E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ideja e taksës për hyrjen në Tiranë, një regjim i pashpallur vizash

-       “Kjo është një ide më feudale se feudalizmi.”

Kryeministri Berisha u shpreh sot, në mbledhjen e qeverisë, kundër propozimit të bashkisë së Tiranës për vendosjen e një takse për hyrjen në Tiranë, duke e konsideruar atë një ide feudale dhe të pamenduar.

“Ideja e taksës për hyrjen në Tiranë është ide më feudale se feudalizmi. Kjo ide është një lloj regjimi vizash, i pashpallur. Nuk e di, se ku e ka gjetur kryetari i bashkisë këtë ide, por është e pabesueshme. Në konceptim e vërtetë, aksionerë në kryeqytetin e vendit janë të gjithë qytetarët shqiptarë. Si qytetari shqiptar që jeton mbrapa Dajtit, ashtu edhe ai që jeton në shpatet e Çajupit, apo të Shkëlzenit, të gjithë kanë pikëzat e djersës së tyre në këtë kryeqytet. Është jashtë çdo imagjinate që targat e kamionëve, mikrobusëve, autobusëve të tatohen me 1 mijë lekë për çdo hyrje në kryeqytete. Kjo, absolutisht, nuk mund të ndodhë. Kjo ka ndodhur në kohën e principatave. Ne kemi hequr edhe 1 euro-n që kishim vendosur për të hyrë në Shqipëri dhe ta vendosësh taksë për të hyrë në kryeqytet është tmerrësisht e pamenduar. Prandaj, e donte kryetari i bashkisë edhe mbikalimin-bunker në Zogun e Zi. Ndaj, nuk do të lejohet të ndërtohet asnjë  lloj barriere. Nuk dua t’i ndërhyj në kompetenca, por në Tiranë janë aksionerë jo vetëm 3.4 milion shqiptarë, por është aksioner mbarë kombi shqiptar. Kjo çështje, duhet të diskutohet me kryetarin e bashkisë së Tiranës dhe në rast se ka nevojë për fonde mbi bazë projektesh, qeveria rrit fondin. Këtë, ne e bëjmë për çdo qeveri vendore.”

Kryeministri Berisha theksoi se partneriteti me qeveritë vendore është një nga zhvillimet më  pozitive, të e krijuara në këto 4 vite.

“Një nga zhvillimet më të mëdha e pozitive të këtyre 4 viteve,  - - u shpreh Kryeministri - ka qenë ky partneritet që ne vendosëm me qeveritë vendore, meritat e tyre në investime në tërësi. Nuk them se nuk ka pasur defekte, por, nëse janë ndërtuar me mijëra kilometra rrugë rurale, pa pjesëmarrjen e kontributin e qeverisë vendore, sot nuk mund të ecnin aq mirë. Këtë praktikë të re, që kaluam nga çakulli tek asfalti, nga moskomunikimi tek partneriteti me qeveritë vendore, e kemi një trashëgimi shumë pozitive.”


01/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›