Kryeministri Berisha: Rritja e shpejtë ekonomike është gjeneratori kryesor i punësimit
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë hapjes së panairit “Tregu i Punës Tiranë 2008”, në ambientet e Pallatit të Kongreseve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria ka bërë dhe po bën përpjekje të mëdha për nxitjen e punësimit. “Ne po bëjmë dhe do të bëjmë përpjekje të mëdha për nxitjen e punësimit. Politikat tona fiskale janë ndër më të favorshmet. Barra aktuale fiskale është ndër më të ulëtat dhe taksa sociale më 1 janar të vitit 2009 do të zbresë me 50 % në krahasim me atë që ishte katër vjet më parë”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha theksoi se rritja e shpejtë ekonomike është gjeneratori kryesor i punësimit në një shoqëri dhe se Shqipëria ka hedhur baza të qëndrueshme për këtë rritje. “Shqipëria ka hedhur baza solide për rritjen e shpejtë ekonomike. Ajo ka një stabilitet makro-ekonomik të sigurt, ka një rritje ekonomike dyshifrore për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ka një rritje të madhe të eksporteve. Çdo ditë e më i madh bëhet numri i kompanive vendase dhe të huaja që investojnë në të gjitha fushat”, u shpreh Kryeministri.
Sa i përket nivelit të papunësisë në vend, Kryeministri u shpreh se “në këta tre vjet papunësia ka njohur një ulje, por kam bindjen se në tre vitet që vinë kjo ulje do të jetë më e madhe dhe më e shpejtë”.
Kryeministri Berisha i shoqëruar nga ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta z.Anastas Duro, kryetari i Unionit të Dhomave të Tregtisë z. Ilir Zhilla, etj.. vizitoi stendat e panairit ku u ndal dhe bisedoi me përfaqësuesit e subjekteve të ndryshme.
Në panairin “Tregu i Punës Tiranë 2008”, i cili zhvillohet nën kujdesin e Kryeministrit Berisha, merrnin pjesë rreth 70 subjekte, të cilat ofrojnë rreth 2000 vende pune.
Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh;
“Së pari, dëshiroj t’ju përgëzoj dhe t’ju falënderoj për organizimin e këtij aktiviteti, të cilin do ta quaja një problematikë dytësore për njeriun, sepse pas familjes për të më e rëndësishme është puna dhe punësimi.
Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe qeveria që unë drejtoj, kanë bërë dhe po bëjnë përpjekje të mëdha për shndërrimin e politikave të punësimit nga politika pasive në politika aktive, fleksibilie dhe dinamike, në mënyrë që forca e punës ekzistuese të mund të përshtatet me nevojat e tregut, të mund të kualifikohet dhe të trajnohet për nevojat e tregut.
Në këto politika aktive një vëmendje e veçantë është treguar ndaj grupeve që janë më në nevojë për punën dhe punësimin. Janë bërë përpjekje për të dixhitaizuar shërbimin e punësimit dhe rezultatet janë qindra-mijëra të intervistuar dhe rreth 30 mijë të punësuar nëpërmjet këtyre zyrave.
Janë mbi 22 mijë të trajnuar, por sërish tregu ka një dinamizëm shumë më të madh, ka kërkesa shumë më të gjera dhe në këtë kontekst rezultatet e arritura duhet të konsiderohen si rezultate fillestare për një politikë shumë më aktive dhe shumë më dinamike në drejtim të punësimit.
Në po reformojmë të gjithë sistemin arsimor të vendit duke pasur si një nga orientimet më themelore tregun dhe kërkesat e tij. Ne po bëjmë dhe do të bëjmë përpjekje të mëdha për nxitjen e punësimit. Politikat tona fiskale janë ndër më të favorshmet. Barra aktuale fiskale është ndër më të ulëtat dhe taksa sociale më 1 janar të vitit 2009 do të zbresë me 50 % në krahasim me atë që ishte katër vjet më parë.
