Kryeministri Berisha pret kryenegociatorin kroat për anëtarësimin në BE, z. Vladimir Drobnjak
Kryeministri Berisha priti sot në takim kryenegociatorin e Kroacisë për anëtarësimin në BE, z. Vladimir Drobnjak.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu z. Drobnjak angazhimin e qeverisë shqiptare për të forcuar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe bashkëpunimin e ngushtë në shumë fusha, veçanërisht për të vazhduar traditën e mirë për shkëmbimin e eksperiencës reciproke përsa i përket objektivit tjetër madhor, integrimit në BE, tashmë që procesi i anëtarësimit në NATO po mbyllet me sukses.
Z. Drobnjak falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe e uroi atë për përmbylljen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, si dhe për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian, si një hap tjetër shumë i rëndësishëm në rrugën drejt integrimit në BE.
Gjithashtu, z. Drobnjak i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit të Kroacisë Ivo Sanader.
Kryenegociatori i Kroacisë i shprehu Kryeministrit Berisha vullnetin e plotë dhe gatishmërinë e qeverisë kroate dhe vendit të tij për të vazhduar bashkëpunimin në të gjitha fushat, veçanërisht për shkëmbimin e eksperiencave të rëndësishme përsa i përket hapave të mëtejshëm të procesit të integrimit në BE.
Qenia me të drejta të plota në NATO, por edhe një vend që ka ligjërisht në fuqi MSA-në me Bashkimin Europian, u shpreh kryenegociatori i Kroacisë për anëtarësimin në BE, është padyshim një premisë shumë herë më e favorshme për çdo vend dhe në këtë rast, për Shqipërinë për të bërë progres të shpejtë në hapat e mëtejshëm drejt integrimit të plotë në BE.
Në takim u diskutuan nevojat për konsolidimin dhe krijimin e kapaciteteve të reja administrative dhe të ekspertizës që kërkon faza e re drejt së cilës po ecën Shqipëria në kuadër të integrimit të BE.
31/03/2009