E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha pret Koordinatorin për Procesin e Barcelonës dhe për Çështjet e Mesdheut në Ministrinë e Jashtme të Spanjës, Fidel Sendagorta

Kryeministri Berisha priti sot një delegacion nga Spanja, të kryesuar nga Fidel Sendagorta, Koordinatori për Procesin e Barcelonës dhe për Çështjet e Mesdheut në Ministrinë e Jashtme të Spanjës, i cili shoqërohej nga ambasadori spanjoll në Tiranë, Manuel Montobbio dhe Drejtori i Insitutit Europian për Mesdheun Senen Florensa.

Kryeministri Berisha falënderoi diplomatët spanjollë për përkrahjen që po i japin Shqipërisë  për anëtarësimin në Procesin e Barcelonës.

Zoti Berisha bëri një ekspoze të reformave të gjithanshme që ka ndërmarrë qeveria shqiptare dhe rezultateve të arritura në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit, informalitetit në ekonomi, krijimin e kushteve të favorshme për biznesin, thithjen e investimeve dhe reformat për integrimin euro-atlantik.

Kryeministri vlerësoi se procesi i Barcelonës është shumë i rëndësishëm në forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit në rajonin e Mesdheut, si dhe një instrument shtesë që do të ndihmojë Shqipërinë në projektin e saj për integrimin në BE.

Edhe Koordinatori i Procesit të Barcelonës në Ministrinë e Jashtme të Spanjës vlerësoi rëndësinë e këtij Procesi në rajonin e Mesdheut. Zoti Sendagorta përgëzoi qeverinë shqiptare për reformat e ndërmarra dhe arritjet e rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe krijimit të një klime të favorshme për zhvillimin e bizneseve.

Diplomatët nga Spanja thanë se është rritur ndjeshëm interesi i investitorëve spanjollë për të investuar në Shqipëri.

Gjatë bisedës u diskutua edhe për zhvillimet në rajon.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›