E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret në takim Drejtorin Rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore të NDI, z.Robert D. Benjamin

Kryeministri Berisha priti sot në takim Drejtorin Rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore të Institutit Demokratik Kombëtar, zotin Robert D. Benjamin

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi zoti Benjamin për bashkëpunimin e shkëlqyer të ndërtuar gjatë këtyre 20 viteve të fundit me NDI, si dhe për mbështetjen që ky institucion i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe, në përpjekjet e saj për konsolidimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe një shoqërie të lirë e të hapur, bazuar mbi tregun e lirë.

Zoti Benjamin, pasi e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen, i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta të Presidentit të NDI, zotit  Kenneth Wollack, të ish Sekretares së Shtetit Madeleine Albright, si dhe të guvernatorit Howard Dean. Më tej, zoti Benjamin e falënderoi Kryeministrin për mbështetjen që ai dhe qeveria shqiptare i kanë dhënë bashkëpunimit me Institutin Demokratik Kombëtar, gjatë gjithë kësaj periudhe.

Në takim u ritheksua vullneti për të vijuar këtë bashkëpunim të suksesshëm edhe në të ardhmen dhe zoti Benjamin e informoi Kryeministrin Berisha për projektet në të cilat është përfshirë NDI në Shqipëri, siç është ai i promovimit të mëtejshëm të barazisë gjinore, apo përmirësimit të kuadrit ligjor, të lidhur me reformën zgjedhore, etj. Zoti Benjamin i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen e tij dhe të NDI për kontributin e jashtëzakonshëm të Kryeministrit, në veçanti, për sa i përket promovimit të barazisë gjinore në të gjitha aspektet e jetës në vend, në promovimin e grave dhe vajzave, por edhe brezit të ri në politikë.


20/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›