E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së

Zoti kryetar i Grupit Parlamentar,

Të dashur qytetare dhe qytetarë që ndiqni nga ekranet televizive këtë mbledhje të grupit parlamentar të Partisë Demokratike,

Sot është dita e ngadhënjimit të shqiptarëve, e triumfit të qytetarëve më të shtypur në historinë  e Europës, mbi diktaturën më çnjerëzore që kontinenti ka njohur në tërë historinë e tij, diktaturën hoxhiste.  20 shkurti do të mbetet në historinë e këtij vendi dhe të këtij kombi ngjarja më kulmore, beteja më e madhe, legjenda  e trimërisë së studentëve dhe qytetarëve të Tiranës, të cilët 21 vite më parë u përballën në një beteje epike, pa marrë parasysh asgjë dhe ia dolën të përmbysin shtatoren e diktatorit mizor, në qendër të Tiranës, shtatoret e gjallë në bllokun hoxhist.  Ata ia dolën de facto të bëjnë vendin më opozitën më të fuqishme që kishte pasur ndonjëherë, ia dolën të realizojnë në një hark kohor të shkurtër, në rrugë paqësore, ndryshimin më të madh që shqiptarët kishin realizuar ndonjëherë në historinë e vendit të tyre. 

20 shkurti është apel për çdo shqiptar, për të nderuar ata qindra  e mijëra burra dhe gra, të rinj dhe të reja, të cilët sakrifikuan rininë, sakrifikuan jetën e tyre, për vlerat që ne sot u besojmë, për vlerat që ne sot zhvillojmë, për vlerat që ne sot ndërtojmë.

20 shkurti është gjithashtu një nderim për të gjithë ata shqiptarë, që përjetuan barbaritë e një sistemi skllavërie moderne, por mbi të gjitha është një nderim për ata djem dhe vajza, burra dhe gra, që 21 vjet më parë, me një vendim solemn, vendosen të zhvillojnë në rrugët dhe sheshet e Tiranës, betejën ndaj diktaturës më të egër që Europa kishte njohur.

20 shkurti nuk ishte betejë me buste.  20 shkurti ishte beteja me diktaturën hoxhiste, me bllokun hoxhit, që nga bunkeri projektonte krime, mjerim, vrasje, izolim.  Por 20 shkurti është gjithashtu, një moment reflektimi i thellë për çdo shqiptar.

Ç ’ndodhi me ne? Pse mbi ne u vendos për 43 vjet me radhë, regjimi më i egër, më barbar, me çnjerëzor, se në çdo komb tjetër të Europës?!

Regjimi, me Kushtetutë, e shndërroi Shqipërinë, në trevën e eksperimenteve më çnjerëzore, më tragjike, të ndalimit të Zotit dhe të drejtave të njeriut , të ndalimit të pronës private, me kushtet e ndalimit të lëvizjes me tela me gjemba, si në asnjë vend tjetër.  Është në detyrën tonë të nxjerrim mësime. Asgjë më të rëndësishme nuk ka, sesa mësimi që nxjerr nga ajo që ke pësuar.

Në pranverën e vitit 1991, me një deklaratë unike, kryeministra, kryetarë shtetesh, kryetarë partish  të Qendrës së Djathtë Europiane do ta cilësonin Enver Hoxhën si Hitlerin e shqiptarëve të pas luftës. Ky krahasim nuk ishte as emocional dhe as rastësor.  Absolutisht jo! Ky krahasim bazohej në faktin se njëlloj si Adolf Hitleri, që mbi baza raciste dhe etnike ndërmori shfarosje të kombe të tëra, po kështu, diktatori shqiptar, mbi baza klasore dhe ideologjike,  ndërmori shtypjen më të egër, persekutimin më të gjerë, organizoi mbi popullin e tij, mjerimin më të thellë. Ai përdori dobësinë e tmerrshme që krijon mjerimi, për të mbajtur të gjunjëzuar një popull të tërë. Shfarosi në kampe dhe burgje, dy herë më shumë se të gjitha vendet  ish-komuniste të marra së bashku, shfarosi me sëmundje dhe uri, disa herë më shumë, sesa me kampet dhe burgjet e tij. Dhe ky ishte i vetmi diktator i Europës ish-komuniste  që u cilësua si Hitleri i pas luftës. Mjerisht, duhet të them se qëndrimi ndaj tij, qëndrimi ndaj sistemit që ai vendosi, ende nuk ka marrë përmasat që ai meriton.

