Kryeministri Berisha në konferencë për shtyp
Kryeministri Berisha, pas vendimit të zotit Ilir Meta, për dorëheqje të parevokueshme nga posti i zëvendëskryeministrit dhe i Ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës dha një konferencë për mediat.
Më gjerësisht në konferencë kryeministri u shpreh:
“Jam sot këtu për tu informuar se, zëvendëskryeministri Ilir Meta, ka paraqitur sot paradite dorëheqjen e tij të pa revokueshme kryeministrit të vendit.
Dorëheqje, për të cilën ai ka qenë i gatshëm për ta marrë këtë vendim që në momentet e para të kësaj çështje. Në arsyetimin e tij për dorëheqjen zoti Meta, parashtroi si argumentin më kryesor, faktin se ai dëshiron që të ndjekë këtë proces në të gjitha aspektet, pa imunitet dhe pa pushtete. Ta ndjekë këtë si qytetari Ilir Meta, duke e vlerësuar se ky është interesi më i mirë, së pari i anëtarëve, simpatizantëve, të partisë që ai përfaqëson, i Koalicionit Qeveritarë dhe në tërësi i vlerave dhe parimeve që zoti Meta beson.
Së dyti dorëheqja u bë e parevokueshme, pasi doli në dritën e diellit manipulimi i ulët amoral, pafytyrësia totale e kryeçimkës me videon tek Top Channel. Nuk është faji i Top Channel, jo. Ai që ka poshtëruar Top Channel, ai duhet të bëhet përgjegjës. Top Channel, e ka dhënë siç e ka porositur Edi Rama , pasi ajo është porositur nga Edi Rama.
Ky moment ishte në favor të parevokimit të dorëheqjes, unë duke pranuar dorëheqjen, shpreh natyrisht vlerësimin tim më të lartë për gatishmërinë e zotit Meta, për tu paraqitur para organeve kompetente pa imunitet parlamentarë dhe tani në mënyrën më të qytetëruar, pa asnjë lloj pushteti ekzekutiv, por duke shprehur besimin e tij të plotë në organet kompetente të këtij vendi , për tu lehtësuar atyre të gjithë punën për një vlerësim, hetim të pavarur të video çimkës.
Dhe njëherë duhet tu informoj këtu, sepse zoti Meta ka një meritë të padiskutueshme në të gjithë punën e tij në këtë koalicion. Kontributin e tij në drejtimin e Ministrisë së Jashtme deri në momentin e heqjes së vizave dhe ishte një nga promotorët e reformave brenda dhe promovimit jashtë të këtij problemi si dhe në drejtimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe detyrat që shtroi.
Zonja dhe zotërinj
Ky është koalicioni më i suksesshëm në historinë e vendit, ky është koalicioni më efiçentë që ka ekzistuar ndonjëherë në këtë vend. Dua të theksoj një aspekt tjetër, të vyer. Ata që u përpoqën të përdorin videon, Edvin Kristaq Rama, që bëri çdo gjë që me atë video të rikatonte kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe zëvendëskryeministrin, duke i ofruar postin e kryeministrit, duke i bërë çdo lloj oferte, por në këtë përballje fatkeqi Rama, kryeçimka mjerave e vendit, nuk kuptonte se cili është dallimi midis burrit dhe çimkës, këtu i gabojnë llogaritë atij.
Larva e bunkerit të bllokut, nuk mund të realizonte dot, se tjetër është burrëria dhe karakteri, tjetër është çimkëria dhe larva e bunkerit. Pra nuk arriti, rezistoi me një vendosmëri të plotë, një bande një kupole mafioze, që ka ngërthyer kreun e Partisë Socialiste, një aleance puniste mafioze , kryesuar nga Rama, të përbërë nga Doshët dhe grupi i bosëve, të krimit, të drogës dhe parave të pista.
Pra, zoti Meta dha dorëheqjen në diskutimin tonë dhe unë, rashë dakord të pranoj dorëheqjen e tij dhe natyrisht diskutuam gjerësisht për angazhimin e mëtejshëm të këtij koalicioni , së pari fitoren e sigurt të zgjedhjeve lokale dhe natyrisht shpëtimin e Tiranës nga njeriu që e ka shndërruar këtë kryeqytet në betonin e klaneve që e udhëheqin , që e detyrojnë, që e kanë peng. Kështu që koalicioni vazhdon me objektivat e tij të palëkundura në rrafshin e integrimin, në rrafshin politik, në rrafshin ekonomik, në rrafshin social.
