Kryeministri Berisha: Vendi është plotësisht i përgatitur për t’u përballur me dimra edhe më të mëdhenj se ky
Kryeministri Berisha, në vijim të takimeve me shtabet e emergjencës që janë ngritur në qarqet e prekura nga reshjet e mëdha të dëborës, u takua sot në Peshkopi, me shtabin e emergjencës së qarkut të Dibrës.
Kryeministri u informua me hollësi, nga anëtarët e shtabit, mbi situatën më të fundit në këtë qark, me urgjencat shëndetësore, gjendjen e rrugëve dhe furnizimin me ushqime të banorëve.
Kryeministri përgëzoi qeveritarët vendorë, firmat private që kanë vënë në dispozicion të shtabit të emergjencës mjetet e tyre për hapjen e rrugëve dhe vetë banorët, për përkushtimin në përballimin e kësaj situate të vështirë. Kryeministri theksoi se vendi është i përgatitur për dimra të tillë dhe se qeveria do të bëjë gjithçka për t’u ardhur në ndihmë banorëve të këtyre zonave, me synimin e parë, më të madh, shpëtimin e jetëve njerëzore.
Kryeministri u bëri sërish thirrje banorëve dhe qeveritarëve vendorë, për t’i kushtuar vëmendje të veçantë dy problemeve më serioze në këtë situatë: pastrimit të çative të shtëpive dhe ndërtesave publike dhe rrezikun nga ortekët. Lidhur me këtë të fundit, Kryeministri kërkoi evakuimin e banorëve nga zonat që njihen si zona me potencial për krijimin e ortekëve.
Në vijim, fjala e Kryeministrit në mbledhjen e shtabit të emergjencës të qarkut Dibër.
“Së pari, erdha këtu për t’ju përshëndetur dhe përgëzuar juve, drejtuesit e qarkut të Dibrës, të gjithë qeveritarët vendorë dhe qytetarët e këtij rrethi, për shkallën e lartë të përgjegjësisë qytetare që keni dëshmuar në trajtimin e qëndrimin në këtë situatë të veçantë. Shqipëria është një vend malor, me lartësinë mesatare më të madhe në Europë. Për definicion, ne jemi zona malore, por një dimër si ky përbën një veçanti, pasi ka dekada që nuk është parë, ndërsa në kontekstin e lartësisë mesatare të vendit dhe të tërësisë së shtrirjes në vite, është një dimër ndër të tjerët. Sidoqoftë, bora në vetvete ka rreziqet e veta dhe unë mendoj se me organizimin që është bërë gjer më sot, jemi përballuar me shkallë të lartë përgjegjësie me rreziqet që ajo bart.
Unë dua t’ju shpreh një nderim shumë të madh banorëve të fshatrave të komunës Sllovë, të cilët me një operacion shumë fisnik, nga fshati në fshati, duke hapur rrugën bënë të mundur shpëtimin e një nëne të re. Një angazhim ky i qindra burrave, për të krijuar mundësinë e transportit të kësaj nëne. Po kështu, në Has, dy djem mbeten në borë dhe mbi 150 burra, djem e të moshuar u nisën në drejtim të tyre, i gjetën, por, për fat të keq, njëri prej tyre, me hipotermi të thellë, edhe pse në spital, nuk mundi ta kapërcejë. Ndërsa tjetri u shërua.
Në këtë situatë, ka spikatur një shkallë e lartë përgjegjësie e mobilizimi dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dua të përgëzoj gjithashtu, firmat për mirëmbajtjen e rrugëve, pasi ka fare pak dallim nga ajo që pashë në Korçë dhe kjo është dëshmi e një shkalle të lartë përgjegjësie.
Vendi është plotësisht i përgatitur për t’u përballur me dimra si ky, e më të mëdha se ky. Dua t’ju rikujtoj vetëm një moment. 5-6 vjet më parë, kur pati bllokim në Qafë të Buallit, me vështirësi kemi gjetur një apo dy borëpastruese për të ardhur në ndihmë, ndërsa sot, prefekti raportoi se janë 40 mjete të ndryshme, në të katër anët e qarkut, duke hapur rrugët. Në rast se një javë më parë ishin totalisht të bllokuara 106 komuna e bashki të vendit, sot kanë mbetur 17 dhe shpresoj që në darkë të mos jenë më shumë se 10-12. E gjithë kjo është dëshmi e një force motorike të fuqishme, e cila gjatë këtij hark kohor ka lëvizur në ditë, miliona metër kub borë dhe ka hapur rrugë edhe në skajet më të largëta, në qendrat e komunave. Përpjekje shumë serioze po bëhen nga kryetarët e komunave, me fondet e lëvruara, për të hapur rrugët e fshatrave.
