E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Investimi 250 milion euro për fabrikën e re të çimentos në Lezhë, shembull i shkëlqyer i klimës miqësore ndaj investimeve

- "Në sajë të psikologjisë miqësore ndaj investimeve të krijuara në vend, projektet që kanë filluar apo parashikohet të fillojnë punën në Lezhë i tejkalojnë 1 miliard euro.”

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në përurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e fabrikës së çimentos në Balldren të Lezhës, investim i kompanisë italo-shqiptare “Fassa-Berberi”, me vlerë 250 milion euro.

Kryeministri Berisha e konsideroi këtë investim një shembull të shkëlqyer të klimës miqësore ndaj investimeve vendase dhe të huaja, në Shqipëri.

“Në sajë të krijimit të kësaj psikologjie miqësore ndaj investimeve në vend, projektet që kanë filluar apo parashikohet të fillojnë punën në Lezhë i tejkalojnë 1 miliard euro. Ato përfshijnë edhe pionierin e tyre “Colacem”. Pa këtë psikologji të qëndrimit miqësor, këto projekte nuk do të bëheshin të mundura,” u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha përgëzoi drejtuesit e kompanisë “Fassa-Berberi” për këtë investim të standardeve të BE-së, duke e konsideruar atë ndër më të mëdhatë në historinë e vendit. Kryeministri ftoi komunitetin e biznesit në përpjekje të përbashkëta për të lehtësuar investimet dhe për të respektuar standardet më të mira.

“Unë i dëgjoj me vëmendje të madhe të gjithë investitorët dhe i garantoj se zëri i tyre do të dëgjohet me seriozitet nga qeveria, por ju ftoj që bashkërisht t’u përmbahemi standardeve dhe të kërkojmë standardet më të mira. Ne kemi kodra gëlqerore nga Fushë Kruja deri në Urën e Mesit, që janë pasuri e jashtëzakonshme për industrinë e materialeve të ndërtimit. Ne do t’i shfrytëzojmë ato me kriteret më të mira. Ne jemi një vend me depozita minerare gjigante dhe unë kam kërkuar që Shqipëria të anëtarësohet në grupin e 20 vendeve, nismë e Tony Blear, që bën shfrytëzimin më racional e transparent të pasurive minerare dhe miqësore ndaj komunitetit dhe mjedisit”

Duke siguruar se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të shkurtuar barrierat burokratike  ndaj investitorëve, Kryeministri Berisha u shpreh se nuk janë shkresat e panumërta, ato që japin siguri, por serioziteti dhe zbatimi i ligjit përcakton sigurinë në çdo hap tonin.

Ambasadori italian në Shqipëri Saba D’Elia, i pranishëm në ceremoninë e nisjes së punimeve, vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve. Zoti D’Elia tha se Italia zë vendin e parë në fushën e shkëmbimeve tregtare me Shqipërinë dhe si shembull i saj, vetëm në 6 mujorin  e parë të këtij viti, shkëmbimet mes dy vendeve kanë arritur shifrën e 900 milion eurove. Në Shqipëri, - tha zoti D’Elia veprojnë ndërmarrje të përbashkëta si “Fassa-Berberi” që janë shembulli më i mirë në këtë bashkëpunim. Investitorët italianë janë të interesuar për investime të reja në sektorë të rëndësishëm në Shqipëri, tha më tej zoti D’Elia, duke falënderuar Kryeministrin Berisha për mbështetjen dhe besimin e treguar për realizimin e këtij investimi të madh.

Projekti i kompanisë “Fassa-Berberi” parashikon ndërtimin e një fabrike me teknologjinë më të avancuar gjermanes, si dhe zhvillimin e dy karrierave gëlqerore në zonën e Bushatit, për furnizimin me lëndë të parë të saj. Projekti përfshin edhe zhvillimin e infrastrukturës në zonën përreth fabrikës, lidhjen e saj me rrugën nacionale dhe ndërtimin e një tuneli 2.7 kilometra, me dy korsi, që do të lidhë fabrikën me terminalin e portit të Shëngjinit, duke shmangur në këtë mënyrë kalimin e kontenierëve nga zonat e banuara dhe atë bregdetare. Kapaciteti i fabrikës do të jetë 3 mijë ton çimento në ditë dhe është i destinuar për tregun vendas dhe atë të huaj.

Presidenti i kompanisë “Fassa”, zoti Paolo Fassa shprehu falënderimet për mbështetjen dhe besimin ndaj projektit të tyre. Zoti Fassa tha se në këtë inaugurim na shoqëron slogani “Shqipëria po ndryshon” dhe kjo është e vërtetë. Ne jemi krenarë që po kontribuojmë në këtë ndryshim. Zoti Fassa bëri të ditur se kjo kompani synon ta shtrijë më tej aktivitetin e saj në Shqipëri edhe në prodhimin e materialeve të tjera të ndërtimit.


24/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›