Kryeministri Berisha: Përkushtimi dhe përgjegjësia i dhanë përgjigje të shpejtë situatës së krijuar nga reshjet
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim edhe me shtabin e emergjencës në Bulqizë. Kryeministri tha se bashkëpunimi midis autoriteteve vendore, qeverisë qendrore dhe strukturave të emergjencës, për përballimin e situatës, ka qenë i ngushtë dhe shumë i mirë, veçanërisht ka rezultuar shumë funksionale skema e aplikuar kryeplak-kryetar komune-shtabi lokal i emergjencës-shtabi qendror i emergjencës, edhe pse është vepruar në terrene shumë të vështira.
Kryeministri theksoi se emergjenca e krijuar nga kushtet e rënda atmosferike të këtij dimri ishte një provë e fortë, pasi në sajë të mobilizimit dhe përgjegjësisë së autoriteteve vendore dhe reagimit të qeverisë qendrore u arrit t’i jepet përgjigje e shpejtë situatës së krijuar, në radhë të parë, urgjencave shëndetësore dhe të nxirren nga bllokimi pjesa më e madhe e 106 komunave dhe bashkive të mbuluara nga bora. Qeveria, tha Kryeministri, disponon çdo mjet për t’ju përgjigjur pa asnjë vështirësi të gjithë problematikës së krijuar nga emergjenca e borës apo të tjera.
Në vijim, fjala e Kryeministrit në mbledhjen e shtabit të emergjencës në Bulqizë.
“Dua t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, të shpreh nderimin tim më të madh, për punën e shkëlqyer që keni bërë. Ky është rrethi i temperaturave, ndofta, më të ulëta në Shqipëri dhe i reshjeve të mëdha të borës. Ju jeni në një terren shumë të thyer, që kufizohet me Librazhdin, Matin dhe unë vij sot, këtu, e gjej falë punës suaj të shkëlqyer, të gjitha qendrat e komunave të hapura.
Unë besoj se ky dimër që vjen i tillë pas 27 viteve, ishte një provë e fortë. Brenda 2-3 ditësh u gjendën të mbuluara me sasi të mëdha bore rreth 106 komuna e bashki të vendit, me rreth 800 mijë banorë. Një situatë kjo e paparë prej tre dekadash. Por mobilizimi dhe ndjenja e përgjegjësisë e qeverive vendore, autoriteteve lokale, reagimi i qeverisë qendrore qenë të tilla, sa bënë të mundur që t’i përgjigjemi me shpejtësi asaj. Siç e dini, bora ka dy emergjenca kryesore, së pari, atë shëndetësore, e cila kudo që të ndodhë duhet të ndihmohet dhe është ndihmuar. Në qoftë se në Europë ky dimër ka regjistruar 560 viktima, në Shqipëri ka regjistruar një viktimë dhe ajo në spital, ku u soll pasi u gjet në majën e Oplas, por që shkalla e ngritjes trupore, hipotermisë, ishte e tillë, saqë e bëri të pamundur jetën e tij. Gjatë kësaj periudhe, janë ndihmuar një numër i madh qytetarësh në emergjencë shëndetësore, si nëna të reja për lindje apo për të dalë jashtë rrezikut. Një ndër to është urgjenca e Ostrenit.
Jo vetëm është punuar me angazhim shumë të madh për emergjencat, por është punuar me angazhim shumë të madh edhe për hapjen e rrugëve dhe janë lëvizur në njësi kohe shumë të shkurtër, miliona metër kub borë, nga Tropoja gjer në Leskovik. Janë mobilizuar forca të mëdha të ushtrisë, Policisë së Shtetit, Emergjencës Civile, qeverive vendore, komuniteteve lokale. Ky është operacioni më i gjerë e më i fuqishëm i emergjencës, në historinë e vendit. Ju kujtohet kur para 5-6 vitesh, për të hapur Qafën e Buallit na duheshin ditë dhe mezi gjenim një borëpastruese shtesë për ta sjellë, ndërsa sot, në rrethin e Peshkopisë janë të angazhuara mbi 40 mjete, pa llogaritur këtu Tropojën. Pra, ka një fuqi krejt tjetër dhe mundësi krejt tjetër. Kjo është dëshmi e një ndryshimi cilësor të vendit.
Ne, siç e dini, jemi përballur këto vite me emergjenca dhe jemi përballur me vendosmërinë më të madhe dhe me suksesin më të plotë. Në rast se vende të tjera numërojnë dhjetëra të vdekur, ne kemi bërë gjithçka që të shpëtojmë jetë. Dhe ju keni meritën e madhe që ia dolët të hapnit rrugët në qendër të komunës. Ne kemi angazhuar fonde që ju të hapni rrugët e fshatrave. Natyrisht, në një emergjencë, ne ecim gjithnjë me praktikën sa më të studiuar, por ne disponojmë çdo mjet për t’ju përgjigjur pa asnjë vështirësi të gjithë problematikës së krijuar nga emergjenca e borës apo të tjera.
Ky është një dimër i fortë, por nuk është as dimri i parë dhe as i fundit për ne. Ne jemi vend me lartësinë mesatare më të madhe në Europë. Ne jemi një vend me dimër serioz. Nga ky dimër, ne nxjerrim të gjitha mësimet, në mënyrë që tjetri që mund të vijë edhe më i fortë se ky të mund të përballohet edhe më fuqishëm se ky. Kryetari i bashkisë deklaroi se në përputhje me ligjin e kishte ngritur shtabin që në fillim të dimrit dhe është shumë e rëndësishme që të kemi një plan veprimi për situatat e krijuara. Vitin tjetër, ne do të angazhojmë fonde më të mëdha për mirëmbajtjen e rrugëve. Por duhet të dini se duke qenë nën presionin e ndërtimit të rrugëve kudo, nuk janë vendosur të gjitha fondet e duhura për mirëmbajtjen e tyre dhe shumë shpejt këto fonde do të shumëfishohen.
Ne qëndrojmë të vendosur në përputhje me kërkesat tuaja, por vetëm me kërkesat tuaja, për të bërë çdo ndërhyrje që keni nevojë për të ndihmuar komunitetin dhe qytetarët në zonat ku ju qeverisni. Besoj se funksionoi në mënyrë të shkëlqyer skema: kryeplak-kryetar i komunës-shtabi lokal i emergjencës-prefekti-shtabi qendror i emergjencës. Kjo skemë ka bërë të mundur që ne të kemi dijeni të plotë për situatën kudo dhe nuk është një terren kaq i thjeshtë, në të vërtetë, është nga më të vështirët e të thyerit.
Ditët që vijnë shpresojmë të mos kemi agresivitetin e reshjeve të ditëve që shkuan, por në çdo rrethanë, ne qëndrojmë të gatshëm për të ndihmuar e ndërhyrë në çdo rast, në çdo emergjence shëndetësore dhe për çdo familje në nevojë. E them me bindjen më të thellë se keni funksionuar në mënyrë të shkëlqyer, pasi unë e njoh mirë terrenin e këtij rrethi, jashtëzakonisht i vështirë, po kështu i Peshkopisë në tërësi. Unë erdha sot në një situatë që ju nderon me punën që keni bërë gjatë këtyre ditëve. Le të vazhdojë kështu, për ta përcjellë sa më me pak pasoja situatën e krijuar.”
19/02/2012