Kryeministri Berisha: Gjithçka për dixhitalizimin, si një proces jetik për transformimin e Shqipërisë në vend të zhvilluar dhe luftuar korrupsionin
Kryeministri Berisha tha sot se dixhitalizimi është një proces jetik në transformimin e Shqipërisë në vend të zhvilluar, të integrimit të tij në Bashkimin Europian dhe më efikasi në përpjekjet për të luftuar korrupsionin. Këtë vlerësim, Kryeministri e theksoi edhe një herë sot, gjatë fjalës në hapje të Konferencës së dytë për shoqërinë e informacionit, e cila u fokusua në përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët dhe bizneset, nëpërmjet qeverisjes elektronike, e organizuar nga Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, me mbështetjen e Delegacionit të BE-së në Shqipëri.
Kryeministri tha se në përpjekjet për realizimin e projektit kombëtar Shqipëria dixhitale, qeveria mbetet tërësisht e fokusuar jo vetëm në përmbushjen e këtij objektivi, por edhe në ndjekjen e ritmit të zhvillimeve në këtë fushë, e cila evoluon më shumë dhe më shpejt se çdo fushë tjetër.
Në vazhdim të praktikës dhe rezultateve shumë pozitive që solli vendosja e një serie shërbimesh themelore elektronike si e-prokurimet, e-taksat, e-doganat, regjistri elektronik i gjendjes civile etj., Kryeministri garantoi se po bëhen përpjekje të mëdha për të shtuar numrin e tyre dhe për të arritur në një sportel të vetëm për shërbimet. “Çdo shpenzim, - tha Kryeministri - që bëhet sot, nga kjo administratë e ky shtet, lexohet të nesërmen on line nga qytetarët shqiptarë. Përpjekja për një Shqipëri dixhitale është një përpjekje për shërbimet më të shkëlqyera, për kursimin më të madh të kohës, për transparencën më të madhe.”
Kryeministri Berisha përsëriti se në përmbushje të angazhimit të marrë nga qeveria shqiptare në kuadër të anëtarësimit në iniciativën për qeverisje të hapur, nismë e Presidentit të SHBA-së Barack Obama dhe Presidentes së Brazilit Dilma Rouseff, qeveria shqiptare po i merr një nga një, të gjitha objektivat e kësaj iniciative dhe Shqipëria do të jetë një nga vendet që do t’i realizojë plotësisht ato.
Në përmbushje të këtij qëllimi, Kryeministri tha se është i domosdoshëm vendosja e një dialogu konstant e intensiv me kompanitë e angazhuara në fushën e teknologjisë së informacionit dhe universitetet. Një tregues i rëndësisë që shoqëroi në tërësi po i kushton kësaj fushe, Kryeministri konsideroi rritjen e numrit të studentëve të informatikës dhe degëve të tjera, të lidhura me këtë fushë.
Në vijim, fjala e Kryeministrit Berisha në Konferencën për shoqërinë e informacionit:
“Së pari, dua t’ju falenderoj juve, zoti Ambasador, për ngushëllimet që ju paraqitët për Kapitenin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë që ra në Afganistan, në krye të detyrës. Një ngjarje e dhimbshme kjo, për familjen, Forcat tona të Armatosura dhe vendin në tërësi, por ne mbetemi të vendosur të vazhdojmë të japim kontributin tonë në këtë vend, paqja dhe stabiliteti i të cilit, besojmë është i rëndësishëm për Europën e botën.
Së dyti, dua t’ju falënderoj për sponsorizimin dhe kontributin që keni në organizimin e kësaj Konference. Falënderoj ministrin Pollo dhe të pranishmit, që mblidhemi për një nga problemet më madhore, qeverisjen elektronike.
Zonja dhe zotërinj,
Në çdo analizë që të bësh, rezulton se nga të gjitha asetet, më e çmuar për njeriun është koha. Në këtë kontekst, përpjekja për t’i kursyer kohë atij është një përpjekje për të shumëfishuar mundësitë, shanset dhe potencialet e tij.
Gjashtë vite më parë, Shqipëria kishte një nga infrastrukturat rrugore ndër më të prapambeturat jo vetëm në Europë, por edhe më gjerë. Qytetarët shqiptarë shpenzonin kohën më të madhe, për të arritur në kryeqytetin e tyre apo në destinacionin që dëshironin.
Gjashtë vite më parë, shkalla e penetrimit e internetit në këtë vend ishte ndër më të ulëtat në botë, gjithsej 4.8 përqind, telefonia mobil ishte me çmime stratosferike. Qeveria ime, duke besuar se koha është më e çmuara, u përqendrua totalisht në infrastrukturën rrugore dhe infrastrukturën dixhitale. Ajo shpalli në atë kohë si objektiv të saj madhor: Shqipëria dixhitale! Një nismë kjo që tingëllonte jo shumë realiste, por shembujt ekzistonin. Ambasadori Sequi përmendi këtu Estoninë, e cila ishte një shembull frymëzues dhe një nga vendet e para që unë vizitova. Sot, në një përpjekje të madhe, Shqipëria ka lënë mbrapa tërësisht këtë të shkuar. Së shpejti, shqiptarët do të arrijnë në kryeqytetin e tyre, nga çdo cep e këtij vendi, duke kursyer më shumë se 60 përqind të kohës. Së shpejti, shqiptarët do të kenë në të katër anët e vendit, internet me bandë super të gjerë. Vitin e kaluar, Shqipëria u rendit e dyta në botë, pas Vietnamit, për sigurinë e rrjetit në këtë fushë.
