E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasandrat e përparimit

Çfarë s’ndodh në vendin tonë! Nga një anë E. Braçe me grushtin lart në Kuvend, muaj me radhë u ngjir e na u bë kockë e lëkurë i gjori, kundër ndërtimit të rrugës së Bashkimit të Kombit, Durrës-Kukës. Nga ana tjetër asnjë nga anëtarët e udhëheqjes rozë, nuk u bë burrë të shihte nga afër punimet në autostradën e veriut, 29 urat e tunelin madhështor. Vetëm kur u desh të parashtronin programin bosh elektoral në Kukës, ashtu si austronautët e hënës, fluturuan mbi re, nga Tirana në Prishtinë, nga Prishtina në Kukës e anasjelltas. Kasandra e tyre BalkanWeb, u orvat disa herë të shembte tunelin vigan, por së fundi përplasi keqas ballin e vet në shkëmb, kur mijëra udhëtarë me automjetet e tyre, nga jashtë e brenda vendit, vazhduan të mrekulluar udhëtimin përgjat tunelit e rrugës historike. Po ashtu pas lajmit se do të  përurohej  ura e re mbi Osum, pjesë e koridorit të jugut, shumë vetë nxituan për në Berat. Ndër ta ishte edhe një shkrimtar i njohur. Në çastin e nisjes e ndali një poet i zbardhur me vjersha për trima me dyfek, me dhelpra, ujq e lepuj. “Urë?–pyeti- çne! Gënjeshtra me bisht! Mos humb kohën kot, o mik i dashur. Atje do të gjesh vetëm një grumbull gurësh dhe asgjë më tepër”. Por shkrimtari u nis i qetë. Kur mbërriti, i mahnitur, në vend të gurëve, pa një urë madhështore. Ndërsa një lab pa qylaf me Benz nga Salaria, babai i tij dikur pa kalë e pa mushkë, tek frenoi atje, ku mbaron autostrada e re dhe e bukur, Tepelenë-Gjirokastër, u shpreh: “Shiko, në anë të udhës punohet edhe nashti. Dhe Qevrria thotë se rruga ka mbarruar! Ha! Ha!” Me pak vonesë, por në kohën e duhur, marrim vesh se, një “shoqe partie”, duke folur në një mbledhje në Berat, e tronditur nga humbja e hidhur, paska folur me duf revolucionar: “Nuk duam as bukë, as ujë, as drita, por duam unitetin”. E ngjashme me parullën e famshme të Byrosë Politike: “Më mirë hamë bar, sesa të shkelim parimet!” Ndërkohë, një kryetar partie, i cili mëton se përfaqëson tërë Durrësin, ngriti zërin kërcënues, se nuk do të lejojë kurrë të ndërtohet në Porto-Romano as TEC-i me qymyr, as zona industriale aty pranë, aq jetike për qytetin bregdetar. Mos vallë partiaku social-komunist ka parasysh industrinë e vetërrënuar socialiste? Madje kryetari i dështuar Rama, arrin deri atje sa që aktin heroik, me humbje të dhimbshme jete, të katër oficerëve të policisë së shtetit, u orvat ta zhvlerësojë me një deklaratë djallëzore nga arratia, ashtu si gjatë veprimeve të tij arrogante në fushatën zgjedhore. Pra, Qeveria vijon punën energjikisht, kurse opozita me altoparlantët e shpifjeve dhe trimat e saj si Balla me shokë, përhap zhurmë, tym e mjegull mbi Shqipëri.

Dita-ditës po shohim tek mbijnë si kërpudhat pas shiut, shoqata të çuditshme si celulat e partisë së kuqe, me kryetar e sekretar, ku mblidhen dhjetra ekologjistë, një letrar, tjetri pensionist me kujtime trimërie, njëri matematicien karrikethyer, tjetri lexues gazetash me lajme plehra, pas tyre ish-llogaritarë kooperativash etj.Të gjithë përpiqen të fshehin fytyrat e tyre pas maskës së dijetarit. Të gjithë në sulm ndaj TEC-eve të dritës e zhvillimit industrial, në Vlorë e Fier, Durrës e Lezhë, Shkodër etj, si nata kundër ditës, ashtu si disa bandillë të nxitur që pengonin punëtorët në rrugët e reja në shërbim të bujqësisë e turizmit. Këto shoqata siç duket lidhen me anën e kompjuterave  me shtypin  dhe me shoqata analoge në vendet fqinjë e gjetkë, duke marrë kështu ngjyrime me përmasa ndërkombëtare. Zyrat e tyre mesa merret vesh janë, ose shtëpitë, ose kafenetë, ose sheshet me bar, ku luajnë domino e pi raki. Për të vendosur lidhjet aq të dëshiruara, sepse askush nuk ua var hejbet, nuk harrojnë të shënojnë adresat elektronike, as numërat e telefonave.

