të paguar nga taksapaguesit shqiptarë, është e mira të hartojnë politika zhvillimi për zgjidhjen e mirëqenies të zonës, jo të kontribuojnë për shembjen lehtësisht të Uzinës, për të cilën nuk kanë venë as një tullë.
Shprehim keqardhjen për ndëshkimin që iu bë kësaj zone në prag të Krishtlindjeve të vitit 2008, me finalizimin e prishjes të dy oxhakëve, emblema të historisë së minierave dhe metalurgjisë në vendin tonë.
Si shumë të tjerë, kemi të drejtën morale e profesionale për të shprehur ketë qëndrim, gjithnjë me dëshirën për zgjidhje më të mira, sepse kemi ndjekur në dinamikë këtë situatë, ndonëse ka mbi 10 vjet që nuk jemi pjesë e saj Një arsye më shumë është fakti se brezat paraardhës, kanë kontribuar për ngritjen e ruajtjen e kësaj pasurie, të cilën persona pa kontribut po e varrosin tani.

Autori i shkrimit është ish-kryeinxhinier i Uzinës së Bakrit në Rubik

18 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›