Fjala e Kryeministrit Berisha në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes PDSH-së PAA-së
Kryeministri Berisha nënshkroi sot në mesditë, marrëveshjen elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit me kryetarin e Partisë Agrare Ambientaliste Lufter Xhuveli.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Me këtë marrëveshje elektorale dhe post elektorale me Partinë Agrare Ambientaliste, së pari, shpreh vlerësimin e madh të bashkëpunimit të ngushtë luajal dhe të frytshëm katër vjeçar. PDSH-ja dhe PAA-ja në koalicionin e katër viteve që vijnë nuk bashkuan thjeshtë e vetëm votat. E theksoj edhe një herë se ky koalicion nuk ka qenë një koalicion i diktuar nga votat, por i diktuar nga parimet që këto dy forca politike ndajnë për dy problemet më themelore të zhvillimit të shoqërisë dhe vendit, zhvillimit të qëndrueshëm rural, mbrojtjes dhe zhvillimit të mjedisit.
Ky koalicion dhe ky bashkëpunim ka bërë që Shqipëria të vendoset në klasifikimin e të gjitha vendeve të planetit, në pozicionin e 25-të për sa i përket mbrojtjes dhe zhvillimit të mjedisit. Ky koalicion ka marrë masa drastike në kufizimin e ndotjes së ajrit në mbarë vendin. Me vullnetin e tij, ky koalicion, duke i rezistuar edhe presionit të lobeve të fuqishme mediatiko-afariste, ia doli të reduktojnë nga 400 mijë ton naftë D2, në 80 mijë ton e lejimin e saj në territorin e vendit, për ta bllokuar plotësisht në fund të këtij viti, pra, në 6 mujorin e parë të mandatit të dytë, përdorimin e D2 për të gjitha makinat dhe makineritë në vend. Duke e shtuar Shqipërinë në një nga vendet e standardeve më të lartë, të pastërtisë së karburanteve që përdoren në vend.
Koalicioni ka kërkuar dhe kërkon një vëmendje ligjore të posaçme për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit, ka ndërmarrë një seri hapash të mëdha, janë zgjeruar me shpejtësi, sa asnjëherë tjetër, parqet kombëtare, në mbrojtje të pasurisë përrallore të florës dhe faunës shqiptare.
Koalicioni ka një vizion të përbashkët pas fitores, për të marr hapa të tjerë të mëdha në dy drejtime themelore, si në mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit, ashtu edhe në zhvillimin e qëndrueshëm rural.
Unë dua të falënderoj Z. Xhuveli, me shumë respekt dhe mirënjohje, si dhe të gjithë partinë Agrare Ambientaliste, drejtuesit qendrorë dhe vendorë, për bashkëpunimin luajal dhe të frytshëm që kanë dëshmuar gjatë këtyre katër viteve, të shpreh bindjen time se në katër vitet që vijnë do të jetë akoma më i suksesshëm dhe më i konsoliduar.
Faleminderit.”
Duke iu përgjigjur interesimit të medias të pranishme në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes nëse Z.Xhuveli mund të jetë sërish në këtë detyrë, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Ky koalicion është për fitoren elektorale dhe qeverisjen e vendit dhe se cilat do të jenë postet do t’i caktojë parlamenti i ardhshëm shqiptar, por PAA-ja do të jetë parti qeverisëse.”
I pyetur se kur do të zyrtarizohet shkrirja e PDR-së me PD-në, Kryeministri u përgjigj:
“Faktikisht, me PDR-në jemi një parti tani dhe është një proces i shkëlqyer, i harmonishëm. Për sa i përket Kuvendit, do vendosin strukturat se si do jetë dhe ju gazetarët do të jeni të parët që do ta merrni vesh. Unë them që Kuvendi do ndjekë të gjitha procedurat, siç i detyron statuti, sepse statuti i ka të përcaktuara. Kuvendi do të jetë energjia, vizioni i fitores, ndaj si mund të jetë pas zgjedhjeve. Para zgjedhjeve do të jetë hovi.”
01/04/2009