Fizionomia kontradiktore e Edvin Ramës dhe pasojat politike të saj
Për të përligjur mosvënien e kandidaturës së tij në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, Edi Rama dëshmoi se nuk deshi të përballohej me votuesit. Kritikave të ashpra që iu drejtuan, veçanërisht nga Partia Demokratike dhe lideri i saj, ai nuk mundi t’u jepte një përgjigje të argumentuar. Madje parapëlqeu të mos jepte asnjë përgjigje, sipas stilit të temave tabù të kohës së diktaturës. Një rrëshqitje në arsyetimin politik të problemit sjell, zakonisht, gafa të mëtejshme, të prejardhura nga pikënisja alogjike që sjell, si pasojë, gabime të pajustifikueshme. Kësisoj, duke e gënjyer mendja se mund të merrte edhe një mori votash të të djathtëve, doli me atë sloganin “përtej së majtës dhe së djathtës”. Kjo ka të bëjë me iluzionet se ai, si person, mund të përfaqësonte popullin në përgjithësi, pa dallime partiake. Është një shprehje e megalomanisë e tij, për ambicien që ushqente prej kohësh për t’u bërë kryeministër i vendit. Ndërkaq bëhej nervoz me pyetjet e intervistuesve të medieve nëse, në supozimin se fitonte zgjedhjet dhe bëhej kryeministër, a do të vazhdonte të mbante, njëherësh, edhe ofiqin e kryetarit të bashkisë. Kësaj ai nuk i jepte një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke bërë teorizime të zgjatura. Por kuptohej që përgjigjja ishte po.
Në mendjen e tij bluante idenë, gjysmë të fshehur, gjysmë të shfaqur në mënyrë të kamufluar, që të bëhej njëfarë diktatori, në kushtet e demokracisë, gjë që s’ka pasur asnjë precedent historik në vendet demokratike të zhvilluara, si edhe në ato të rejat. Këto kundërthënie natyrisht që i vinin ré edhe anëtarët më me këmbët në tokë të partisë së tij, më të guximshimit e të cilëve, në mënyrë të druajtur fillimisht, ngrinin dyshimin se PS-ja do të mbetej pa identitet. Konsultat në partinë e tij ishin thuajse tërësisht të munguara dhe E. Rama nuk ishte e vështirë të shihej si diktator në partinë e tij, para se të arrinte të bëhej diktatori i të gjithë vendit! “Modestia” e tij, e mbuluar keqazi, se ai ishte një misionar, jo një politikan, jo vetëm që nuk përligjte dot atë “përtej së djathtës e së majtës” , por e rëndoi edhe më tepër gjendjen e tij të kapërthyer në kundërthënie, qysh në pikënisje, domethënë në mospranimin që të kandidonte në emër të PS-së. Por edhe mendjemëdhenjtë me nuanca psikopatike vuanin jo rrallë nga psikoza e inferioritetit.
Një psikiatër i shquar gjerman, pjesëmarrës në njërin ndër plenumet e rëndësishme të viteve Tridhjetë, i kishte bërë një vizitë Stalinit dhe të vërtetën për këtë gjendje të rënduar nga psikoza e inferioritetit, ia kishte pohuar, në mirëbesim, një miku të tij, komunist edhe ai. Ky njeri kishte përfunduar në proceset e mëvonshme politike të kohës. Në hetuesi kishte pranuar ç’kishte thënë për shefin e madh. Por hetuesi donte të dinte edhe ku mbështetej i pandehuri në një konkluzion të tillë (a mund të mos pohoje gjithçka në hetuesitë komuniste?). I pandehuri kishte nënshkruar se Stalini ishte lënduar në sedër nga oratoria e zjarrtë e Trockit dhe se e kishte peng atë thënien e Leninit se Radeku ishte thesari i partisë së Leninit. Kishte bërë edhe pohime të tjera të cilat u mbajtën të fshehta, përgjatë të gjithë kohës para destaslinizimit. Por Stalini kujtonte se do të mbaheshin përjetësisht të fshehta këto njolla të karakterit të tij. Dhe dënoi me vdekje édhe mjekun e famshëm, por édhe Jezhovin, ministrin sadist të Brendshëm, që i zhvillonte hetimet me atë paqortueshmëri terroriste, që kërkonte Stalini!
