E Diel, 1 Nëntor 2026

Reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në ekonomi dhe infrastrukturë afrojnë investimet e Rajonit të Kalabrisë në Shqipëri

Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa priti sot, në  një takim, delegacionin e Rajonit të Kalabrisë, të kryesuar nga Presidenti i Rajonit, Z.Agazio Loiero

Z.Oketa pasi i falenderoi për vizitën e tyre,bëri një panoramë të shkurtër mbi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për sistemin e taksave, për zhvillimet dhe investimet në infrastrukturë dhe për procesin e decentralizimit dhe deburokratizimit të sistemit taksor dhe ekonomik, zhvillime këto që kanë për qëllim edhe thithjen e sa më shumë investimeve të huaja për Shqipërinë.

“Rajoni i Kalabrisë ka potenciale shume të mira për një bashkëpunim të frytshëm me Shqipërinë, është për t’u theksuar kontributi që mund të japin për këtë edhe 24 komunat e banuara nga arbëreshë dhe që janë një urë shumë konkrete lidhëse midis dy brigjeve tona. Lajmi i mirë se në forumin e organizuar nga Fondacioni Italo-Shiptar, i cili do të zhvillohet në Tiranë nga 7 në 9 nëntor, 50% e bizneseve përfaqësuese italiane janë nga Rajoni i Kalabrisë, tregon se janë bërë hapa përpara. Parë në një spektër më të gjërë, vullneti i mirë i treguar nga Italia për të cuar më tej Korridorin e 8-të dhe për të përkrahur Shqipërinë në rrugën drejt integrimit në NATO dhe BE, na bën më optimistë edhe për një bashkëpunim të mirë ndër-rajonal.”-tha Zëvendëskryeministri Oketa.

Nga ana e tij, Presidenti i Rajonit të Kalabrisë, Z.Agazio Loiero u shpreh se edhe pse e vonuar, vizita në Shqipëri do të sjellë me siguri mjaft  marrveshje midis Shqipërisë dhe Rajonit të Kalabrisë, përqëndruar këto në fushën e energjetikës, turizmit, informatiozimit të sistemeve si dhe në industrinë ushqimore ku Kalabria ka mjaft pole të rëndësishme në rang vendi.

“Na jep mjaft shpresë reformimi nga ana e qeverisë shqiptare të sistemit të taksave, gjë kjo që do ta afrojë biznesin e vogël e të mesëm që karakterizon Kalabrinë. Gjithashtu komuniteti shqiptar në Kalabri është mjaft i afirmuar në këto shekuj bashkëjetese dhe ka përkrahur e ndihmuar shpesh komunitetin Italian. Ndaj një shkëmbim I frytshëm me Shqipërinë është prioritet për Rajonin e Kalabrisë.”- tha Presidenti i Rajonit të Kalabrisë, z.Agazio Loiero

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›