Punësimi kërkon stimuj dhe vlerësim më të madh. Unë ju siguroj se pas reformës fiskale dhe vendosjes së atyre niveleve, të cilat kanë nevojë të konsolidohen, nuk do të ketë mëdyshje se qeverisja do të marrë stimuj të caktuar në funksion të punësimit, në funksion të numrit të të punësuarve, në funksion të favorizimit të sipërmarrjeve që punësojnë më shumë. Pra, këtë çështje do ta shndërrojmë në një objektiv madhor për stimujt e nevojshëm.
Rritja e shpejtë ekonomike është gjeneratori kryesor i punësimit në një shoqëri. Kur kjo rritje nuk bazohet në një kapitalizëm rentier, ajo ka për rezultate të sigurt punësimin masiv. Shqipëria ka hedhur baza solide për rritjen e shpejtë ekonomike. Ajo ka një stabilitet makro-ekonomik të sigurt, ka një rritje ekonomike dyshifrore për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ka një rritje të madhe të eksporteve. Çdo ditë e më i madh bëhet numri i kompanive vendase dhe të huaja që investojnë në të gjitha fushat.
Të gjitha këto shtrojnë para Ministrisë së Punës dhe institucioneve të tjera të punësimit detyra të madha. Para së gjithash kërkohet një studim i nevojave të tregut, parashikimin e drejtë të tyre, si dhe ndërmarrjen e të gjitha hapave të nevojshme për t’u përshtatur në kushtet e një tregu dinamik. Tregu i punës kërkon fuqizim të madh të trajnimit, aftësimit, riaftësimit. Ky sistem ka suksesin e sipërmarrjes, por pjesë e pandarë e tij është dhe falimentimi kur nuk përballon dot konkurrencën dhe nuk performon dot. Në këtë kontekst, është në detyrimin e qeverisë që këta punëtorë t’i riaftësojë me shpejtësi dhe t’u japë mundësi që me shpejtësi të arrin të punësohen në një sektor tjetër.
Në këta tre vjet papunësia ka njohur një ulje, por kam bindjen se në tre vitet që vinë kjo ulje do të jetë më e madhe dhe më e shpejtë. Në këto tre vite reformat kanë transformuar tërësisht klimën e biznesit në këtë vend dhe reforma të tjera shumë të rëndësishme po ndërmerren që kjo klimë të njohë përmirësime më të mëdha.
Liberalizimi është një nga drejtimet tona themelore të punës. Ne kemi hequr mbi 100 leje dhe licenca. Duhet të jetë tregu ai që duhet të përcaktojë aktorët dhe jo licenca apo leja. Leja e ndërtimit qëndron si barrë e rëndë mbi sipërmarrjen shqiptare, e cila ka një mesatare prej 330 ditësh. Duhet të falënderoj të gjithë ata që investojnë në këtë fushë për durimin që tregojnë, por dua t’i garantoj se si shenjë respekti dhe mirënjohje ndaj tyre dhe atyre që do të investojnë këto afate do të shkurtohen me vendosmëri dhe më shpejtësi.
Shqipëria nuk do të mund të jetë vendi ku për të marrë lejen e ndërtimit të duhet të presësh 330 ditë, por Shqipëria do të jetë vendi në të cilin afatet do të jenë më të shkurtrat e mundshme dhe ku burokracia do të marrë përgjigjen e merituar me parimin; heshtja është miratim.
Kam bindjen se këto ndryshime do të behën shumë shpejt dhe ndryshime të tjerat për cilat po punohet, si krijimi i “One stop shop” për lejet dhe licencat e mbetura, do të lehtësojë dhe fuqizojë investimet, duke fuqizuar kështu punësimin.
Unë gjithnjë kam një koncept se familjen njeriu e ndërton vetë, ndërsa shoqëria ka detyrime për të krijuar kushtet dhe mundësinë që çdo qytetar të përmirësojë jetën, familjen dhe të ardhmen e tij me mundin, mendjen dhe gjeninë e tij krijuese.
Edhe një herë ju përgëzoj për këtë iniciativë dhe ju siguroj se qeveria do të përshtasë praktikat më të mira për t’u mbështetur ju në punësimin e qytetarëve shqiptarë”.
23/10/2008