Kur të arrihet në shqyrtimet psikoanalitike të Enver Hoxhës, do të shohim se Enveri nuk i duronte dot njerëzit që e vinin nën hije, siç ka pohuar Nako Spiru, në një letër, të shkruar në italisht. Llazar Fundo, i përshkruar në një libër kujtimesh të Vedat Kokonës (pas rënies së diktaturës), ishte nga njerëzit më të kulturuar, sipas shkrimtarit të shquar. Vedati i kujton me përmallim ato vizitat e përbashkëta me Llazarin nëpër muzetë më të rëndësishme franceze dhe bisedat letrare, që dëshmonin erudicion dhe kulturë të padyshimtë. E bash për këtë njeri, që vuajti vitet e para të pushtimit në Ventotene dhe që tani (1944) luftonte bashkë me Kryezinjtë e Kosovës kundër okupatorëve, diktatori shqiptar u kishte dhënë urdhër forcave partizane shqiptare - që kishin kaluar kufirin verior, për nënshtrimin e kosovarëve që kishin shijuar për njëfarë kohe erën e lirisë, e që tani nuk i linin forcat jugosllave të Titos të vinin sërish nën sundim ato vende kreshnike, - që ta kapnin Zaí Fundon e ta ekzekutonin. Por më parë ta torturonin! (Fac simileja është botuar, me firmën e Enverit dhe zgjoi një kundërveprim të thellë nga Fan Noli kundër këtij akti çnjerëzor. Noli e çmonte së tepërmi Llazar Fundon. Për hollësi të mëtejshme mund të lexohet libri studimor i Luan Dodes për veprimtarinë e E.H-s).
* * *
Mbase Ramës i ishte mbushur mendja për fryrjen si ajo bretkosa e La Fontenit, që donte të bëhej sa një kà. Njerëzit po fillonin të kuptonin se po matej me hijën e mëngjesit. Këtë përshtypje e përforconin ato inkursionet që kishte bërë, sikur të ishte në fushatë zgjedhore, shumë kohë para kësaj fushate. Ato kishin performancën e koncerteve festive dhe doemos mblidhnin njerëz për shfaqje të tilla, gazmore, me autobusët vargan të mbushura me vashëza të reja e me lulka nëpër duar. Veçse në manifestimin zgjedhor përmbyllës të fushatës zgjedhore, Edvini nuk grumbulloi para Kryeministrisë, (para selisë së tij të ardhshme!), as një të dhjetën e asaj që grumbulloi dr. Sali Berisha, para sheshit Skënderbej, në të njëjtën kohë! Ndryshesa para këtyre manifestimeve vërtet të rëndësishme parazgjedhore, ishte një zhgënjim i thershëm për kryesocialistin e gafave dhe një frymëzim i një entuziazmi të mahnitshëm për demokratët që besonin sinqerisht në arritjet jo me kaq përqind më shumë, por me kaq herë më shumë!
Kjo duket se shkaktoi një tronditje shkatërrimtare në psikën e megalomanit të pafrenueshëm në halucinacionet e tij, që u bë i padurueshëm në britmat për ruajtjen qoftë edhe të një vote të vetme, të cilën mëkëmbësi i tij i protagonistit famëkeq të 3 prillit terrorist të Shkodrës, sigurisht që jo pa autorizimin e shefit e tha troç: “Do të ruajmë me gjak çdo votë!”.
Dhe përfundimisht Edvin Rama doli humbës në votimet e 28 qershorit të 2009-s.
Kjo fjala humbës, tani i rreh si çekan në kokë edhe nga mjaft anëtarë të kryesisë së P. Socialiste. Këta po e akuzojnë publikisht për personalizim të fushatës, për heqjen e identitetit të PS-së, për absurdin e atij slogani personal “përtej së majtës dhe së djathtës”, për zëvendësimin e kuadrove më përvojë politike të PS-së, me rioshë e me rioshe të psonisura në fakultete të jashtme, me përvojë zero në politikë, të cilët janë të zellshëm në mbrojtjen e përzgjedhësit, pa ditur se çdo të thotë misionar (i ngarkuar në realizimin e një detyre, - një ambasador, për shembull - ) dhe as teoremën që s’e ka të anasjellën, se politika ka misionarët e saj, por misionarët nuk mund të kenë politikanët e vet! Është, pra, një implikim i njanshëm. Janë misionarët të ndërvarur nga politika dhe jo anasjellas. Si kryepolitikan që kërkonte të bëhej, nga do të varej Edvini në cilësinë e misionarit? Nga parlamenti? Kryeministri nuk varet nga parlamenti, i cili vetëm sanksikonon ose jo reformat apo vendimet qeveritare. Këto rebuse nuk zbërthehen dot as nga këshilltarët juridikë, por Edvini nuk e ka gjetur të udhës të konsultohet me ta! Kësisoj përçarja e re është e pashmangshme, nëse humbësi do të ngulmojë në të tijën, që të mos zbatohet neni 28 i statutit të PS-së më 29 gusht, në Kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së.
...