E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Historia e diktaturës është historia më e dhimbshme, më tragjike dhe më e pa merituar e kombit shqiptar

Kryeministri Berisha mori pjesë, sot paradite, në ceremoninë e hapjes së pavijonit me foto dhe objekte të ndryshme të periudhës së komunizmit, të titulluar “Terrori komunist në Shqipëri", në Muzeun Kombëtar. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, Ministri Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Aldo Bumçi, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, Drejtori i Muzeut Kombëtar z. Luan Malltezi, përfaqësues të komuniteteve fetare në Shqipëri, përfaqësues të të përndjekurve politikë, etj. Kjo ekspozitë çelet në shenjë simbolike në përkujtim të datës 20 shkurt të vitit 1991, ditës së përmbysjes së bustit të diktatorit Hoxha në Tiranë.

Kryeministri Berisha dhe personalitetet pjesëmarrëse, pas ceremonisë së hapjes, vizituan të gjitha stendat me foto, objekte dhe materiale të ndryshme që ilustrojnë periudhën e komunizmit, të ekspozuara në to.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha shprehu nderimin më të madh për qëndresën, sakrificën, burrërinë, heroizmin e qindra e mijërave grave dhe burrave, të cilët u flijuan në atë sistem të egër, vetëm e vetëm se, njësoj si ne sot, ata besonin te Zoti, donin të flisnin të lirë dhe donin që vendi i tyre të ecte drejt Evropës. Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi se 20 shkurti, data në të cilën studentët dhe qytetarët e Tiranës e të mbarë Shqipërisë, u përballën me një trimëri të pashoqe dhe përmbysën shtatoren e diktatorit, shënon de facto themelimin e opozitës shqiptare dhe gjunjëzimin përfundimtar të diktaturës hoxhiste në Shqipëri.

Kryeministri theksoi se Evropa ka të regjistruar në memorien e vet dy diktatorët më mizor, më barbar të të gjitha kohërave; Adolf Hitlerin dhe Enver Hoxhën. “Ky komb ka historinë  e vet, por historia e diktaturës është historia më e dhimbshme, më tragjike dhe më e pa merituar e kombit shqiptar”, nënvizoi Kryeministri.

Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Jemi mbledhur sot këtu për të nderuar, me këtë ekspozitë, një datë ndër më të rëndësishmet në tërë historinë e kombit shqiptar, datën që ndan dekadat e sistemit skllavërues, datën që ndan dekadat e shtypjes ekstreme, datën që ndan dhjetë vjeçarët e poshtërimit më të panjohur në tërë historinë kombëtare, që shqiptarët përjetuan gjatë diktaturës hoxhiste, në datën në të cilën ata vendosën që, me një guxim, me një kurajë, me një vendosmëri të pabesueshme, të përmbysnin, jo bronzet metalike, por të përmbysin në Tiranë bronzet e gjalla, të cilët disa vite pasi kishte vdekur diktatori, vazhdonin me vendosmëri, me krenari kriminale, rrugën e tij.

Evropa ka njohur në historinë e saj diktatura e diktatorë nga më të ndryshëm, por Evropa ka të regjistruar në memorien e vet dy diktatorët më mizor, më barbar të të gjitha kohërave; Adolf Hitlerin dhe Enver Hoxhën. Hitleri, mbi bazën e racizmit, ndërmori krimet më monstruoze te njohura në kontinentin Evropian, ndërsa Enver Hoxha, ashtu siç do ta quanin përfaqësuesit e 37 partive politike të Qendrës së Djathtë, në pranverën e vitit 91, “Hitleri i pasluftës”, do të organizonte mbi bazën e luftës se klasave, krimet, genocidin, terrorin më të paparë ndaj një kombi në Evropë.

Ndaj dhe 20 shkurti, data në të cilën studentët e universiteteve të Tiranës dhe qytetarët e Tiranës, u përballën me një trimëri të pashoqe dhe përmbysën shtatoren e tij, shënon realisht de facto themelimin e opozitës shqiptare, shënon gjunjëzimin përfundimtar të diktaturës hoxhiste në Shqipëri.

Në stendat e kësaj ekspozite ne do të njihemi sot me qëndresën, sakrificën, burrërinë, heroizmin e qindra e mijërave grave dhe burrave, të cilët u flijuan vetëm e vetëm se ata, njëlloj si ne, besonin te Zoti, njëlloj si ne, donin të flisnin të lirë, njëlloj si ne, donin që vendi i tyre të ecte drejt Evropës dhe të bashkohej me familjen e kombeve të qytetëruara evropiane. Por në këto stenda mungojnë shumica, mungojnë qindra e mijëra “heronj të pa kënduar”, - siç thotë një poet -, të cilët vdiqën që në moshën më të njomë, ndoshta që në barkun e nënës së tyre, e në të gjitha moshat, nga uria, nga sëmundja, nga vuajtja. Vërtetë që në Shqipëri numëroheshin 48 kampe përqendrimi, ku të rrethuarit në kampe detyroheshin t’i paraqiteshin oficerit të sigurimit çdo ditë, por ata e dinin mirë se në fshatrat nga kishin ardhur, kishin lënë një kamp tjetër përqendrimi, ku vëllezërit e motrat e tyre punonin si skllevër gjithë ditën për të marrë gjithsej një copë bukë mistri dhe për të ecur të sigurt drejt vdekjes së parakohshme dhe sëmundjeve të lidhura me urinë kronike.

Çfarëdo që të bëjmë ne sot, e kemi të vështirë t’i shpjegojmë brezit që vjen pas ato që përjetoi vendi i tyre. Por ne kurrë nuk duhet të heshtim dhe nuk duhet të ndalojmë së përpjekuri, me qëllimin e vetëm që kjo të mos i ndodhë më kombit shqiptar. Ky komb ka historinë  e vet, por historia e diktaturës është historia më e dhimbshme, më tragjike dhe më e pa merituar e kombit shqiptar.

Sot ne nderojmë qindra mijëra burra e gra që u flijuan për fjalën e lirë, por sot ne këtu nderojmë qindra e mijëra anonimë, të cilët vdiqën nën shtypjen e egër të hiperkolektivizmit total, mjerimit dhe varfërisë së tejskajshme.

Sot, pas 20 vitesh, përsëri nuk mund të mos theksojmë faktin se, pasardhësit direkt të bunkerit që përmbysëm 20 vjet më parë, nuk kanë shprehur, për as edhe një moment, pendesën e tyre. Ata kanë uzurpuar kreun e partisë kryesore opozitare të vendit sot dhe, natyrisht, nuk janë rikthyer dot në “Bllok”, por e vërteta është se kanë rikthyer “Bllokun” me të gjithë psikologjinë e tij. Me mburrje, me rrahje gjoksi, këta shokë apo zotërinj, bllokuan për 2 vite me radhë procesin e integrimit të vendit, duke dëshmuar se interesi i tyre, se doktrina e etërve të tyre, është për ta dhjetëra herë më shumë parësore sesa interesi kombëtar, interesi i vendit. Në histori, këta nuk janë të parët që kanë synuar ta devijojnë kombin nga vokacioni i tij shpirtëror perëndimor, por edhe këta, si të gjithë paraardhësit e tyre, do të kenë dështimin e merituar.

Nderimin më të madh që ne u bëjmë sot viktimave të sistemit barbar, është të konsolidojmë në Shqipëri ato vlera për të cilat ata burra dhe gra, patën guximin dhe trimërinë të sakrifikohen, të flijohen dhe të mbeten të përjetshëm në altarin e lirisë së kombit shqiptar.

Faleminderit!”


20/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›