Shqipëria liston sot, një seri shërbimesh themelore elektronike, nga prokurimet publike, regjistri i gjendjes civile, targat e makinave, taksat, doganat e vazhdon përpjekje të mëdha, për të shtuar numrin e tyre dhe për të arritur në një sportel të vetëm për shërbimet. Ajo që është specifike në përpjekjen për Shqipërinë dixhitale është se ky është horizonti që të largohet më me shpejtësi. Në qoftë se lexon, konstaton se ndryshimet në fushën e Hi-Tech-ut janë shumë të mëdha e të shpeshta, çka tregon se duhet të kesh një mobilizim shumë të madh, për të ruajtur ritmin e kohës.
Në këtë përpjekje, unë gjej rastin të shpreh mirënjohjen e thellë ndaj qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe USAID-it, e cila, me pragun e iniciativës së mijëvjeçarit, implementoi disa projekte themelore për shërbimet ndaj biznesit, si One stop shop për biznesin, e-taksat, e-prokurimet.
Një falënderim të veçantë dua t’i bëj PNUD-it, për ndihmën shumë të madhe që na dha për shtrirjen në një kohë shumë të shkurtër të internetit në çdo shkollë të këtij vendi dhe po vazhdojmë ta shtrijmë sot, në çdo klasë.
Një ndihmë shumë të çmuar na ka dhënë qeveria austriake, e cila realizoi këtu, me sukses të plotë, regjistrin elektronik të gjendjes civile dhe sot, kjo qeveri mike, nëpërmjet një mbështetje edhe financiare, po ndihmon aktivisht në tre projekte themelore, të cilat do të transformojnë këto fusha.
Dua të falënderoj Komisionin Europian, për mbështetjen bujare që i ka bërë përpjekjeve të Shqipërisë, për të ecur në moshën dixhitale.
Shqipëria dixhitale është një projekt jetik në procesin e transformimit të vendit në një vend të zhvilluar dhe në procesin e integrimit të tij në Bashkimin Europian.
Do të thosha se në të gjitha përpjekjet për të luftuar korrupsionin, procedurat dixhitale janë absolutisht procedurat më efikase. Dua të jap vetëm një shembull. Para instalimit të sistemit elektronik në fushën e prokurimeve në këtë vend, në garën totale merrnin pjesë 8500 kompani. Pas instalimit të këtij sistemi, në garën totale të prokurimeve morën pjesë 56.000 kompani. Dhe ky është vetëm një aspekt. Në të gjitha aspektet, asgjë më shumë se procedura dixhitale nuk lejon rrezen e diellit të penetrojë në çdo skutë dhe labirint të administratës publike dhe ta mbrojë atë nga babëzia e zyrtarëve dhe deformime të tjera. Ndaj ne mbetemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të shpejtuar ritmet.
Dy vitet e fundit, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama dhe Presidentja e Brazilit Dilma Rouseff ka ndërmarrë një iniciativë të partneritetit për qeverisje të hapur. Cilido që e studion këtë iniciativë gjen se ajo bazohet në shoqërinë dixhitale. Qeveria shqiptare është anëtarësuar në këtë iniciativë dhe po i merr një nga një, të gjitha objektivat e kësaj iniciative. Ne do të jemi një nga vendet që do t’i realizojë plotësisht ato. Çdo shpenzim që bëhet sot, nga kjo administratë e ky shtet, lexohet të nesërmen on line nga qytetarët shqiptarë. Pra, përpjekja për një Shqipëri dixhitale është një përpjekje për shërbimet më të shkëlqyera, për kursimin më të madh të kohës, për transparencën më të madhe. Sërish, ne kemi punë të madhe për të bërë. Duhet një koordinim më i madh i përpjekjeve tona në sektorin bankar. Transaksioni elektronik është një zhvillim tjetër, jashtëzakonisht i rëndësishëm në këtë aspekt. Ai po rritet me shpejtësi, më shpejt mund të eci. I garantoj bankat se ne jemi të gatshëm të miratojmë çdo ligj që lehtëson veprimtarinë e tyre. Ambasadori Sequi citoi këtu Estoninë. Kur unë vizitova këtë vend, miqtë e mi estonezë më thanë se: Ia detyrojmë zhvillimin tonë më së shumti bankave nordike, të cilat blenë bankat tona dhe i ofruan qytetarëve tanë transaksionin elektronik. Nga jugu i Europës është diçka më ndryshe, por unë shpresoj që kjo të njohë ritme të reja. Ne kemi një mirëkuptim në tërësi me sistemin bankar. Një sistem që luan një rol thelbësor në zhvillimin e vendit.
Pak vite më parë, kompanitë private të teknologjisë së lartë ishin fillestare, në Shqipëri. Sot, ato janë fuqizuar dhe unë i përgëzoj për guximin dhe zhvillimin që kanë marrë. Është e domosdoshme të kemi një dialog intensiv me to dhe dua t’i garantoj se do ta dëgjojmë fjalën e tyre. Ne do të vendosim një dialog konstant, në mënyrë që të ndjekim, madje të vrapojmë pas një horizonti që ecën me shpejtësinë më të madhe, se çdo horizont tjetër. Ne kemi bërë një ndryshim rrënjësor me përgatitjen e kuadrove për këtë fushë. Vetëm këtë vit, në universitetet e vendit kanë nisur studimet në fushën e informatikës apo të lidhur me të, mbi 4 mijë studentë. Një dialog e bashkëpunim më i ngushtë me universitetet është një nga objektivat e ardhme të qeverisë sime, në këtë fushë.
Edhe një herë dua t’ju falenderoj për organizimin e kësaj Konference dhe t’i uroj suksese në punimet e saj.”
21/02/2012