Në një kohë, kur mijëra objekte energjitike ekzistuese apo ato që po ndërtohen pranë qendrave të banuara në botë, përdorin burime të ndryshme, në shtypin tonë pa pritur u shfaq një ekonomist agrar, kompetent për TEC-e, z. Dull Matarja, me një shkrim të rreptë polemist përballë ENEL-it  dhe një profesori të njohur në fushën e gjeologjisë. Ndoshta njerëzve të moshuar u kujtohet kënga nën zë: “O Dull, o kokë matare/ dil në punë vullnetare,/ Dulla e ndërroi qendrën e punës/...etj”. Kështu dhe z. Dullë, sot nga ekonomist agrar është transformuar në shkencëtar ekologjist. Titulli i shkrimit i z. Dullë, “Rreziku ndaj apologjisë së TEC-it me qymyr”, të sjell ndër mend veprën me nam të E.Hoxhës, “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë.“ Edhe emri “apologjet” seç ka diçka të marrë nga fjalori politik marksit-leninist, si bie fjala, “Apologjet i kapitalizmit. Apologjet i imperializmit”, Apologjet i artit perëndimor etj. Megjithëse ai respekton vetëm institucionet e Kombeve të Bashkuara, megjithatë mbështet në parimin e njohur të vetrrethimit „të ndërtojmë  industrinë plotësisht me forcat tona!“ dhe parrullën „larg duart nga Shqipëria!.“ Jo vetëm kaq. z. Dull nuk është vetëm kundër TEC-eve me qymyr, por edhe atyre me naftë e gaz, sado me teknologji të përparuar qofshin. z. Dull gjithashtu është kundër centraleve elektrike me erë, si rrjedhojë edhe ndaj fabrikave moderne. Sipas tij, apologjetët e TEC-eve tona synojnë të ndohtin ajrin mbi fusha e male, atmosferën e stratosferën dhe tej orbitës, hënën e yjet pa mbarim. Tokën po se po, edhe nëntokën, valët e detit, mandej thellësinë e gjerësinë e ujërave oqeanike. Tërë botën e gjallë! Me njerëz e kafshë, me shpend e peshq. Pu! pu! do të bëhet hataja! Madje qeratai fluturoi pak si lart kur ndaj kryetarëve të qeverive demokratike, përdor edhe figura letrare nga Servantesi, pa e kuptuar se Don Kishoti i Mançes është ai vetë, që lufton me mullinjtë e erës. 

     Gjithësesi ekonomisti agrar, i di fort mirë këto punë, ndaj i bën karshillëk e i jep mend  profesorit për masën e Co2 me përqindje të lartë deri 200%, që vendi ynë do të vërvis lart e larg, thellë e gjerë, duke rrezikuar botën mbarë. Gjendja katastrofike që do të krijojë Shqipëria në glob, thotë z. Dull, do të merret në shqyrtim në Konferencën e Kopenhagës. Atje  do të na hiqet veshi deri në skuqje e këputje. Ka të drejtë llogaritari ynë, kur ankohet e rënkon: „Ah! këta apologjetët e TEC-eve! Ah! këta anti-globalistët e anti-internacionalistët reaksionarë! Na morën më qafë!“ Me këtë yrysh që ka marrë z. Dull Matare, s’është çudi ndonjë ditë të na dalë me një shkrim tjetër të ngjeshur me propozime kundër ndohtjeve. Për shembëll, për paksimin e Co2; të ndalohet qarkullimi i automjeteve nëpër autostrada e tunele, i trenave nëpër shina, i aeroplanëve në qiell, i anjeve mbi valë; pastaj të taposen tërë oxhaqet e shtëpive, qytet e fshat, t’u vihet kapak edhe vullkaneve në Europë, Azi etj etj. Pas analizës shkencore z. Dull ngre tonin e kundërshtimit për kalimin në veprime aktive politike me referendume e protesta në sheshe. S’është çudi ta shohim ndonjë ditë dhe kryetar partie apo deputet opozitar.

   Mos vallë duhet menduar e vendosur për kthimin mbrapsht në kohë,  tek kuajt e karrocat, tek anijet me lopata e vela? Apo të jetojmë sërish si para Prometeut  nëpër shpella me spata guri? Mos vallë z. Dull Matare e ka djegur malli për punën vullnetare të epokës së “fitorjeve të mëdha” me TEC-et karbon-vjellëse  dhe fabrikat rrangalla e tymuese në qendër të qyteteve tona, si Durrës, Vlorë, Korçë etj.?

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›