Kryeministri Berisha takon ambasadorin hungarez në Shqipëri, zotin Sandor Molnari

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me ambasadorin hungarez, zotin Sandor Molnari me rastin e marrjes nga Hungaria të Presidencës së radhës së BE-së.
Pasi i uroi mirëseardhjen, kryeministri Berisha shprehu bindjen e thelle se Presidenca hungareze e BE-së do të jetë e suksesshme në realizmin e detyrave që i ka vënë vetes, si për promovimin e prioriteteve të rëndësishme të axhendës së BE-së, por edhe për tejkalimin e sfidave, në veçanti për kapërcimin e vështirësive dhe pasojave të krizës ekonomiko -financiare.
Gjatë këtij takimi, ambasadori hungarez, i rikonfirmoi kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të qeverisë dhe të presidencës hungareze për përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në BE.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha e falënderoi për këtë mbështetje dhe vlerësoi se integrimi i vendit në BE është projekti madhor kombëtar dhe se qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar dhe e vendosur të ndërmarrë çdo reforme dhe çdo masë dhe po punon intensivisht për realizmin sa më shpejt të kësaj ëndrre, duke e parë këtë proces të bazuar tërësisht në performancën dhe meritën. Kryeministri theksoi gjithashtu se raporti i Komisionit Evropian po kthehet në plan veprimi dhe se qeveria është e angazhuar që të bëj gjithshka te mundur për plotësimin e detyrave të lëna në këtë raport.
Më tej, ambasadori Molnari e njohu kryeministrin me prioritetet e presidencës së radhës të BE, të cilat ndër të tjera përfshinin; nxitjen e rritjes ekonomike; punësimin dhe përfshirjen sociale; forcimin e politikave koordinuese ekonomike dhe fuqizimin e institucioneve financiare ne nivel evropian; promovimin e politikave të përbashkëta në fusha si bujqësia, energjia, kohezioni etj; sjelljen e Evropës më pranë qytetarit dhe promovimin e politikave në fushën e kulturës.
Ambasadori Molnari u shpreh se Hungaria, bazuar mbi axhenden e Selanikut, mbështet fuqishëm integrimin e Shqipërisë dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe se do të punoje ngushtësisht me qeveritë e këtyre vendeve, për hapat e mëtejshëm në këtë drejtim.
Kryeministri e falënderoi dhe njëherë për vëmendjen e veçante ndaj axhendes së integrimit, duke shprehur bindjen se Hungaria si një vend mik dhe përkrahës do të sjell një kontribut dhe një dimension të ri në proceset e integrimit të vendeve të Ballkanit perëndimor në BE.
17/01/2011