Kombi gjerman pati pas luftës, një gjeni. Filozofin Karl Jasper, i cili në mendimin e tij filozofik e mëkoi atë, me përgjegjësi për atë që kishte ndodhur. Po këtu, çfarë ndodhi?!  Këtu, në fakt, praktikat  e kohëve të shkuara  vijnë jo si reminishencë e së shkuarës, por si një platformë për të bllokuar rrugët  këtij vendi. Gjatë diktaturës gjithçka projektohej dhe vendosej në bllokun famëzi, në bunkerin e tij.  Me 20 shkurt, qytetarët e zemëruar të Tiranës u vërsulën drejt tij. Në një moment kritik, Partia Demokratike ia doli të përmbajë zemërimin e tyre, në përputhje me platformën e saj të ndërrimeve paqësore.  Sot, pas 20 vjetësh, blloku është shndërruar në një nga lagjet e haresë së qytetit, por sërish janë mbledhur  çunat apo bijtë  e bllokut. Po!

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Historia dhe zhvillimet duhen parë drejt  e në sy. Kjo nuk ndodhi pas vitit ‘92. Kjo është e vërteta, ndonëse ne, kurrë,  nuk i mbajmë përgjegjës bijtë, për eterit. Kjo nuk ndodhi  as edhe në vitin 2000. Ky rikthim i bijve në krye të Partisë Socialiste përbën vepër kryekëput të Edvin Ramës. Dhe kjo është e vërteta.  I mblodhi  ku  ishin dhe ku nuk ishin, madje, i solli edhe nga emigracioni, duke iu premtuar majën që humbën etërit. Cili është qëndrimi?  Qëndrimi është: Dy vite me radhë përdorën pushtetin e dhënë nga qytetarët  për të mbështetur integrimin, për të bllokuar procesin e integrimit. Gjatë kësaj kohe, qeveria bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje dhe për të bashkëpunuar me opozitën, por, natyrisht, duke qëndruar vendosmërisht në ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Pas 2 vitesh bllokimi që i bënë Shqipërisë dhe e bënë këtë, pikërisht, sepse ndajnë psikologjinë e etërve të tyre, pasi nuk ka as edhe një shqiptar që ta bëjë këtë, pranoi pikë për pikë ato që i  ishin ofruar dy vite me radhë, por duke fërkuar duart se bllokoi statusin. Shqiptarët i dhanë përgjigjen e shkëlqyer, të merituar më 8 maj.  Sërish,  ne mbetemi të hapur për reforma. Opozita ka dhe do të ketë të gjithë gatishmërinë tonë për bashkëpunim, por, absolutisht, asgjë jashtë kuadrit kushtetues të këtij vendi, asgjë jashtë shtetit ligjor dhe funksionimit të tij. Sot, pas 21 vitesh, nderimi më i madh që ne mund t'i bëjmë guximit, trimërisë, kurajës së atyre që përmbysën në rrugët dhe sheshet e Tiranës, diktaturën më barbare të Europës, është të konsolidojmë vlerat e lirisë, demokracisë, shtetit ligjor, të bëjmë gjithçka kemi në dorë për të shtyrë përpara procesin e konsolidimit të demokracisë në këtë vend dhe procesin e integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë në Bashkimin Europian. 

Uroj, gjithashtu, që udhëheqja aktuale e opozitës të çlirohet në interesin e saj më të mirë, por edhe të vendit, nga psikologjia dhe mentaliteti i etërve. Psikologji dhe mentalitet që nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë të ardhme.

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Natyrisht, krahas kësaj ngjarje, që ndau historinë e shqiptarëve, që çeli dyert e kalimit të tyre nga mbretëria e frikës, terrorit e tmerreve, në mbretërinë e  lirisë, dua t’ju informoj për situatën aktuale, në të gjitha qarqet e emergjencës civile.

Gjithnjë, dua të falenderoj qytetarët e këtyre qarqeve, qeveritë vendore, juve, zotërinj deputetë dhe strukturat e institucioneve qendrore në këto qarqe dhe në qendër, për angazhimin e tyre të plotë dhe efiçent, në përballimin e një situate të pa precedent, së paku, në 27 vitet e fundit.  Ky ka qenë operacioni i emergjencës më masive në historinë e vendit, iI shtrirë nga Alpet e veriut gjer në vargmalet e juglindjes së vendit.  Dua të theksoj se në një kohë rekord janë realizuar lëvizje dhe heqje të milionave metër kub dëbore, nga rrugët e këtyre qarqeve.