Në këtë situatë, kur trafiku vështirësohet e zona të tëra paralizohen, vetëkuptohet që problemi më i parë është urgjenca shëndetësore. Në të vërtetë, përsa i përket dhënies së ndihmës, ajo ka qenë e shkëlqyer. Rrugës për këtu, u informova se një i sëmurë në gjendje serioze u evakuua me helikopter, nga një fshat i Kurbneshit. Kudo ku ka pasur nevojë, helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ato të ushtrisë kanë bërë fluturime nga më të rrezikshmet, për të shpëtuar jetë, sikundër kontributi i banorëve ka qenë shumë i madh. Ne mbetemi të vendosur të bëjmë gjithçka, për të shpëtuar çdo jetë të kërcënuar, për shkak të mungesës së ndihmës mjekësore. Ne do të bëjmë gjithçka, për të hapur në kohë sa më të shpejtë asket rrugore, në përputhje me kërkesat tuaja, jashtë çdo abuziviteti, sikundër do të bëjmë gjithçka, për të sjellë ndihmat që u duhen banorëve në nevojë. Ne nuk kemi hezitim. Problemi i vetëm është se kjo duhet të nënkuptojë se ato ndihma që u jepen atyre që janë më në nevojë, se nuk mund të themi se nuk jemi banorë të zonave malore e se nuk dimë të përgatitemi për dimra. Jo! Të gjitha këto janë pjesë e jetës sonë. Megjithatë, absolutisht, për një arsye apo tjetër, ka që janë në nevojë të madhe dhe kjo do t’u plotësohet. Ne do të ndërhymë me kërkesën e kryetarëve të komunave dhe jo në mënyra të tjera, aty ku keni nevojë. Qeveria dhe shteti disponon gjithçka, për të ndihmuar qytetarët në nevojë, kudo që ata ndodhen.
Në rrethin tuaj është bërë një punë e jashtëzakonshme, sepse, faktikisht, ky rreth, së bashku me Bulqizën, kanë qenë tërësisht të bllokuara, pak ditë më parë. Sot kanë mbetur 3-4 komuna për të shkuar në qendër të tyre dhe nuk ka pasur rreth më me vështirësi se rrethi juaj. Kjo sepse, së pari, është një nga rrethet më të hapura dhe së dyti, ka largësinë ndër më të mëdhatë në Shqipëri. Por ju keni punuar me përkushtim të madh, po ashtu, punonjësit e kompanive që ju keni kontraktuar dhe faktikisht, sot jemi në një situatë diametralisht të kundërt me atë të një jave më parë.
Ne shpresojmë që situata të mos ketë valë të reja të mëdha, por të dhënat meteorologjike dëshmojë se përsëri i ftohti dhe reshjet, në përmasa të caktuara, do të vazhdojnë. Në çdo rast, ju siguroj juve dhe të gjithë banorët e këtij rrethi se qeveria qëndron e fuqishme, për t’i mbështetur ata në çdo lloj problematike që u krijohet nga kjo dëborë, e cila, e ritheksoj, krijoi një bllokim të trafikut e qarkullimit për një kohë.
Sërish thirrja ime është: Të pastrojmë e zbulojmë çatitë! Nënvlerësimi i tyre përbën një rrezik serioz mbi kokën tuaj e të fëmijëve tuaj. Kjo është e vërteta. Dy janë problemet më të mëdha të dëborës: çatitë dhe ortekët. Këto janë edhe rreziqet më imediate. Ndaj u bëj thirrje kryepleqve dhe kryetarëve të komunave të këtij qarku dhe të të gjitha qarqeve të tjera ta marrin me seriozitetin më të madh këtë problem. Vlerësoj faktin se disa banorë në komunën e Arrasit janë spostuar në një shkollë dhe duhet t’i furnizojmë me të gjithë nevojat për jetesë dhe ju bëni listën për këtë. Po ashtu, edhe në zona të tjera, ku mund të ketë rënie ortekësh, të cilat dihet pak e shumë, ku ka një lloj historie të tyre, t’i largojmë banorët provizorisht, sepse, siç e dini, orteku bie edhe me fillimin e shkrirjes së dëborës. Nuk duhet të humbim as edhe një jetë të vetme!
