E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha : Lidhja e arsimit të lartë me ekonominë dhe tregun e punës, sfida më e madhe e sistemit tonë arsimor

Kryeministri Berisha ishte sot në Fakultetin e Inxhinjerisë së Ndërtimit, në Universitetin Politeknik të Tiranës, për të uruar gjithë studentët dhe pedagogët e shkollave të larta, në ditën e parë të vitit akademik 2007-2008.

Kryeministri u shpreh se kishte zgjedhur të vizitonte Fakultetin e Ndërtimit në këtë ditë të shënuar, si një prej fakulteteve më të mira të vendit, fakultetit që përgatit specialistët e sektorit promotor të zhvillimit ekonomik të vendit.

Duke u uruar një vit të ri akademik të suksesshëm, Kryeministri siguroi se qeveria është e vendosur të bëjë përpjekjet më të mëdha që arsimi shqiptar të zhvillohet me shpejtësi dhe të arrijë standardet e përparuara, si garancia më e madhe për të ardhmen e vendit

“Investimi për Arsimin dhe Inovacionin është investim për të ardhmen, prandaj dhe qeveria ka shpalluar arsimin përparësinë e saj më madhore, ka vendosur të dyfishojë buxhetin për arsimin, të dyfishojë rrogat e arsimtarëve, të shtrijë internetin në të gjitha shkollat e vendit, të liberalizoje universitetet”, tha Kryeministri. Bazuar në këto objektiva, Kryeministri informoi se investimet  kapitale në arsim u rritën nga 3.6 milardë në vitin 2005 në 6 miliardë në vitin 2007. Kabinetet e informatikës u rritën në 750 në vitin  2007, nga 30 që ishin në vitin 2005, kurse rrogat e arsimtarëve, nga 2005 në 2007 u rritën me 47  për qind. Brenda dy viteve të qeverisjes, gati u dyfishua numri i  studentëve në shkollat e larta, ndërkohë që do të ecet drejt 4 dhe 5 - fishimit të numrit të studentëve në universitetet tona.

Gjithashtu, Kryeministri theksoi se investimet e akorduara për arsimin e lartë për vitin 2007  janë 20 milionë USD, pra gati 4 herë më shumë se sa ato të akorduara në vitin 2005, që ishin 5 milionë USD. Me to parashikohen të ndërtohen godina të reja mësimore dhe godina banimi për studentët, qendra kompjuterike, mobilim auditoresh, laboratorë dhe biblioteka.  Po ashtu, buxheti i "Fondit për Shkencën" që për vitin 2005 ishte vetëm rreth 1 milion USD, parashikohet që të vazhdojë të rritet dhe në vitin 2008 ky buxhet gati të katërfishohet dhe do të përdoret jo vetëm për projekte kërkimore, por edhe për bursa për shkencëtarët e rinj. Kryeministri tha gjithashtu se këtë vit qeveria katërfishoi pagesën për orët suplementare të mësimit për pedagogët e jashtëm, në mënyrë që të rritej cilësia e mësimdhënies. 

Kryeministri bëri të ditur se këtë vit, për herë të parë, qeveria hapi Fondin e Exelencës, i cili mbështet studentët dhe shkencëtarët. e shkëlqyer për studime dhe kërkime afatshkurtër dhe afatgjatë në universitetet më të mira të botës. “Fondi i Exelencës dhe projekti i qeverisë për "Brain Gain", synon kthimin përkohësisht apo përfundimisht të gjitha ekselencat shqiptare, kudo që ndodhen, në Shqipëri, që të hedhin hapin e pare”, u shpreh Kryeministri.

Duke u ndalur në nevojën e madhe që universitetet tona t’i paraprijnë zhvillimit ekonomik të vendit, Kryeministri Berisha theksoi se « lidhja e arsimit të lartë me ekonominë dhe tregun e punës është sfida më e madhe  e sistemit tonë arsimor ». Për këtë gjë, Kryeministri nënvizoi se bashkëpunimi i ngushtë midis shkollave të larta dhe ekonomisë e sipërmarrjes private është jetik për të dy palët dhe ky bashkëpunim duhet të jetë i gjithanshëm. Shkollat e larta duhet të përshtasin ofertën e tyre akademike me kërkesat  e ekonomisë dhe të tregut të punës.

Duke u ndalur në nevojën e madhe të punësimit të të diplomuarve, tashmë në sistemin e liberalizuar të universiteteve, Kryeministri u shpreh se duhet të ndërtohen  programe konkrete për punësimin e të rinjve të diplomuar. “Një mundësi shumë e madhe, përveç punësimit në sektorin privat, është vetpunësimi; pra shfrytëzimi i dijeve të fituara në studimet universitare për të hapur një biznes, në të cilin i diplomuari jo vetëm që vetpunësohet por punëson edhe të tjerë. Kjo është e mundur në të gjithë sektorët, atë prodhues, të shërbimeve, të konsulencës, etj”, tha kryeministri. Ai nënvizoi se universitetet tona duhet të organizojnë njësi apo qendra përgjegjëse që hyjnë në një bashkëpunim intensive me biznesin për të zhvilluar aftësitë e sipërmarrjes (mund të quhen “ Qendra të formimit të sipërmarrësve të rinj”).

Kryeministri vuri në dukje edhe reformën e Akademisë së Shkencës dhe sistemit të kërkimit shkencor, duke e cilësuar atë si një nga reformat më të rëndësishme të ndërmarra 17 vitet e fundit në vend. Sipas Kryeministrit, kjo reformë “shënoi shkëputjen e sistemit tonë akademik nga sistemi i falimentuar socialist sovjetik i kërkimit dhe shkencës dhe orientimin e saj, organizimin e saj, në përputhje me sistemet akademike të botës perëndimore. Tani jemi në fazën e ngritjes së disa qendrave dhe instituteve kërkimore, të cilat do të kenë si mision: kërkimin shkencor, formimin universitar dhe pasuniversitar të studentëve dhe shkencëtarëve, transferimin të njohurive të teknologjisë, si dhe shërbime, madje edhe shërbime kombëtare”.

Qeveria e miratoi fondin që duhet të paguajë vendi ynë për të marrë statusin e vendit të asociouar në Programin Kuadër VII të Kërkimit dhe Zhvillimit të BE-së. Nga ana tjetër, në kuadër të projektit që ka qeveria me BB-në, i titulluar "Cilësi dhe Barazi në Arsim", janë akorduar rreth 2,3 milion USD për projektet e përmirësimit të infrastrukturës laboratorike për mësim dhe kërkim në universitete, vuri në dukje Kryeministri.

Gjithashtu, Kryeministri u ndal edhe në zgjedhjet e reja në universitete, duke i konsideruar ato si hap të parë, por vendimtar, në implementimin e reformës në arsim.

“Eshte në dorën tuaj që përmes votës të zgjidhni përfaqësuesit tuaj më të mirë për drejtues të departamenteve, fakulteteve dhe universiteteve si dhe për në organet vendimmarrëse”, tha Kryeministri, duke u bërë thirrje që të shkeputen nga kaIkulimet e vogla të grupeve dhe të përpiqen të gjejnë akademikët më të aftë, më të ndershëm dhe të papërfolur për korrupsion.
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›