Në fillim të dhjetëditëshit të dytë të shkurtit kanë qenë të bllokuara rrugë kombëtare, rurale dhe komunale  mbi pesë mijë kilometra. Kanë qenë të bllokuara nga reshjet intensive të dëborës 106 komuna dhe bashki të vendit.  Në një operacion të pandërprerë dhe intensiv  janë zhbllokuar  në tërësi, përveçse pak kilometrave, të gjitha akset kombëtare rrugore, në të katër anët e vendit.  Janë zhbllokuar dhe është garantuar kalueshmëria në rreth afërisht 4 mijë kilometra rrugë.  Janë nxjerrë nga izolimi rreth 90 komuna dhe bashki. Përsëri janë në izolim komunat e Shalës, Shoshit, Vermoshit, Pultit pjesërisht, Temalit pjesërisht, po ecet drejt Lekbibajt, Grykëçajit, Arrën, Reçit, Selishtës, komuna këto të qarkut të Peshkopisë, janë komuna në Gramsh, Poliçan dhe tre komuna të tjera. Por, në rast se një javë më parë ishin rreth 800 mijë banore të rrethuar dhe të bllokuar nga dëbora, numri  i banorëve sot është realisht jo më shumë se 15 mijë, në të gjitha komunat. Sot po bëhet punë e jashtëzakonshme që të mund të arrihet në komunën e Reçit, në komunën e Selishtës, të mund të ecet më shpejt drejt Lekbibajt, Kelmendit, Temalit, pra, në ato komunave, ku ende nuk është arritur në qendër. 

Duhet të qartësoj shqiptarët se në këtë operacion, fondet e qeverisë shqiptare për hapjen e  rrugëve kombëtare dhe rrugëve rurale, mirëmbajtja e tyre janë rreth 12 milion dollarë, apo 1.2 miliard lekë dhe se nga fondi i përcaktuar prej 40 milion lekësh, as edhe një qindarkë e vetme nuk është përdorur për hapjen e rrugëve kombëtare apo rrugëve rurale. Destinacioni  i këtij fondit janë rrugë komunale, rrugë që lidhin fshatrat me qendrën  e komunës.

Në të gjitha komunat janë dërguar pakot e ndihmës mjekësore, me të gjithë medikamentet për rastet akute dhe kronike, sipas patologjisë së raportuar nga qendra shëndetësore. Janë transportuar me helikopterë dhe mjete të tjera  79 urgjenca dhe nuk ka mbetur qoftë edhe një njeri i vetëm që nuk ka marrë trajtimin si urgjencë, në çfarëdo lloj rrethane që të jetë gjetur. Ekipet e helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes kanë bërë fluturime në situata nga më të vështirat, kudo që janë thirrur dhe kanë evakuuar dhe ndihmuar të sëmurët.  Një kujdes i veçantë është bërë për nënat shtatzëna në muajin  e paralindjes dhe kjo ka funksionuar shumë mirë.

Qarku i Korçës po i kthehet tërësisht  normalitetit, por, po kështu, edhe në veri. Hasi dhe rrethe të tjera dora-dorës po shkojnë  drejt normalizimit dhe nisjes së shkollave. Kërkesa  ime, zoti ministër  i Arsimit,  është që të merret çdo masë që shkollat të pastrohen nga  dëbora në çati, si kushti i domosdoshëm i funksionimit normat të tyre.

Dëbora në disa zona të caktuara, realisht ka arritur në 3 dhe më shumë metra, kryesisht depozitime nga era, por jo vetëm të tilla, çka e kanë bërë të vështirë ndërhyrjen në rrugë për shkak të shembje së dëborës dhe ortekëve. Megjithatë ju zotërinj  deputetë keni qenë në mënyrë konstante në krye në përpjekjeve të këtyre qarqeve, për të dalë nga izolimi dhe bllokimi nga dëbora.  Po ecet me shpejtësi të madhe. Sot është arritur në  Qels, është arritur në  Surroi,  mbrëmë është arritur ne Shishtavec, në një nga rrugët më të vështira, 34 kilometra rrugë në grykën e Vanajt, një nga grykat më borëmbledhëse.  Mbetet sërish punë mbetet për t'u bërë.

Ne do të mbajmë këtë situatë dhe këtë shkallë angazhimi derisa të rivendosim kalueshmërinë e rrugëve jo vetëm kombëtare dhe rurale, por edhe atyre komunale. Unë dua të përgëzoj kryetarët e komunave, të cilët me përkushtim të madh po bëjnë gjithçka, për të lidhur fshatrat me rrugë të hapura me qendrat e komunës dhe me shkallë të lartë përgjegjësie kanë formuluar të gjitha kërkesat me shtabin qendror. Kërkesa këto që janë përcjellë dhe është bërë gjithçka për t'ua plotësuar.