Edhe një herë ju përgëzoj për përkushtimin! Ky dimër pati këto reshje të mëdha bore, por prapë ato po kapërcehen me koston më të vogël të mundshme. Në Europë, ky dimër ka krijuar 560 viktima. Ndërsa vendi më lartësinë mesatare më të madhe në Europë dhe sipërfaqen malore më të madhe, në raport me sipërfaqen tjetër, është Shqipëria dhe gjer më sot, falë një mobilizim total për të ndihmuar çdo qytetar në nevojë, ne kemi vetëm një viktimë, të lidhur me borën dhe do bëjmë gjithçka të mos kemi tjetër.
Ndaj është shumë e rëndësishme të konsolidoni skemën e shkëlqyer që keni: kryeplak-kryetar i komunës-shtabi vendor i emergjencës-shtabi qendror. Kjo duhet të jetë linja, në të cilën duhet të bazohemi në të gjitha veprimet që do të ndërmarrim, sepse të tjerat nuk kanë shkallën e përgjegjësisë që duhet të kenë. Fatmirësisht, kjo linjë është faktuar e shkëlqyer dhe efikase në të gjitha rastet dhe ka bërë të mundur të ndihmohet gjithsecili që është në nevojë. Në tërësi, bashkëpunimi ka qenë i shkëlqyer pavarësisht nga përkatësia partiake, por ndonjë tek tuk e ka mbajtur Kasandra e së keqes, i cili mendoi se ra bora dhe ‘mbinë votat’, si p.sh atë të Kalasë së Dodës, me siguri e ka mbajtur kryetari i tij. Nuk themi se nuk ka vështirësi, por në këtë rast bëhen gjithnjë përpjekje si t’i zvogëlojmë dhe në radhë të parë, si të parandalojmë humbjet e jetëve, pasi kjo është më e çmuara. Më pas, pastaj dëmet e tjera me radhë. Por dua të them se rasti sporadik, i izoluar i Kalasë së Dodës është i izoluar. Në tërësi, autoritet vendore kanë qenë në krye, pa dallim dhe kjo është përgjegjësia, pasi bora nuk bën dallime në qytetarë partiakë e jo partiakë. Bora i rrethon të gjithë njëlloj!
Gjithashtu, mediat kanë bërë një punë shumë të mirë. Ndonjëherë kanë shpallur të humbur, por pastaj janë tërhequr, sepse nuk mund të shpallësh të humbur, pa u verifikuar. Nëse në ndonjë zonë nuk kapet sinjali telefonik, kjo nuk do të thotë që një person është i zhdukur. Atij mund të mos i punojë bateria apo mund të ndodhet në një zonë ku nuk ka antena. Sot është edhe fat i madh që kemi shumë linja dhe komunikojmë kudo. U njoftua p.sh për barinj mbi 1000 metra lartësi, që mbanin edhe bagëti, të cilët kishin humbur lidhjet, por ata ishin biznesmenë të kromit. Ju e dini se të mbash bagëti, do të thotë t’u sigurosh edhe ushqimin.
Edhe një herë e theksoj se në tërësi keni bërë punë të jashtëzakonshme, sepse ju e keni pasur më të vështirë se çdo qark tjetër, për shkak të terrenit dhe vëllimi i punës është i madh. Sot janë vetëm 3 komuna, ku nuk shkohet në qendër të tyre. Ju përgëzoj dhe ju siguroj se do mbetemi në kontakt. Ne disponojmë të gjitha mjetet për t’ju mbështetur në shkallën e duhur, natyrisht, ju dhe ne jemi jashtë çdo lloj abuziviteti e shpërdorimi, sepse ato janë para të taksapaguesve. Çfarëdo ndihme tjetër që ju duhet, ne jemi të gatshëm ta nisim. Gjëja e parë, të cilën ju e keni vetë parasysh, edhe mua këtë ma parashtruan kryetarët e komunave në Dibër, është hapja e rrugëve. Kjo është gjithçka. Së dyti, ne kemi bërë disponibël ndihmën ekonomike. Së treti, ka familje në nevojë, të cilat sërish do t’i ndihmojmë. Por nuk mund të themi se jemi të pa përgatitur për dimër. Madje jemi në një shkallë që mund të përgatitemi shumë më tepër se dikur. Të gjitha këto së bashku bëjnë që kjo situatë të kapërcehet me pasojat më minimale, siç edhe ka shkuar gjer më sot.
19/02/2012