Amaneti – Barrikadë shtetërore ndaj mbetjeve të krimit
Përcillen për në banesën e fundit 4 efektivat e policisë që humbën jetën në krye të detyrës, nga njëra nga bandat më të rrezikshme kriminale të Ballkanit. Emocion mbarëpopullor dhe angazhim i mijëra uniformave blu se do të shndërrohen në një barrikadë ligjore ndaj strukturave arrogante të krimit, të cilat synojnë të cënojnë sigurinë e të gjithëve.
TIRANË- I Gjithë vendi ndali frymën dje, për një çast dhe u bashkua me dhimbjen dhe pikëllimin e thellë të familjarëve, shoqërisë, strukturave policore, për humbjen e 4 njerëzve të dashur, baballarëve, miqve dhe kolegëve të tyre, në përballje me mbetjet e fundit të krimit. Përmes një ceremonie në prezencë të krerëve më të lartë të shtetit dhe në prani të mijëra qytetarëve, u është dhënë dje lamtumira e fundit 4 efektivëve të Policisë së Shtetit, të cilët ranë në krye të detyrës dy ditë më parë, gjatë një aksioni special, për kapjen e të shumë kërkuarit me precedent penal, Dritan Dajti. Mijëra persona, efektivë policie, familjarë, qytetarë të thjeshtë, përfaqësues të shtetit e politikës i janë drejtuar dje në mesditë dyerve të Pallatit të Kongreseve, për t’i dhënë lamtumirën e fundit miqve të tyre që humbën jetën gjatë tentativës për arrestimin e të shumëkërkuarit. Në orën 12, u mbajt një minutë heshtje për të respektuar aktin heroik të këtyre policëve që sakrifikuan jetën për sigurinë tonë të përbashkët. Dita e zisë ndërpreu dje çdo aktivitet politik, social-kulturor dhe sportiv të paralajmëruar. Krerë të shtetit, kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, presidenti i Republikës Bamir Topi dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë, politikës kanë kryer homazhe në Pallatin e Kongreseve, në nderim të 4 policëve të vrarë. Për mbi një orë e gjysmë disa qindra qytetarë, personalitete të larta të shtetit, si kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit, Topalli, përfaqësues të forcave politike etj, nderuan kujtimin dhe veprën e 4 Dëshmorëve të Atdheut. Ata kanë takuar familjarët e të rënëve dhe kanë lënë shënimet përkatëse në librin e kujtimeve. Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari, Kastriot Feska, efektivët e martuar dhe me fëmijë humbën jetën në krye të detyrës në një operacion që ndërmorën për të kapur kriminelin më të kërkuar dhe më të rrezikshëm të analeve të krimit shqiptar gjatë kësaj dekade, Dritan Dajtin dhe bandën e tij. Qeveria i shpalli ata të premten në mbrëmje, Dëshmorë të Atdheut dhe dje në kujtim të veprimtarisë, kujtimit të veprës, trimërisë, heroizmit dhe sakrificës së tyre sublime, dita e djeshme u shpall ditë zie kombëtare. Ceremonia mortore Të shoqëruar nga mijëra qytetarë, efektivë të policisë së Shtetit, nga krerë të lartë të shtetit dhe nga familjarë të tyre, kortezhi mortor, pas homazheve të zhvilluara në Pallatin e Kongreseve, në mesditë u drejtua, për në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, për t’u dhënë lamtumirën e fundit, 4 efektivëve të Policisë së Shtetit. Nën ritmin e muzikës funebre familjarët dhe kolegët u përshëndetën për të fundit herë me të dashurit e tyre. Të papërmbajtshëm kanë qenë lotët për këdo që mori pjesë në funeral, që prekën edhe përfaqësues të lartë të shtetit. Trupat e pajetë të 4 policëve, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Kastriot Feska janë varrosur në varrezat e dëshmorëve në Tiranë. Flamuri - në gjysëm shtizë, në nder të efektivëve të policisë Me shpalljen nga qeveria të ditës së djeshme si ditë zie, flamuri Kombëtar u ul në gjysëm shtizë të gjitha institucionet shtetërore në vend, për nder të kujtimin dhe sublimit të veprës së 4 policëve të rënë në krye të detyrës, dy ditë më parë në Durrës. Ishte vetë kryeministri Berisha që gjatë një konference për shtyp të premten vonë në pasdite, shpalli ditën e shtunë ditë zie kombëtare dhe uljen e flamurit kombëtar në gjysëm shtizë. Kreu i ekzekutivit vlerësoi punën e “shërbëtorëve” të kombit, ndërsa dënoi vrasësin dhe bandën e tij, për këtë krim të rëndë. Berisha garantoi vendosjen e drejtësisë dhe dënimin e merituar, për autorët e këtij akti të shëmtuar. Ngjarja e dy ditëve më parë Arrestimi i shumë të kërkuarit Dritan Dajti ka pasur një bilanc tragjik të premten, ndërsa ka përfunduar me 5 të vrarë, 4 prej të cilëve policë, ndërkohë që është plagosur i shumëkërkuari si dhe një person tjetër. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme në plazhin e Durrësit, te zona e njohur si Pista “Iliria”. Gjatë aksionit të policisë, për arrestimin e shumë të kërkuarit të arratisur nga burgu, pas akuzave për vrasjen e një biznesmeni, Dritan Dajti qëlloi me armë zjarri duke vrarë 4 efektivë policie, një person i cili shoqëronte Dajtin në momentin e ngjarjes dhe që dyshohet të jetë i afërm i tij. Rreth orës 13:45 të ditës së premte, shërbimet e policisë konstatuan se Dajti u afrua me një makinë Volsvagen tip Tuareg, me ngjyrë të errët, me targë të huaj CR 535 FR. “Kur makina ndaloi, trupa e operacioneve ka bërë rrethimin e mjetit për të arrestuar të shumëkërkuarin Dajti, por në këtë moment ai, në mënyrë të menjëhershme, ka qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë, ku si pasojë mbetën të vrarë 4 prej tyre”, sqaroi Policia e Shtetit rrethanat e krimit në një njoftim për shtyp. Dajti kërkohej nga policia prej nëntorit të vitit 2003, kur ai u arratis nga salla e gjykatës së rrethit të Tiranës, pasi qëlloi disa herë në ajër me pistoletë. Dritan Dajti gjykohej në atë kohë si autor i vrasjes së biznesmenit të ndërtimit, Agim Beqa, në vitin 1999.
...