Ushtria ka vënë në dispozicion mjete të shumta tokësore dhe ajrore, mbi 350 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë, të cilët kanë punuara në zonat më të vështira dhe me sukses të plotë. Po kështu, Policia e Shtetit, Rezerva e Shtetit, Emergjenca Civile.  Unë mendoj se ky dimër i veçantë për gjysmë shekullin e fundit testoi funksionimin e institucioneve dhe administratës shtetërore vendore dhe qendrore. Test, i cili u kapërcye me seriozitet të madh. 

Një shkallë e lartë solidariteti u konstatua në të gjitha komunitetet.  Natyrisht, kurrë ndonjëherë, banorët e zonave të dëborës nuk gjenden të pa përgatitur për dëborën dhe pasojat e saj. Kjo është pjesë e jetës së tyre, por angazhimi dhe mobilizimi total i administratës ishte i domosdoshëm, për të lehtësuar peshën e këtij moti, që pllakosi mbarë Europën dhe krijoi 560 viktima në Europë.

Duhet të falenderoj në mënyrë të  veçantë qeverinë vendore, kryetarët e komunave, të këshillave, këshilltarët,  kryepleqtë, të cilët, jashtë çdo lloj sensi politizimi, bashkëpunuan me harmoni të plotë me shtabet e qarqeve dhe shtabin qendror. Shpreh dhimbjen time që, në disa qarqe që unë vizitova, më raportuan në shtabin e emergjencës se asnjë deputet i  PS-së nuk i kishte vizituar. I garantoj qytetarët shqiptarë dhe anëtarët e PS-së, të PD-së dhe ata pa parti, se kjo nuk ka ndodhur ngaqë ata nuk kanë dashur. Jo! Unë i njoh fare mirë dhe këtë vendim, ata nuk mund ta merrnin, por, absolutisht, kjo ka ndodhur mbi bazën e një urdhri absurd, të dhënë nga kryetari i tyre: Mos guxoni të shkelni në shtabet e emergjencës. Kjo, dua ta theksoj këtu, nuk mund të quhet ndryshe veçse absurd. Megjithatë dhe njëherë theksoj se ata nuk kanë munguar në këto takime dhe në këto mbledhje se nuk kanë dashur. Tjetër është të ligjërosh në televizor, të sulmosh orë të tëra në ekrane apo të bësh ciu ciu 5 herë në ditë dhe tjetër është të shkosh dhe të prekësh me dorë ata njerëz,  që në shumë momente kanë dëshmuar burrëri, trimëri,  përkushtim të madh.

Dje isha në Peshkopi dhe autoritetet më informuan se si në kulmin e motit, banorët e komunës së Sllovës,  hapën rrugën e fshatin të tyre dhe të hapësh rrugë në kulmin e motit  është një nga gjërat më të vështira dhe këtë e bënë që një nuse e re të mund të transportohej me barele,  derisa të vendosej në autoambulancë, që ishte larg. Ky është një rast, por raste të tilla ka pasur plot.

Sigurisht që qytetarët në tërësi janë dhe do të jenë gjithnjë të përgatitur  për dëborën, por jo çdo familje  është e përgatitur. Ata kanë ndarë me njëri- tjetrin miellin, bukën dhe kanë dëshmuar një shkallë të lartë solidariteti njerëzor. Sikundër janë realizuar mbi 35 fluturime  për në fshatrat dhe lagjet më të izoluara, me kërkesë të kryepleqve dhe komunave.  Pra, ky ishte operacioni  i emergjencës  që u zhvillua javën që shkoi pothuaj 24 orë në 24 orë, në të gjitha rrugët, sheshet, fshatrat, komunat, bashkitë e bllokuara nga moti.

Dua të garantoj qytetarët e komunave në vështirësi, banorët e  fshatrave të Alpeve, të Gramshit, të zonës midis Librazhdit dhe Peshkopisë, ku ende ka fshatra si Qarrishti dhe fshatra të tjerë që janë në lartësi dhe hapja e rrugës për momentin paraqet vështirësi serioze, se qeveria  dhe emergjenca civile do të jenë aty, pavarësisht nga rruga.  Nuk ka asnjë pengesë që ne të mos ndodhemi pranë tyre, në nevojat më të rëndësishme që ata mund të kenë, emergjencën mjekësore, por edhe ndihma të tjera.

Dhe njëherë  dua të falenderoj ata mijëra dhe mijëra qytetarë, burra, gra të administratës qendrore dhe vendore, për menaxhimin me përgjegjësi të lartë të operacionit më të gjerë në shkallë vendi, që është ndërmarrë ndonjëherë. Faleminderit !"


20/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›