Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli takon sot një grup deputetësh të Parlamentit gjerman.
Vetëm pak ditë para anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, një grup deputetësh të Parlamentit gjerman vijnë për të uruar Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë.
Delegacioni parlamentar gjerman i shprehu Kryetares së Kuvendit kënaqësinë që vizitojnë Shqipërinë në këto ditë të jashtëzakonshme për vendin tonë.
Ne e gjëjmë Shqipërinë një vend me progres të mrekullueshëm, me stabilitetet ekonomik, me një siguri të brendshme dhe infrastrukturë në ndryshim të përditshëm.
Ata iu drejtuan Kryetarës së Kuvendit me mbresat që Kryeministri i Shqipërisë kishte lënë gjatë fjalës së tij, në konferencën e organizuar nga Fondacioni Konrad. Ata i referuan citimin e fjalëve të Kryeministrit Berisha, nga Kancelarja Merkel para Parlamentit gjerman, se historia e NATO-s është historia e aleancës që kthen armiqtë në miq.
Kryetarja e Parlamentit shprehu kënaqësinë që ata vinë në ditë të jashtëzakonshme për historinë e kombit shqiptar, në vigjilje të anëtarësimit të Shqipërisë në Nato, në jetësimin e një ëndrre të shumëdëshiruar të prindërve, të gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë- kthimi në familjen e vlerave europiane.
Kryetarja e Kuvendit bëri një përmbledhje të shkurtër të historisë së Shqipërisë nën diktarturën komuniste, duke e cilësuar si histori të mbijetesës, tashmë e shndërruar në një histori ndryshimi dhe progresi."
I gjithë ky ndryshim -tha Kryetarja e Kuvendit, falë atyre që guxuan të rrëzonin diktaturën dhe të ndërmerrnin reforma të thella për vendosjen e shtetit ligjor.
Në këto tri vjet të qeverisjes së mazhorancës së djathtë , Shqipëria ka tregues ekonomikë lakmues edhe nga vende të BE. Ka një rritje ekonomike pozitive, inflacion nën kontroll, dyfishim të rrogave të mësuesve, një klimë tërheqëse për investitorët dhe bizneset e huaja . Shqipëria përdor 30 % të buxhetit të saj për infrastrukturën- tha Kryetarja e Kuvendit.
Sipas Kryetares së Kuvendit, ecuria e suksesshme e reformave dhe përmbushja e standarteve të kërkuara, kanë bërë që Shqipëria të jetë një partner I besueshëm dhe mundësuan anëtarësimin e saj në NATO, që do ta sjellë vendin më pranë BE. Kryetarja e Kuvendit i shprehu mirënjohje deputetëve gjermane për mbështetjen që Parlamenti gjerman ka dhënë në ratifikimin e MSA dhe per Protokollin e anëtarësimit në NATO. Ajo vlerësoi si shumë pozitiv bashkëpunimin mes dy parlamenteve, në forcimin e marrëdhenieve mes dy vendeve.
Kryetarja e Kuvendit iu drejtua deputetëve gjermanë, si përfaqësues të zonave të ish Gjermanisë Lindore që ndryshe nga të tjerët , kishin njohur diktaturën dhe izolimin, të ushtronin influencë pranë Bundestagut dhe të mbështesnin Shqipërinë në procesin e lehtësimit të vizave dhe në tërësi integrimin europian të saj.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se shqiptarët janë të vendosur të fitojnë të gjithë garat, ku gara e ardhshme është realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershmë në 28 qershor.