Duke e mbyllur shpreh edhe njëherë vlerësimin për aktin qytetar prej shtetari, që bëri kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe vendosmërisë sime për të vazhduar konsolidimin e mëtejshëm të efiçencës së këtij koalicioni në objektivat madhore të tij dhe shumë ambicioz.
Pyetje: Postet që mbante zoti Meta do ti mbajë LSI apo do të ketë një rikompozim?
Kryeministri Berisha : Pa diskutim, të gjitha do të jenë siç kanë qenë, të LSI-së.
Pyetje: A mendoni se këto zhvillime do të kenë një ndikim negativ dhe ju mendoni se e shpëtoni Tiranën me një kandidat të Partisë Demokratike apo të LSI?
Kryeministri Berisha: Këto do të jenë të gjitha çështje të negociuara, por unë mendoj se fitorja e koalicionit qeveritar në zgjedhjet e ardhshme do të jetë fitorja më e merituar, më e ndershme , më e drejtë e bërë ndonjëherë.
Gazetari: Zoti kryeministër, më lejoni të bëj një sqarim. Ajo video e transmetuar tek “Fiksi”, mbrëmë është transmetuar e plotë.
Kryeministri Berisha: Ajo video u transmetua, pasi u manipulua dhe falsifikua me një pafytyrësi ekstreme, sepse të marrësh përsipër të manipulosh një dokument, ku bëhet fjalë për kryeministrin e vendit, tregon se je i zhveshur nga çdo normë morale, tregon se konstantja e atij që e ka bërë këtë është vetëm pafytyrësia dhe gazetarë të tillë nuk ka, por e kanë bërë me urdhër. Ky është urdhri i Edi Ramës dhe unë disponoj siç disponoja fakte që është manipuluar videoja, siç denoncova dje manipulimin e videos dhe ata të dy më dukeshin fatkeqë, ata dy djemtë e çakallit të “Fiksit”, sepse atyre ju është dhënë urdhër nga Edi Rama. Në rast se kjo bëhet nga kryetari i opozitës për kryeministrin imagjinoni se si mund ti bëjë gjëmën ky person, qytetarëve të vendit. Imagjinoni ju se çfarë shkatërrimi përfundimtar ju bën ai mediave të vendit. Top Channel është një kundërshtar i Sali Berishës dhe unë absolutisht respektoj çdo kundërshtar. Më keni dëgjuar ndonjëherë ju mua, të vendos nofka ose të citoj emrin e drejtorit të TCH.
Mund them se nuk kam për tu marrë ndonjëherë me të dhe TCH është i autorizuar nga unë të bëj çdo ditë editorial kundër meje dhe absolutisht do të respektohet. Por në asnjë mënyrë, as TCH dhe asnjë media në botë nuk mund të bëjë manipulime, me të cilat u tentua direkt të lidhej kryeministri i vendit me një gjë që nuk kishte lidhje.
Sapo gjeti, vrapoi si kryeçimkë që është sa mori vesh që ekziston i cituar kryeministri, o burra ta gjejmë dhe ta vendosim. Unë dje e falënderova dhe nuk më erdhi keq. Unë kisha të gjitha mjetet për tu thënë shqiptarëve të vërtetën. E dhanë vetë ata që mashtruan, është punë e tyre. Unë nuk bëra asnjë presion, por ai ishte një akt shumë i shëmtuar, për të cilin unë nuk bëj përgjegjës gazetarët. Unë bëj përgjegjës atë që drejton aty, si një padron i egër, si një padron që faktikisht nuk më vjen gjë tjetër, vetëm keqardhje, sepse po e dëmton median. Mediat kanë një etikë profesionale, bazale dhe pastaj ato ndjekin linjat që besojnë më shumë. Kjo është e përbotshme. I kanë dhe ato orientimet e veta.
Reagimi është normal. Këtë reagim e ke për qytetarin e thjeshtë dhe për këtë të garantoj se sa keq mund ti bëjë ky njeri po të ketë gjë në dorë qytetarit të thjeshtë, duke manipuluar në mënyrë të paskrupullt, të neveritshme. Ti dil dhe sulmo Sali Berishën me deklarata, etj, po jo të fusësh mediat të manipulojnë. Ato janë tipike, produkte të bunkerit bllok. Të parët, që trumbetonin Eureka se doli dhe kryeministri, qenë pikërisht ata. Tani Shqipëria është 20 vjet larg asaj kohe. Nuk ka më nevojë . Nuk i pranon gjëra të tilla.
