Zëvendëskryeministri Oketa pret delegacionin e Ministrisë Federale për Ekonomi dhe Teknologji të Gjermanisë, të kryesuar nga z.Guido Peruzzo, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerimin e BE-së
Zëvendëskryeministri, z.Gazmend Oketa priti sot në takim një delegacion nga Ministria Federale për Ekonomi dhe Teknologji të Gjermanisë, të kryesuar nga Dr. Guido Peruzzo, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerimin e BE-së pranë kësaj ministrie.
Zëvendëskryeministri, pasi i uroi delegacionit mirëseardhjen, e njohu atë me progresin e bërë nga qeveria shqiptare në procesin e integrimit. Ai nënvizoi nënshkrimin e MSA-së pas 1 viti të ardhjes së forcave të djathta në pushtet, ratifikimin e kësaj marrëveshjeje nga 12 shtete anëtare të BE-së dhe gjithashtu shprehu dëshirën për një ratifikim të shpejtë nga parlamenti gjerman dhe vendet e tjera anëtare.
Më tej, Zëvendëskryeministri e njohu delegacionin me reformat e kryera nga qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit, në fushën e tatim-taksave, në vendosmërinë e qeverisë për kryerjen e reformës elektorale, të reformës në drejtësi dhe për modernizimin e gjendjes civile. Gjithashtu paraqiti dhe vështirësinë jo vetëm të Shqipërisë, por gjithë rajonit për energji elektrike.
Z. Peruzzo përshëndeti reformat e ndërmarra, inkurajoi qeverinë për rrugën e nisur. Ai theksoi se reformat politike janë të vështira, shpesh të pakuptueshme për njerëzit, por janë të domosdoshme për rrugën e zhvillimit. Ai nënvizoi rëndësinë e MSA-së, si një marrëveshje që të sjell më pranë BE. Ai nënvizoi gjithashtu që edhe BE, pavarësisht arritjeve ka akoma për të bërë, duke përmendur “Treaty Reform” i cili duhet të ratifikohet nga 27 vendet anëtare dhe kjo rrugë nuk është aspak e lehtë.
Në marrëdhëniet me Shqipërinë, ai theksoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve në nivel politik. Z. Peruzzo transmetoi interesin e kompanive gjermane për të investuar në vendin tonë dhe vuri theksin tek konferenca që do të zhvillohet nesër me pjesëmarrjen e rreth 60 kompanive gjermane të interesuara dhe Qeveria shqiptare duhet t’u tregojë këtyre kompanive mundësitë për investim në fusha të ndryshme. Zëvendëskryeministri paraqiti prioritetet në infrastrukturë, në fushën energjetike dhe turizëm. Kryetari i delegacionit paraqiti shkurtimisht eksperiencën gjermane pas bashkimit dhe vështirësitë e hasura me ish-GJ-së. Gjithashtu u interesua dhe për qëndrimin e Qeverisë shqiptare për çështjen e Kosovës.