Pyetje: Ju thatë që dorëheqja e ZV/kryeministrit Meta ka qenë që në momentet e para. Çfarë ka ndryshuar nga dje dhe sot?
Kryeministri Berisha: Nga dje dhe sot ka ndryshuar faktimi i manipulimit të ulët që iu bë videos dhe ky është ndryshimi substancial. Të jesh i sigurt për këtë. Të them dhe një gjë tjetër. Unë, ta dinë mirë shqiptarë se kurrë ndonjëherë nuk do të bëj asnjë lloj hapi dhe asgjë të bazuar mbi manipulimin. Morali im është tjetër. Aty ka patur dhe manipulime të tjera, prap ka të tjera. U hap sipari , të tjerat ti hetojë prokuroria. Këtu është përsëritur e njëjta histori e manipulimit. Ka një gjyq të fituar ndaj manipulimit. Të fituar dhe të faktuar katërcipërisht që është manipuluar, por në rast se përdor median për të manipuluar si hanxhar, ti e kthen atë, nga një mjet informacioni në një hanxhar krimi. Sepse ka një gjyq të fituar. Ti jepi ato video, nuk po ta kërkon askush burimin, por manipulim mos bëj. Po manipulove ajo nuk është më media. Ajo kthehet në hanxhar krimi që do të vrasë politikisht, do të vrasë moralisht. Atëherë mos e bëj . Unë e falënderova dje, sinqerisht dhe kam qenë shumë i sinqertë në falënderimin tim. Sepse më nderoi. Nuk mund të ndjej keqardhje kur kundërshtari gabon. Këtu është keqardhja ime për mediat.
Pyetje: Në rast se prokuroria i jep të drejtë zotit Meta a do ta riintegrojë ai qeverinë?
Kryeministri Berisha: Zoti Meta nuk iku nga qeveria me kërkesën e kryeministrit. Zoti Meta dha dorëheqjen e parevokueshme me vendimin e tij. Ai nuk iku. Është në normën dhe në standardin tim se unë nuk i bazoj qëndrimet , mbi dokumente të manipuluara dhe të falsifikuara. Duhet të jeni të qartë. Pasi u vërtetua falsifikimi, zoti Meta u shpreh se do ti ndjekë dhe ai proceset. Nuk do të jetë më ZV/Kryeministri Ilir Meta për të ndjekur çështjet, por do të jetë qytetari Ilir Meta i një vendi të lirë, i një vendi ku funksionon shteti ligjor. Ai nuk do të thotë kush, se iu bë ky apo ai presion atij prokurori apo atij gjykatësi, të cilët janë njerëz me një profesion shumë të rëndësishëm për vendin.
Pyetje: Pas dorëheqjes së zotit Meta, a ju ka dhënë ndonjë emër që do të bëjë zëvendësimin e tij?
Kryeministri Berisha: Nuk është diskutuar, marrëveshja mbetet siç është. LSI ka kapacitetet e veta dhe do ti sugjerojë. Janë në të drejtën e forumeve dhe të Kryetarit të LSI të vendosë të propozojë personat e përshtatshëm për postin e Zv/kryeministrit dhe të ministrit të ekonomisë.
Pyetje: Zoti Lesi ka deklaruar se e ka ardhur koha që qeveria të bëjë një analizë të saj dhe ai ka propozuar se ka dhe tre ministri që duhen ndryshuar. A do të ketë një analizë të kabinetit qeveritar pas kësaj që ndodhi?
Kryeministri Berisha: I nderuar zotëri, ZV/Ministri Lesi mund të ketë shumë idera. Çështjet e analizave të kabinetit qeveritar dhe të Këshillit të Ministrave janë atribute kushtetuese të kryeministrit, as dhe të ministrave, por vetëm të Kryeministrit
Pyetje: Zoti Kryeministër po ju citoj pak më parë kur thatë se “ky ishte koalicioni më i suksesshëm”, a ndiheni ndonjë rezerve, sepse pjesë e këtij koalicioni ka qenë dhe ish ministri Prifti?
Kryeministri Berisha: Absolutisht po, më thoni një tjetër ju. Para se të vesh në dyshim fjalën time, pasi unë nuk them se duhet ta marrësh shabllon , por më thuaj cili ka qenë, ky është koalicioni më i suksesshëm . Koalicioni është koalicion, çfarë do të thotë, që është program, është administratë, është tërësi, por në qoftë se ndalesh dhe analizon këtë që them unë,kam të drejtë ta them se ka qenë më i suksesshmi.
Së pari realizoi një arritje jetësore, personale, historike për çdo shqiptarë dhe besoj se kjo përbën një nga arritjet më kulmore në historinë e këtij vendi dhe ju garantoj ju, se ky koalicion ka qenë totalisht me të gjithë potencialet e veta i përkushtuar , në një udhërrëfyes që ka pasur së paku 120 kërkesa nga më komplekset.
Së dyti mbyllëm vitin me një rritje ekonomike më të lartën në Europë. Ju e morët vesh se tremestri i tretë ishte me 4.9%. Rritja ekonomike ka shtyllë kryesore vlerësimin TVSH dhe ku është minusi, nëse ti lë një sektor pa TVSH dhe ky sektor është eksporti i cili ka vlerën 1.6 miliard dollarë, kontributi i tij në rritjen ekonomike mbi bazën e kësaj metode është pothuajse hiç.
Në impulse, kompanitë e telekomit në tërësi kanë rritje rreth 40%, por meqenëse bëjnë oferta dhe japim me lek e pa lek , ato në TVSH kanë rënie dhe statistika për rritje i nxjerr me minus 8%, por këtu s’ka faj statistika , pra thelbi është më i lartë se kaq. Ky është koalicioni si rezultat i kësaj qeverisje i këtij koalicioni.
Së treti, E bukura e Dheut, ishte Koalicioni për Integrim, që bëri që Shqipëria të meritojë botërisht të konsiderohet destinacioni më kryesor turistik në botë.
Së katërti, mosha dixhitale dhe më e rëndësishmja rritja e rrogave dhe pensioneve, me gjeni ju një vend që të ketë rritur rrogat dhe pensionet. Unë mund të të ndihmoj me dhjetëra e dhjetëra vende që i kanë ulur ato në mënyrën më të ndjeshme, ne i kemi rritur. Unë nuk them se ky koalicion bën vezën e artë, por unë them se ky koalicion ka qenë më i suksesshmi që ka pasur vendi ndonjëherë.
Pyetje: Pas publikimit të kësaj video keni pasur ndonjë ofertë nga zoti Rama në lidhje me situatën dhe me koalicionet e mëtejshme dhe e dyta si e shihni pozicionin e zotit Prifti në këtë video dhe në këto zhvillime?
Kryeministri Berisha: Unë mendoj se kryeçimka po çimkëzon. Unë e thash edhe një herë se zoti Rama ka fatkeqësinë kontinentale, të jetë një zog bunkeri.
Pyetja:Transmetimi i videos në Top Story flitej qartë për dhënien e një hidrocentrali, dhe akuzave që bëhen aty?
Kryeministri Berisha: Nuk është e plotë video,shpresoj ta plotësojnë, ti thua kështu se ashtu beson , sepse i beson profesionalizmit dhe etikës gazetareske, por çakalli i ka standardet me Ramën. Duhet të dish një gjë, sepse je i ri, në diktaturë ka pasur një zyrë të posaçme, e cila merrte shiritin dhe e ngjiste dhe stërngjiste, duke e krijuar nga e para , por në këtë rast nuk them asgjë.
Por di këtë që një teknike e shkëlqyer e një medie diku më bëri një mesazh dhe më tha se unë e mora në kompjuter dhe ajo ishte plot me “fruzho”(zhurma mikrofoni), kujt i thoni ju “fruzho” se unë nuk e di, domethënë që ishte përdoruar kaq shumë,ndaj mos më fut mua në çështje teknike. Zëvendëskryeministri bëri një akt të paanshëm, në momentin e parë i dërgoi letër Kryetares së Parlamentit duke i thënë se nuk kam imunitet , zyrtarisht të dytën pasi doli falsifikimi, tani tha se çështjen duhet ta ndjek si qytetari Ilir Meta, jo si zëvendëskryeministri i vendit.
Nuk duhet që asnjë prej atyre që do të ndjekin këtë problem të kenë përpara zëvendëskryeministrin, por të jenë të qetë ta hetojnë . Besoj se çdo koment tjetër i imi është i tepërt për këtë çështje ndaj dhe ju falënderoj për interesin që treguat për ndjekjen e kësaj çështje.
14/01/2011